"I rritet paga Kurtit": Reagime të shumta pas miratimit të ligjit në Kuvend, ende s’dihet koeficienti
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Paga në Sektorin Publik, që kishte shkaktuar bujë të madhe në opinionin publik tash e disa vite. Dikush nga opozita, po vlerëson se paga do t'i rritet shefit të Qeverisë, Albin Kurti, ndonëse nuk dihet ende koeficienti.
85 deputetë ishin të pranishëm në sallë nga ta 63 votuan për Projektligjin për Paga.
“64 deputetë kanë votuar 63 për asnjë kundër dhe një abstenim, miratohet Projektligji për Paga në Sektorin Publik”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Partitë opozitare nuk morën pjesë fare në votim.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pas votimit në Kuvend.
"Të gjithë janë në terr informativ", sipas Tahirit, pasi që ende nuk është specifikuar se sa do të jetë koeficienti i pagave.
Tahiri e ka uruar Kryeministrin Kurti me fjalët “Urime Kryeministër” meqenëse sipas tij, ai është i vetmi që e din se sa do të jetë paga e tij, për të cilën, pretendoi se "e ka rritur".
“Imagjinoni, ligji i pagave që u miratua sot nga mazhoranca e VV-së, i ka lënë në terr informativ të gjitha kategoritë e punëtorëve në sektorin publik, mjekët, profesorët, shërbyesit civil, mësimdhënësit, policët, prokurorët, gjyqtarët, infermierët, zyrtarët në nivel qendror e lokal, të cilët nuk e kanë të qartë se cila është vlera e koeficientit të pagës së tyre, rrjedhimisht, absolutisht të paqartë se sa do të jetë paga e tyre. Ky ligj i pagave, lirisht mund të quhet ligji për pagën e Albin Kurtit, sepse askush tjetër përveç tij, nuk e di koeficientin e pagës së vet, ndërsa kryeministri që ia ka rritur pagën vetës, është i vetmi që e di se sa vlen një koeficient dhe se si përkthehet ai në vlerë monetare si pagë. Urime Kryeministër!”, ka shkruar Tahiri.
Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës këtë ligj e kanë quajtur "terr informativ".
Shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri ka thënë se kalimi i Ligjit për Paga është manipulim dhe sipas tij po shihet edhe si një "mashtrim tjetër i radhës".
“E tash që kaloi Ligji i Pagave, a ka dikush në qeveri që mundet me na tregu sa është rroga e një zyrtari të shtetit? Terr informativ, manipulim dhe siç po duket edhe një mashtrim i radhës. Folni mos heshtni tash!”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ndërsa, deputetja Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Ligji i Pagave u votua sot, por Qeveria nuk e din kur do të hyn në fuqi.
“Qeveria e praktikantëve. Ligji i Pagave u votua, por Qeveria nuk e di kur hyn në fuqi ky ligj. Sepse vlera monetare e koeficientit të pagave duhet të caktohet me Ligj të Buxhetit. Ligji i Buxhetit për 2023 ka kalu në lëxim të dytë me 15.12.2022. Rrjedhimisht Qeveria duhet të bëjë rishikim të Ligjit të Buxhetit për me caktu vlerën e koeficientit. Kur do të këtë rishikim të Ligjit të Buxhetit? Kur do të hyjë Ligji i Pagave në fuqi?”, ka shkruar Bajrami.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka treguar për Gazetën Nacionale se gjatë ditës së mërkurë i ka dërguar një analizë me 10 pika, 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës rreth Ligjit të Pagave.
Në njërën nga pikat e kësaj analize, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka paraqitur mungesën e sigurisë juridike për Ligjin e Pagave.
“Neni 9 i Projektligjit ka përcaktuar se “Vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit”. Kështu, përkundër ndërtimit të koeficientëve, ky Projektligj nuk ka përcaktuar vlerën e këtyre koeficientëve. Kështu, nga ky Projektligj, asnjë zyrtar publik nuk ka mundësi që të dijë se cila do të jetë paga e tij. Për më tepër, ky Projektligj nuk ka ndërtuar as indikatorë të caktuar mbi bazën e të cilëve do të mund të supozohej se cila do të ishte vlera e koeficientit. Në mungesë të përcaktimit të vlerës së koeficientit, është kontradiktor përcaktimi i Projektligjit [neni 10.1] se “Vlera monetare e koeficientit e përcaktuar sipas këtij ligji, mund të ulet vetëm me ligj”. Përkundër që në këtë nen referohet në vlerën monetare të koeficientit e caktuar sipas këtij ligji, realisht, ky ligj nuk e ka përcaktuar fare këtë vlerë. Për këtë arsye, ky formulim ligjor nuk ka mbështetje. Për këtë arsye, në drejtim të respektimit të parimit të sigurisë juridike, ku bënë pjesë edhe parimi i parashikueshmërisë, është e rëndësishme që po në këtë Projektligj të përcaktohet vlera monetare e koeficientit, e cila vlerë më pastaj mund të ngritet përmes Ligjit për Buxhetin, por assesi të ulet”, thuhet në analizë.
Miftarja ka bërë të ditur për Nacionale se në këtë analizë kanë paraqitur edhe një pikë ku kanë thënë se ky ligj është në kundërshtim me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje sa kishte qenë në opozitë.
“Amendamenti në fjalë është si në vijim: Funksionari publik nuk përfiton shtesa tjera mbi pagën bazë, me përjashtim të shtesës së posaçme për anëtarët e Kuvendit Komunal siç parashihet në nenin 12 të këtij ligji. Pra, qëllimi i këtij amendamenti është që të mos ketë shtesa për funksionarët......Qëllimi është që vetëm për deputetët, funksionarët publikë, ku hyjnë edhe deputetët e Kuvendit, t’u hiqen shtesat dhe ta kenë vetëm pagën bazë”. Me të drejtë, kështu kishte deklaruar znj. Albulena Haxhiu, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kishte qenë në opozitë.
Por, në kundërshtim me propozimin e LVV sa kishte qenë në opozitë është draftuar Projektligji. Kjo pasi përtej pagës bazë, Projektligji [neni 23] ka përcaktuar edhe shtesë të veçantë për funksionet shtesë apo për pjesëmarrje në komisionet parlamentare. Pjesëmarrja në seanca plenare dhe në komisione parlamentare, është detyra bazë e punës së deputetëve. Kështu, puna bazë për të cilën deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës pranon pagë është pjesëmarrja në seanca plenare dhe komisione parlamentare. Dhënia e shtesave të veçanta për pjesëmarrje në komisione parlamentare ia humb qëllimin pagës bazë. Për këtë arsye, në rrjedhë të kësaj logjike dhe premtimeve të kohës kur LVV ka qenë në opozitë, IKD rekomandon që përmes Projektligjit mos të parashihet mundësia e dhënies së shtesave të veçanta për deputetët që marrin pjesë në komisione parlamentare”, thuhet në pikën katër të analizës së IKD-së


