Intervistë | Joseph: Kosova të nisë menjëherë formimin e Asociacionit, shtyrja shton rreziqet - NACIONALE

Intervistë | Joseph: Kosova të nisë menjëherë formimin e Asociacionit, shtyrja shton rreziqet

2 muaj më parë

nga Jetlir Buja

Ka kaluar vetëm një javë prej që u arrit Marrëveshja e Ohrit. Konfuzioni vazhdon të jetë i madh, por debati për të edhe më i madh. Çka thotë profesori amerikan Edward P. Joseph për të?

Joseph është një ndër mbështetësit e palëkundur ndërkombëtarë të Pavarësisë së Kosovës. Ai ka qenë mjaft aktiv veçanërisht gjatë këtij viti, duke artikuluar mbi mënyrën se si mund të arrinte Kosova që të dilte nga bllokada ndërkombëtare ku ndodhet. Pra, të merrte njohjet nga 4-shtetet mos-njohëse të NATO-s.

Ideja e tij për ta përdorur Ukrainën si katalizatore ka marrë vëmendje të madhe gjithandej. Ligjëruesi në John Hopkins SAIS (Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare) vazhdon të ngulmojë për një gjë të tillë, edhe pas arritjes së Propozimit Evropian dhe Aneksit të tij.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, është shprehur se Propozimi e lë Kosovën në status quo (megjithëse më të mirë) por duket se i këtij mendimi nuk është Joseph. Ai konsideron që Kosova mund të ‘çajë’ status quo-në – që i konvenon vetëm Serbisë - përmes marrëveshjeve, natyrisht edhe nëse ndiqen hapa konkretë në vazhdim.

Në intervistën e mëposhtme, ai flet gjerësisht edhe për obligimet e BE-së dhe ShBA-ve në zbatimin e marrëveshjes dhe për temën më të diskutuar në Kosovën, Nenin 7 dhe obligimin për ta formuar Asociacionin.

NACIONALE:

1. Le ta nisim me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ky është diskutimi më i nxehtë në Kosovë tash për tash. Ju e konsideronit, në artikullin e fundit të publikuar në Foreign Policy po ashtu, më shumë si mjet kushtëzimi për Kosovën që të marrë njohjen nga Serbia. Por, a mendoni se Asociacioni mund ta minojë sovranitetin e Kosovës dhe të përbëj kërcënim të rrezikshëm për shtetin tonë?

JOSEPH:

Më lirni të jem konciz e megjithatë i plotë aq sa mundem:

E para, Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit janë ligjërisht obliguese. Ka shumë përfitime të rëndësishme për Kosovën, që është dëmtuar rëndë nga status quo-ja. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se: vetëm Serbia përfiton nga status quo-ja. Qytetarët e Kosovës, edhe shqiptarët por edhe serbët, nuk përfitojnë.

E dyta, sa i përket obligimeve të Nenit 7 që përmban “vetëmenaxhimin për komunitetin serb në Kosovë”, me pak karakteristika të tilla si mbështetja financiare nga Serbia dhe komunikimi direkt me Qeverinë e Kosovës. Neni 7 kërkon që Kosova të “nis menjëherë negociatat” mbi vetëmenaxhimin, duke përmendur “marrëveshjet e kaluara të dialogut.”

Prandaj, protestuesit dhe kritikët në Kosovë duhet t’i pranojnë këto dy pika. Kosova është e obliguar për këtë çështje... dhe Kosova ka shumë për të fituar nga Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.

Po, a ka rreziqe për Kosovën sa i përket zbatimit të “vetëmenaxhimit” apo “Asociacionit”, siç është përshkruar më 2013 dhe 2015?

Secili është i vetëdijshëm për rrezikun e “Republika Srpskas”. Ne duhet ta pranojmë që qëllimet e Serbisë mbi ‘Asociacionin’ nuk janë nxitur nga dëshira për të përmirësuar jetën e qytetarëve serbë në Kosovë... sepse Beogradi refuzon ta pranojë se ata janë qytetarë të Kosovës në rend të parë.

Asociacioni ka qenë një taktikë e mirë e shtyrjes në dialog, duke lejuar Beogradin që të thotë “mos na fajësoni neve!” Është Kosova ajo që refuzon të zbatojë Asociacioni. Mbani mend, i shkon Serbisë për shtat që ta mbajë situatën siç është, me Kosovën të izoluar.

Me Marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit, situata tashmë ka ndryshuar. Përpara, Kosovës i kërkohej të zbatonte Asociacionin për përfitime të paqarta e të pacaktuara në fund. Tash, Kosova pritet të marrë përfitime të qarta duke ecur përpara.

ShBA-ja insiston që vetëmenaxhimi apo Asociacioni do të jetë strikt në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe jo pengesë në ndonjë formë për funksionalitetin e saj. Koncepti bazë i ShBA-ve dhe BE-së është për një numër të caktuar komunash që të koordinojnë kompetencat ekzistuese. Poenta ime në Foreign Policy ishte që ShBA-ja – që i bëri presion Kosovës vazhdimisht në këtë gjë – obligohet të sigurojë që vetëmenaxhimi apo Asociacioni është legal, korrekt dhe funksional.

Prandaj, po, ka rreziqe, dhe ka edhe përfitime. Kosova duhet të lëviz shpejt dhe kujdesshëm në këtë punë. Ka po ashtu rreziqe të mëdha nëse nuk ecet përpara me Asociacionin – me Kosovën që mund të fajësohet për pengimin e Marrëveshjes prej fillimit.

Ka një rrezik më të madh e krejt të anashkaluar te i cili kam vënë gishtin, te sovraniteti i Kosovës. Do ta adresoj këtë çështje në fund të intervistës.

NACIONALE:

Ju thoni që ShBA-ja dhe BE-ja janë çelësi për ta bërë Marrëveshjen funksionale. Pse?

JOSEPH:

Po, poenta kryesore e artikullit tim në Foreign Policy është që ShBA-ja dhe BE-ja duhet të kryejnë obligimet e tyre – e jo vetëm Kosova dhe Serbia. Brukseli duhet menjëherë që të ndalojë së silluri sikur është “vetëm lehtësues.’ Kjo sjellje është e pasaktë dhe dëmtuese. Vet marrëveshja, në website-in e BE-së titullohet “Propozimi i BE-së”. BE-ja i ka disa obligime kritike në tekst. ShBA-ja, po ashtu, duhet të ‘marrë’ përgjegjësitë e saj për kushtet e marrëveshjes.

Ka zbrazëtira në tekst, ku palët nuk janë pajtuar. Ka ambiguitete që janë toleruar nga BE-ja dhe po ashtu nga ShBA-ja. Le ta themi troç. Borrelli mund të thoshte, “ne kemi bërë progres, por nuk kemi marrëveshje.” Nuk e tha. BE-ja dhe ShBA-ja thanë që ka marrëveshje. Është propozim i mbështetur nga BE-ja dhe ShBA-ja, prandaj Brukseli e Washingtoni duhet të marrin po ashtu përgjegjësi për të.

Është shumë kollaj të drejtosh gishtin te palët, siç kishte bërë Borrelli fillimisht, duke thënë që zbatimi është në dorën e palëve, dhe duke sugjeruar se BE-ja thjesht do të ‘monitoronte’.

Nëse e këqyrim tekstin, e kuptojmë që s’është e vërtetë kjo gjë. BE-ja duhet të ‘kryesojë’ Komitetin e Përbashkët Monitorues. BE-ja supozohet të ‘përcaktojë’ përputhjen e vetëmenaxhimit me marrëveshjet e kaluara të BE-së mbi Asociacionin. Ka edhe të tjera obligime shumë të rëndësishme për BE-në.

Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm sa e rëndësishme është që BE-ja ta ndërrojë këtë mendësi, dhe ta ndërpres pasivitetin si ‘lehtësuese’. Brukseli dhe Washingtoni kanë të dyja pronësi mbi këtë gjë. Situata është megjithatë ende e vështirë.

Kjo s’është sikur Greqia dhe Maqedonia e Veriut pas Marrëveshjes së Prespës, ku të dyja palët u futën në një marrëveshje të plotë dhe finale – me vendosmëri të barabartë për të marrë ratifikimin parlamentar dhe për të ecur para. Në këtë rast, BE-ja dhe ShBA-ja duhet të sigurohen që palët duhet të ecin përpara. Dhe ShBA-ja duhet të sigurohet që BE-ja ecë përpara, duke përmbushur obligimet e saj për t’u sillur si arbitër, e jo veç si lehtësuese.

Nëse marrëveshja e Brukselit-Ohrit dështon, atëherë është dështim për BE-në dhe ShBA-të – dhe fitore për Rusinë dhe Kinën.

NACIONALE:

Pse thoni në artikullin e Foreign Policy që BE-ja duhet menjëherë ta regjistrojë Marrëveshjen në OKB? Çfarë arrihet me regjistrim?

JOSEPH:

Po, BE-ja duhet menjëherë – pa shtyrje a arsyetim – ta regjistrojë Marrëveshjen e Brukselit-Ohrit në OKB. Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, bashkë me zyrtarët tjerë të Kosovës dhe liderët partiakë duhet t’i bëjnë thirrje BE-së që ta regjisstrojë marrëveshjen në OKB, menjëherë.

Regjistrimi i marrëveshjes do të arrinte gjashtë objektiva të rëndësishme:

E para, e vendos që marrëveshja është “ligjërisht obliguese.”

Ka shumë sfida për zbatimin qysh tash, pa pyetjen e statusit legal të marrëveshjes. Në konferencën për media të mbajtur nga Gabriel Escobar, kishte dy pyetje direkte në lidhje me atë se a ishte marrëveshja ligjërisht obliguese, nga një gazetar/e serb/e dhe një shqiptar/e.

Në artikull, unë shpjegoj pse komentuesit e kanë gabim kur insistojnë që Marrëveshaj duhet të nënshkruhet në mënyrë që të jetë ligjërisht e obligueshme. Nënshkrimi nuk kërkohet.

Aktualisht, kemi deklarata gojore nga Borrelli dhe Escobari që marrëveshja është ligjërisht e obligueshme. Epo, nëse është kështu, atëherë nuk duhet të ketë hezitim që të regjistrohet marrëveshja në OKB. Regjistrimi në OKB është akti që do të përforcojë fjalët e BE-së dhe ShBA-ve.

E dyta, duke e regjistruar Marrëveshjen, BE-ja do të dërgojë sinjal krucial te Beogradi dhe Prishtina se nuk do të ketë asnjë përfitim nga sfidimi i statusit të marrëveshjes apo nga shtrembërimi i kushteve.

Presidenti Vuçqi ka nënkuptuar se me qëllim ka shmangur obligimet nga marrëveshja duke refuzuar që ta nënshkruajë. Ai po ashtu e ka lidhur mos-nënshkrimin me “vijën e kuqe” serbe kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB.

Regjistrimi në OKB do të ishte një përkujtues i rëndësishëm edhe për Vuçiqin e edhe për Kurtin se në fakt, ata, kanë pranuar një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

E treta, regjistrimi në OKB është një sinjal i fuqishëm për Rusinë dhe Kinën në lidhje me statusin dhe seriozitetin e marrëveshjes. Marrë parasysh pozicionin e Rusisë dhe të Kinës kundër pavarësisë së Kosovës dhe interpretimin e tyre të Rezolutës 1244, regjistrimi në OKB është me rëndësi.

E katërta, regjistrimi është një sinjal i fuqishëm për shtetet mos-njohëse. Siç e kam theksuar, formalitetet vlejnë kur vjen puna te shtetet mos-njohëse. Sa më formale të duket njohja de fakto e Serbisë, aq më i fortë argumenti që këto shtete ta ndryshojnë pozicionin e tyre.

E pesta, regjistrimi në OKB është sinjal i rëndësishëm simbolik për Kosovën, që aspiron anëtarësim në OKB, NATO dhe BE.

E gjashta, asnjë shtet, përfshirë Serbinë, Rusinë apo Kinën, nuk mund të ankohet për regjistrimin në OKB. Në këtë artikull, unë e citoj rezoluton e Asamblesë Gjenerale të OKB-së dhe dokumentet e ndërlidhura që trgojnë se vet thirrjen e OKB-së që marrëveshjet të regjistrohen “sa më parë të jetë e mundur”, pavarësisht nëse përfshijnë shtetet jo-anëtare të OKB-së, organizatat ndërkombëtare si BE-ja, apo edhe nëse janë në status provizional.

Jam i lumtur që komentues me ndikim kanë kuptuar rëndësinë e regjistrimit në OKB të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Çdokush që dëshiron të shohë marrëveshjen së zbatuari duhet të bëj thirrje për këtë gjë.

NACIONALE:

Në Propozimin Evropian dhe Aneksin e tij, nuk ka garanci të shkruar për të arritur njohjen nga 5 shtetet mos-njohëse të BE-së (4 të NATO-s). A mendoni ende se ideja juaj për ta marrë njohjen nga Ukraina dhe për të krijuar narracion bipolar (me Rusinë në anën tjetër) do ta bënte dallimin?

JOSEPH:

Prej majit 2021 (në një artikull të titulluar ‘Mënyra për të dalë nga Moçali Ballkanit’), kam qenë duke i përmendur shtetet mos-njohëse të Kosovës si pengesën qendrore për progres në krejt rajonin. Pozicioni i Serbisë për Kosovën është ajo çka e lejon të gjithë farsën e ‘dy karrigeve’ të Vuçiqit, përfshirë pozicionin shumë dëmtues të Serbisë për luftën e Rusisë në Ukrainë.

I jam bashkuar autorëve nga Kosova, Serbia dhe krejt shtetet mos-njohëse në një raport të detajuar vitin e kaluar që thirret ‘Nga Kriza në Konvergjencë.’ Raporti shpjegoi pse pozicioni i shteteve mosnjohëse është aq dëmtues dhe se si ShBA-ja mund të arrijë ndryshim.

Muajin e kaluar, shkrova një artikull për SAIS Review të Çështjeve ndërkombëtare të quajtur, ‘Kievi – Katalizatori për Kosovën’ që shpjegon pse njohja e Ukrainës (për Kosovën) mundet më në fund të çojë në njohjen e plotë të Kosovës nga të gjitha shtetet e NATO-s. Pse? Si shtet evropian në “vijë të frontit për demokracinë”, siç ka thënë Presidenti Biden, Ukraina ka peshë të madhe morale. Kufijtë e Ukrainës dhe territori i saj janë mbushur nga një armik i madh, i egër, me armë nukleare që e ka emrin Rusi. Moska mbështet Serbinë dhe refuzon që ta njohë Kosovën.

Ukraina po ashtu ka hezituar, shkaku i frikës se do ta njihte një ‘precedent’ që Rusia do ta shfrytëzonte. Por ne po e shohim sa absurd ky pozicion është. Mos-njohja e Kosovës nuk e ndaloi Putinin në vitin 2014 në Krime apo më 2022. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës nuk varet mbi atë se a e njeh apo jo Kosovën. Duke e njohur Kosovën nuk e bën papritmas të gjithshëm aneksimin që Rusia i bëri Krimesë apo territoreve tjera.

Nëse Ukraina e njeh Kosovën, konteksti për pjesën e mbetur të shteteve mos-njohëse menjëherë do të ndryshojë. E bën njohjen çështje të sigurisë evropiane – të demonstrimit para Rusisë që nuk ka frikë të afirmojë intervenimin politik dhe ushtarak të Perëndimit në Kosovë.

Që ta them më konkretisht, sapo Ukraina e njeh Kosovën, atëherë pse të mos e bëjë një gjë të tillë Spanja? A ka Katalonia armë nukleare si Rusia? A do ta sulmojë Barcelona Madridin për t’u shkëputur nga Spanja? Ironia është që Rusia – jo Kosova – e inkurajon Kataloninë që të ndahet. Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia do të kenë siguri më të madhe – dhe Rusia do të jetë më e izoluar – nëse këto shtete të NATO-s e njohin Kosovën. Ukraina mund të jetë katalizatori.

NACIONALE:

A besoni që njohja formale nga Serbia do të ishte ende e rëndësishme nëse 5 shtetet mos-njohëse të BE-së ndryshojnë pozicionin e tyre ndaj Kosovës?

JOSEPH:

Njohja formale nga Serbia do të ishte e paevitueshme dhe e shpejtë nëse vetëm katër shtetet mos-njohëse të NATO-s, pa Qipron, e njohin Kosovën. Në artikullin tim në SAIS Review, unë citoj se si në thelb edhe Vuçiqi e ka pranuar një gjë të tillë. Sapo Kosova të zhbllokohet në rrugën e saj drejt NATO-s, mos-njohja e Serbisë do të jetë e pakuptimtë.

Llogaritjet strategjike të Serbisë do të ndryshojnë brenda natës, sapo të gjitha shtetet e NATO-s ta njohin Kosovën. Serbia është në Ballkan, e rrethuar me shtete anëtare dhe shtete aspiruese për të hyrë në NATO. Dy të tretat e tregtisë së saj janë me BE-në. Nuk ka opsion ‘Rusi apo Kinë’ për Serbinë. Sapo Kosova të zhbllokohet, atëherë Serbia do të lëviz me vendosmëri drejt Perëndimit – dhe kjo përfshin aplikimin për anëtarësim në NATO.

NACIONALE:

Cilët janë hapat kyç që duhen bërë në vazhdim?

JOSEPH:

Këta janë hapat kyç që duhen bërë:

1) BE-ja duhet ta regjistrojë marrëveshjen e Brukselit-Ohrit në OKB. Kjo nuk shtyen asgjë tjetër. Kjo i thotë Kosovës dhe Serbisë, ‘ne në Bruksel duam punë. Lëvizni edhe ju, menjëherë!’

2) BE-ja me palët duhet të themelojë Komitetin Monitorues të Përbashkët, siç deklarohet brenda 30 ditësh. Nuk duhet të ketë takime tjera në ‘dialog’. Në vend të kësaj, BE-ja duhet të kryesojë këtë Komitet. Është shumë e rëndësishme që ta trajtojmë këtë Komitet si një trup formal me autoritet. Kjo është mënyra tjetër e të treguarit se të gjithë janë në një epokë të re të zbatimit dhe bashkëpunimit mbi marrëveshje formale të obliguese.

3) Kosova duhet në mënyrë pro-aktive të nis negociatat mbi vetëmenaxhimin. Nuk duhet të ketë shtyrje. Në vend se të kritikohet kryeministri Kurti, partitë politike dhe të tjerët duhet të propozojnë kushte konkrete. Po, ka rreziqe. Sa më shumë kohë që humbet, aq më të mëdha bëhen rreziqet.

4) ShBA-ja dhe BE-ja duhet të sigurohen që Serbia ecën përpara në obligimet e saj mbi dokumentet dhe hapat e ndërlidhura me to;

5) Anëtarët e BE-së në Këshillin e Evropës duhet të ecin përpara në çështjen e anëtarësimit të Kosovës;

6) ShBA-ja dhe BE-ja duhet atëherë t’ju tregojnë të dyja palëve më pas përfitimet e tjera që vijnë nga marrëveshja, përfshirë në sferën e investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik.

NACIONALE:

Ndoshta ju pajtoheni që kryeministri Kurti ka ndryshuar shumë pikëpamje të tij mbi çështje të rëndësishme, përfshirë Asociacionin. Por, ai vazhdon të refuzojë që të pranojë këto ndryshime. A besoni që është e rëndësishme për demokracinë në Kosovë që të ecim përpara edhe sa i përket kësaj çështjeje?

JOSEPH:

Marrëveshja e Brukselit-Ohrit nuk është ideale, por paraqet mundësinë më të mirë që Kosova e kishte qe 15 vjet të pavarësisë për të ecur përpara nga izolimi.

Nuk ka kuptim të debatojmë obligimet e zbatimit të vetëmenaxhimit apo Asociacionit. E vetmja pyetje është se si të bëhet më së miri kjo. Është kritike për shqiptarët e Kosovës që t’i kuptojnë këto gjëra:

-Serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë të Kosovës;

-Minoriteteve në Ballkan ju duhet mbrojtje e veçantë. Liderët e Kosovës duhet të kujtohen se çfarë ndodhi në marsin e vitit 2004, me trazirat kundër serbëve. Ky ishte moment i turpshëm në historinë e fundit të Kosovës. Të gjithë patriotët e vërtetë të Kosovës duhet ta kujtojnë atë ditë si një moment turpi për Kosovën.

-Shqiptarët etnikë në Maqedoninë e Veriut kanë të drejta të veçanta. Shqiptarët etnikë në Serbi, Luginë të Preshevës, kanë nevojë për to. Tash për tash, është Kosova që duhet të lëvizë përpara në këtë sferë, në Asociacion/Vetëmenaxhim. Kosova do të jetë shtet më i suksesshëm e më i respektuar, sa më të integruar e të suksesshëm që janë serbët brenda shtetit.

Në fund, ShBA-ja dhe BE-ja e kanë një obligim të fundit për Kosovën sa i përket Asociacionit. Siç edhe kam shkruar, shkaku që Serbia ende nuk e ka njohur formalisht Kosovën, të ofrohet autonomi do të ishte gjë e nxituar. ShBA-ja dhe BE-ja duhet të garantojnë se asnjë qeveri e ardhshme e Serbisë nuk mund të kërkojë diçka më shumë nga Kosova se sa ‘çmimi’ për njohjen de jure. Beogradi dhe Prishtina duhet ta zbatojnë menjëherë Marrëveshjen e Brukselit-Ohrit, e më pas të shkojnë drejt njohjes reciproke.

Autonomia është çmimi që çdo shtet duhet ta paguajë për t’i dhënë fund separatizmit dhe ndarjes së territorit të saj. Veçanërisht meqë ishte Serbia ajo që hoqi autonominë e Kosovës (më 1989), Kosovës s’duhet t’i kërkohet të paguajë çmim shtesë.

Tash për tash, fokusi është te zbatimi i shpejtë i marrëveshjes së Brukselit-Ohrit.

Lajme të ngjashme