"Lej targat ti": Propozimi i BE-së për zgjidhjen e tensioneve në veri erdhi me kërkesën për Asociacionin
Kryediplomati i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tashmë ka treguar se ka paraqitur një propozim për zgjidhjen e situatës së tensioneve të reja mes Kosovës dhe Serbisë. Çka dimë deri tash?
Borrell foli para fillimit të punimeve të Këshillit të Ministrave të BE-së, ku tha se çështja e Ballkanit Perëndimor do të ishte temë diskutimi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndërkohë, ndodhet në Vjenë të Austrisë ku po merr pjesë në një Forum Ekonomik. Ai po ligjëron për “menaxhimin e sfidave nën presionin e realitetit”.
Borrelli
“Kosova dhe Serbia më kanë mbajtur të zënë. Këtë fundjavë në Paris takova kryeministrin Kurti e presidentin Vuçiq. Jemi të pakënaqur në prag të një krize tjetër. Duhet të dalim nga pikëpamja e krizës dhe të kërkojmë një qasje drejt zgjidhjes. Ne kemi paraqitur një propozim, propozim që duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë.” – u shpreh z. Borrell.
Në lidhje me këtë propozim nuk ka pasur asnjë informacion nga ana e Qeverisë së Kosovës. Ndërkohë, sot një javë përfundon faza e qortimit dhe fillon faza e gjobitjes për qytetarët që vazhdojnë të mbajnë targa ilegale.
Por, Borrell tha edhe diçka tjetër që mund të ketë rëndësi në lidhje me debatet politike të kohëve të fundit në Kosovë.
“Më është dashur t’iu bëj thirrje të dyja palëve që të përmbushin zotimet e tyre dhe të respektojnë angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara për të cilën janë rënë dakord shumë vite më parë dhe unë jam duke kërkuar për një zgjidhje,” – u shpreh më tej ai.
Kjo është një mënyrë tjetër për të kërkuar zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Së fundi, kjo kërkesë është përsëritur në mënyrë më të shpeshtë edhe nga ana e ShBA-ve, me ambasadorin Jeff Hovenier që javën e kaluar e cilësoi si “kërkesë specifike e urgjente”.
Vetëvendosje
Vetëvendosje ndërkohë nuk po jep asnjë shenjë se mund të ofrojë ndonjë propozim në lidhje me Asociacionin.
Së fundi, zv. Kryesuesi i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Boiken Abazi u shpreh se “t’i imponosh Kosovën “Zajednicën” është t’i mohosh historinë dhe të ardhmen e saj.”
Kjo parti ka radikalizuar fjalën e saj ndaj Asociacionit kohët e fundit edhe përmes eksponentësh tjerë. Ndërkohë, ka publikuar edhe një videospot në të cilën pretendon se paraqet konsistencën e Kurtit, liderit të tyre, mbi këtë temë.
Videoja erdhi mu në kohën kur presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës është shtuar derisa një propozim besohet që është në diskutim e sipër, ai franko-gjerman.
Qeveria e Kosovës përmes kryeministrit Kurti e ka quajtur “hap në rrugën e duhur” atë propozim, përkundër që përmban detyrimin e kërkuar edhe nga Borrell për respektimin e marrëveshjeve të arritura deri tash, pra edhe atë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Lej targat ti,” – ishte fjalia e fundit që kryekuvendari Glauk Konjufca i tha në një intervistë gazetarit Adriatik Kelmendi. Prandaj, çështja e targave del të mos jetë vetëm për targa me deklaratat kohët e fundit që po e lidhin gjithnjë e më shumë me atë të Asociacionit.
Ambasadori Hovenier duhet kujtuar se gjatë shpalosjes së “kërkesave specifike e urgjente” të Amerikës, krahas shtyrjes së zbatimit për 10 muaj përmendi edhe Asociacionin.



