Letra e 'distancimit' nga Serbia drejtuar BE-së dhe ShBA-së: Nënshkrimi i dy ukrainasve dhe ideja e një amerikanit
Një letër ku denoncohet Serbia i është drejtuar ndërmjetësve evropianë dhe amerikanë, Llajçak e Escobar. Por, matanë fjalëve që thuhen në letër – e që janë shumë të rëndësishme – përshtypje të mirë lë edhe një nga nënshkruesit e shumtë: kryesuesi/ja e komitetit për politikë të jashtme në Ukrainë. E në këtë pikë, duhet t’i rikthehemi idesë së madhe të profesorit amerikan Edward P. Joseph, të shpalosur mes tjerash edhe për gazetën Nacionale.
“Rreziku i përshkallëzimit të mëtejshëm: Politikanët e huaj me letër drejt BE-së dhe ShBA-së kërkojnë të distancohen nga Serbia.” – titullohet artikulli në fjalë i publikuar nga TagesSpiegel.
Në këtë letër, mes tjerash thuhet: “Presidenti i Serbisë, Alleksandër Vuçiq, është ditë e më shumë duke e eskaluar situatën me Kosovën.”
Aty përmendet edhe një term tjetër interesant: beogrado-centrizëm.
“Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar që të mësojë nga e kauluara dhe të sigurohet që ne nuk do të ndjekim politika beogrado-centrike në Ballkan,” – shkruhet tutje.
Ukraina
Përveç senatorit amerikan Bob Menendez, kjo letër është nënshkruar edhe nga Michael Roth i Gjermanisë dhe kryesuesit e komiteteve për politikë të jashme në Britani të Madhe, Çeki, Irlandë, Estoni, Letoni, Lituani dhe... Ukrainë.
Edhe më tej nuk dihet nëse nënshkrimi i kësaj letre nënkupton edhe ndonjë ndryshim eventual të kursit të Ukrainës sa i përket njohjes/mosnjohjes së Pavarësisë së Kosovës. Aktualisht, Ukraina vazhdon që të mos ndryshojë qëndrim përkundër invazionit rus në tokën e saj, mbështetjes së madhe të Kosovës, mos-sanksionit të Rusisë nga Serbia dhe një mali me prova se rasti ynë dallon nga i saji.
Profesori amerikan
Profesori amerikan Edward P. Joseph kishte argumentuar në shumë e shumë raste, mes të cilave edhe për gazetën Nacionale, rëndësinë që kishte qëndrimi i Ukrainës në zhbllokimin e procesit të njohjeve për Kosovën.
Janë katër shtete mos-njohëse në Bashkimin Evropian (BE), prej të cilave katër janë pjesë e NATO-s.
Profesori Joseph në intervistë e dhënë për Nacionalen kishte argumentuar një artikull të publikuar më herët e të quajtur “Kievi – Katalizatori për Kosovën”.
Nëse Ukraina e njeh Kosovën, konteksti për pjesën e mbetur të shteteve mos-njohëse menjëherë do të ndryshojë. E bën njohjen çështje të sigurisë evropiane – të demonstrimit para Rusisë që nuk ka frikë të afirmojë intervenimin politik dhe ushtarak të Perëndimit në Kosovë.
“Që ta them më konkretisht, sapo Ukraina e njeh Kosovën, atëherë pse të mos e bëjë një gjë të tillë Spanja? A ka Katalonia armë nukleare si Rusia? A do ta sulmojë Barcelona Madridin për t’u shkëputur nga Spanja? Ironia është që Rusia – jo Kosova – e inkurajon Kataloninë që të ndahet. Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia do të kenë siguri më të madhe – dhe Rusia do të jetë më e izoluar – nëse këto shtete të NATO-s e njohin Kosovën. Ukraina mund të jetë katalizatori.” – kishte argumentuar mes tjerash z. Joseph.
Ai kishte thënë që nëse Ukraina do ta njihte Kosovën, atëherë “konteksti për pjesën e mbetur të shteteve mos-njohëse menjëherë do të ndryshonte.”
“(Kjo) e bën çështje të sigurisë evropiane – të demonstrimit para Rusisë që nuk ka frikë të afirmojë intervenimin politik dhe ushtarak të Perëndimit në Kosovë.” – ishte shprehur ai.
Për shumë kohë ishte menduar se arritja e Marrëveshjes së Ohrit/Brukselit do të ndryshonte qasjen e pesë shteteve mos-njohëse të BE-së ndaj Kosovës por deri tash nuk ka asnjë shenjë se kjo ka ndodhur.
Pesë shtetet mos-njohëse janë: Spanja, Greqia, Sllovakia, Qipro dhe Rumania.
Kyivpost ka raportuar se deputeti ukrainas në fjalë ka qenë Oleksandër Merezhko. Përveç tij, mes nënshkruesve mund të shihet edhe Oleksiy Goncharenko.


