Joseph argumenton idenë e tij për ta zgjidhur problemin e Kosovës "brenda natës"
Profesori amerikan Edward P. Joseph ka folur sërish në lidhje me Propozimin Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duke e ofruar sërish pikëpamjen e tij se si mund të zgjidhej problemi i vendit tynë “brenda natës”.
Joseph foli për Observatorin për Ballkan në Fondacionin Jean-Jearues në lidhje me pikëpamjen e tij të shtruar edhe në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar në muajin janar të këtij viti.
Sipas tij, çështja në fakt është fare fare e thjeshtë.
“E bukura e kësaj është që zgjidhet fare lehtë. Problemi i Kosovës zgjidhet shumë thjeshtë. Nëse ne e bashkojmë NATO-n. Neve vetëm na duhet Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Spanja. Atëherë, problemi zgjidhet. Putini nuk do ta ketë më Serbinë si partner për ta destabilizuar Kosovën. Ai s’do ta ketë më mundësinë që ta përdor si narrativë,” – përsëriti profesori Joseph.
Por, si të bëhet e mundur që këto shtete ta njohin Kosovën?
Sipas tij, kjo çështje – folur figurshëm – mund të zgjidhej “brenda natës”.
“Mund ta zgjidhim (problemin e Kosovës) brenda natës. Si t’i bëjmë që ta ndryshojnë qëndrimin e tyre? Ato janë të frikësuara. Por, kush po nxit separatistët në Kataloni, ta zëmë? Është Rusia që po e bën këtë gjë.” – argumenton ai.
Profesori Joseph ka deklaruar se tashmë invazioni rus ia kishte dëshmuar edhe Ukrainës se duhej ta hiqte frikën që e kishte nga njohja e pavarësisë së Kosovës dhe përmendi deputetin Goncharenko që tash e shumë kohë po bënte fushatën e tij për ndryshimin e qëndrimit të shtetit të tij karshi pavarësisë së shtetit tonë.
“Vladimir Putin përfiton nga ndasia në Perëndim për Kosovën... Para shkurtit 2022, çështja e Kosovës ishte problem rajonal. Por, tash është ndryshe. Është një problem për krejt neve.” – theksoi tutje z. Joseph.
“Refuzimi i Ukrainës për të mos njohur Kosovën nuk ka bërë asgjë që ta ndalojë Rusinë.” – thotë ai derisa argumenton.
Në elaborimin e tij fare të thjeshtë ai u mor edhe me Propozimin Evropian, duke e quajtur një propozim në themele të plasaritura.
“I respektoj përpjekjet që BE-ja me ShBA-në po i bëjnë. Askush nuk është i keq, e nuk ka bërë diçka të gabuar. Por, fakti mbetet se i gjithë projekti, ky plani franko-gjerman, është i bazuar në themele të shtrembra. Pse? Për shkak të plasaritjeve brenda BE-së dhe NATO-s. Fakti është që këto katër/pesë shtetet nuk e njohin Kosovën, dhe ky është problem.” – thotë tutje ish-zëvendës-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë.
