"Kokënxehtë, impulsiv": A e shau gazetari i BBC-së Albin Kurtin në intervistën rrëqethëse që doli mbrëmë?
Kryeministri Albin Kurti përsëri doli në mediat ndërkombëtare. Por, më mirë të mos dilte. Intervista e fundit e dhënë në BBC është aq e sikletshme sa zor se mund të ndiqet pa rrëqethje trupi. Aty, gazetari madje e lëshon edhe një fyerje ndaj kryeministrit të Kosovës.
Formati HARDtalk i BBC-së zor se e ka vetëpërshkruar veten më mirë se sa në intervistën me Kurtin: ishte një bisedë zori... për Kurtin. Gazetari Stephen Sackur ishte i pakompromis në pyetje dhe konstatimet e tij, duke na dhënë një ide kristal të qartë se si shihet te ndërkombëtarët krejt rrëmuja e krijuar nga kryeministri.
Ai u pyet për Asociacionin, për prishjen me miqtë e Kosovës, për sanksionet, për deklaratat e Bill Clintonit, për humbjen e 500 milionë eurove deri në fund të vitit, për karakterin e tij impulsiv.
Pse jeni kaq i frikësuar?
Gazetari Sackur ia përsëriti dy herë rresht një pyetje Kurtit: pse është kaq i frikësuar? Ai po e pyeste për komunitetin serb, që nuk përbën as 5 për qind të popullësisë së Kosovës.
“Ata janë një minoritet shumë i vogël. Pse jeni kaq i frikësuar prej tyre? Po i krahasoni ata me situatën në Bosnje, me Republika Srpskan. Por atje ata kanë 30 për qind të popullësisë. Këtu ata prezantojnë vetëm 4 për qind ose 5 për qind. Pse jeni kaq i frikësuar?”- pyeti z. Sackur.
Kryeministri kishte thënë paraprakisht se Asociacioni kishte dështuar në testin e Gjykatës Kushtetuese.
Miqtë
Në disa raste gjatë intervistës, gazetari Sackur – qartazi dhe çiltërsisht moskuptues – e shtyri Kurtin të jepte përgjigje shtesë në lidhje me prishtjen me miqtë e Kosovës. Në fakt, të gjithë ne do të donim përgjigje shtesë përtej fjalëve boshe të përsëritura e ripërsëritura.
“A ju brengos juve që miqtë tuaj më të mirë, më të rëndësishmit, filluar nga Bashkimi Evropian, mendojnë që ju e keni gabim. Dhe janë aq të sigurt që e keni gabim sa edhe po ju vënë sanksione?” – ishte pyetja.
Të gjithë do të donim ta dinim nëse kryeministri ishte përnjëmend i brengosur. Kurti përmendi konfliktin në Ukrainë.
“Ju po akuzoni BE-në se po tradhton marrëdhënien e fortë me juve shkaku që dëshirojnë ta bindin Vuçiqin dhe Serbinë që të largohet nga Rusia?” – ishte një pyetje tjetër.
"Në kërkim të kuptimit"
Kryeministri Kurti falë ngulmimit të gazetarit dha një përgjigje pak më të ndryshme. Ai tha se si qenie njerëzore ishin në kërkim të kuptimit... dhe edhe në këtë rast ishin në kërkim të kuptimit pse BE-ja ishte kaq e padrejtë me Kosovën.
“Nuk kam tjetër shpjegim pse po e tolerojnë kaq shumë... Ne si qenie njerëzore jemi në kërkim të kuptimit...Unë nuk di se si t’ia shpjegojë vetes dhe të tjerëve se sa të butë janë me Beogradin.” – u shpreh kryeministri Kurti.
Më pas, kryeministri mori edhe një këshillë nga gazetari. Ai i tha që të shihte tablonë e madhe:
“Ndoshta duhet ta shihni tablonë e madhe diplomatike. Kam lexuar raportime – dhe jam i sigurt që edhe ju – se një numër i madh municionesh të prodhuara në Serbi kanë shkuar në Ukrainë përmes palëve tjera, dhe përdoren nga forcat ukrainase. Dhe kjo ka rëndësi për ShBA-në dhe BE-në. Ndoshta duhet ta pranoni që moti diplomatik po ndryshon...”
Kryeministri Kurti – nuk po komentojmë fare – ia ktheu si vijon:
“...Më lejoni ta them edhe këtë gjë. Për një demokrat, unë jam socialdemokrat. Për një autokrat, më duhet të jem edhe sovranist po ashtu. Çka po bëjmë në veri është sundim i ligjit si sovranitet dhe sovranitet si sundim të ligjit.”
A mund ta përballoni?
Gazetari Sackur si duket nuk mund ta kuptonte se si një vend kaq i vogël e kaq në nevojë për zhvillim ekonomik po e ndërmerrte një veprim të tillë.
“Po e paguani çmimin, ky është fakt. Sanksionet do t’i kushtojnë vendit tuaj deri në 500 milionë euro deri në fund të këtij viti... me ekonominë tuaj të dobët nuk mund ta përballoni që të humbni këtë mbështetje financiare. Çfarë do të bëni?” – e pyeti ai.
Kurti nisi të përmendte të dhëna nga disa raporte që tregonin për rritjen e importeve e kështu me radhë. Përgjigja e fshehtë ishte se mund t’ia dilnim edhe pa sanksione.
Sackur e pyeti edhe për deklaratën e Bill Clintonit në Tiranë që kërkoi të ndalej “ky budallallëk”.
“Bill Clinton iu tha të ndalni budallallëkun. A do ta bëni?” – ishte pyetja konkrete.
“Nuk po më bëjnë budallë e as që po bëhem budallë. Jam kryeministër i një republike demokratike...” – tha z. Kurti në hyrje të përgjigjes që rrëshqiti më pas në formulimet e zakonta që i jepnin të drejtë atij karshi botës perëndimore.
Kokënxehtë
Dy herë në fund të intervistës, z. Sackur e shau kryeministrin Kurti duke e quajtur si “kokënxehtë” (ang. Hothead), ndërsa në një moment tjetër edhe si impulsiv.
“Ju jeni politikan kokënxehtë,” - i thotë ai në mënyrë direkte.
“Ju jeni i njohur si një politikan kokënxehtë impulsiv nacionalist. Mund ta çoni larg një gjë të tillë...” – i tha më pas përsëri.
Kurti iu përgjigj me kokëftohtësi një fyerjeje të tillë duke i thënë se karrierën e tij mund ta diskutonte me të diku tjetër me një gotë verë. Ai po ashtu i tha se “kjo (çështje) nuk është për mua. Dhe unë nuk jam i vetëm. Shumica e popullit më mbështet.”
Sackush paraprakisht duket se pati një shtrëngim ‘të fundit’ për të kuptuar veprimet e kryeministrit:
“Ju e dini që serbët nuk do të kthehen në zyrat komunale. Ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhje nëse ju nuk iu jepni Asociacionin... nëse nuk do t’ju jepni atë gjë, edhe nëse keni zgjedhje, serbët nuk do të marrin pjesë. Pra, nuk po arrini asgjë. A keni ndonjë zgjidhje për këtë çështje?”



