Largimi i kryetarëve të veriut me peticion dhe referendum mund të bëhet i rrezikshëm për Kosovën - NACIONALE

Largimi i kryetarëve të veriut me peticion dhe referendum mund të bëhet i rrezikshëm për Kosovën

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Kosova po e shtron rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve fillimisht duhet të largohen kryetarët aktual të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Pavarësisht gatishmërisë për këto zgjedhje, ende nuk është vendosur se cila duhet të jetë rruga për largimin e kryetarëve aktuale.

Presidentja dhe kryeministri kanë bërë me dije rruga më e mirë është ajo ligjore, e cila parasheh që kryetarët të largohen përmes një peticioni të nënshkruar nga njëzet për qind e votuesve të regjistruar.

Mirëpo, kjo rrugë po shihet si e rrezikshme nga opozita dhe njohësit e rrethanave politike në vend.

Ata kanë bërë me dije se kjo mënyrë e largimit të kryetarëve kërkon mbajtjen edhe të një referendumit, i cili me legjislacionin aktual nuk lejohet.

Miratimi i një ligji për referendumin, sipas tyre, mund të keqpërdoret në të ardhmen.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë për gazetën Nacionale se largimi i kryetarëve me peticion është rrugë e gabuar.

Personalisht e konsideroj gabim që të kërkohet rruga e peticionit të 20 për qind të atyre që janë në listën e votuesve, e cila i hap rrugë referendumit që do të duhej të kalonte me mbi 50 për qind të votuesve për shkarkimin e kryetarëve. Kjo për dy arsyeje, e para që nuk ka bazë ligjor të qartë. Sepse Kosova kurrë nuk e ka miratuar ligjin për referendumin. Dhe e dyta, nuk besoj që ne duhet ta krijojmë një traditë politike ku komunitet e caktuar etnike në Kosovë i arrijnë qëllimet e tyre politike përmes referendumit”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për gazetën Nacionale.

Ai ka thënë se mënyra më e mirë për hapjen e rrugës për zgjedhjet e reja është dorëheqja e kryetarëve.

Sepse nëse sot ua mundëson që me i shkarku kryetarët e zgjedhur me referendum, nesër mundesh me pritë edhe një kërkesë tjetër përmes referendumit, e cila mund të jetë shumë më problematike politikisht. Është thjesht një tendencë e me i ik problemit përsëri. Nëse e di që duhet me i bë këto zgjedhje, atëherë e kemi opsionin e dorëheqjes. Por, ajo nuk mund të realizohet pa e pasur një qartësi se çka ndodh pas dorëheqjes”, ka thënë Krasniqi

Edhe politologu Avdi Smajljaj mendona se peticioni dhe referendumi nuk janë rruga e duhur për largimin e kryetarëve.

Mendoj se mënyra me praktike për t`i hapur rrugë zgjedhjeve në këto komuna do të ishte dhënia e dorëheqjes së kryetarëve aktual. Peticioni është paraparë me ligj si instrument demokratik, nder të tjera, kur qytetarët nuk janë të kënaqur me qeverisjet lokale. Ndërsa referendumi do të mund të përdorej pastaj për veprime demokratike që bien ndesh me interesat shtetërore të vendit, marrë parasysh specifikat e kontekstit tonë”, ka thënë Smajljaj për gazetën Nacionale.

Sipas tij, në këtë rast duhet të zgjidhet rruga më praktike.

Pra, dorëheqja do të ishte zgjidhja me praktike, do të përmbushte kërkesat ligjore, edhe pse politikisht do të reflektonte rezultate jo të mira politike të qeverise në zhvillimet e fundit në këto komuna”, është shprehur Smajlaj.

Problemet tjera që i sjell rruga e peticionit

Rruga e largimit të kryetarëve të veriut përmes peticionit mund të sjell edhe probleme tjera. Sipas njohësve të kësaj çështje, kjo rrugë mund të jetë komplekse edhe na aspektin ligjor.

Bekim Salihu nga Instituti GAP ka bërë me dije se rruga që po përmendet nga liderët institucionalë nuk është aq e lehtë sa po mendojnë ata.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka përmendur problemet e peticionit.

Nuk është siç po thonë krerët e institucioneve që një peticion prej 20% e votusëve mundëson shkarkimin e kryetarëve në veri. 20% e listës votuse të regjistruar thotë Ligji, jo 20% e votusëve që e kanë votuar kryetarin. Nëse është kështu kryetarët shqiptar në veri janë zgjedhur me ka 100 vota, 20 persona që kanë votuar mund të nënshkruhen për ta shkarkuar”, ka shkruar ai.

Ai ka treguar se procesi i shkarkimit të kryetarëve në këtë mënyrë do të mund të përfundonte në gjykata.

Ideja që kryetarët aktual në veri të shkarkohen përmes peticionit nuk është e qëlluar dhe mund të kontestohet shkarkimi i tyre nga ta në procedurë gjyqësore. Për disa arsyje: E para: Kosova nuk ka ligj për peticione. E dyta: Kush (cili institucion) e verifikon saktësin e një peticioni. E treta: Kush e inicon dhe kush e administron peticionin. E katërta: Nuk kërkohet peticion nga qytetarët, por vetëm nga trupi elektoral. Gjetja e vetëm një rasti në peticion që dikush ka nënshkruar pa qenë në listen komunale të votimit e bënë jo kredibil krejt procesin e peticionit”, ka shkruar ai duke shtuar se nuk kërkohet një peticion për këtë proces, por katër peticione.

Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, krerët institucional po insistojnë në largimin e kryetarëve përmes rrugës së peticionit.

Ligji për Vetëqeverisje Lokale specifikon mënyrën e largimit të kryetarëve të komunave.

Në nenin 72 të këtij ligji tregohet se si mund të bëhet kjo me një iniciativë të qytetarëve.

72.1 Qytetarët e komunës mund të ndërmarrin iniciativë për largimin e kryetarit të komunës. 72.2 Kërkesa e tillë duhet të nënshkruhet nga njëzet (20) për qind e votuesëve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit. 72.3 Nëse shumica e votuesëve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet”, thuhet në nenin 72 të këtij ligji.

Zgjedhja e kryetarëve të rinj dhe dërgimi i tyre në objektet komunave ka nxitur tensione në pjesën veriore të vendit. Për këtë veprim, Kosova është kritikuar ashpër nga SHBA-ja dhe BE-ja. Refuzimi i Kosovës për të pranuar planin e BE-së për deeskalimin e situatës në veri, ka çuar në vendosjen e masave ndëshkuese për Kosovën nga ana e BE-së. Më 11 korrik, Kosova është pajtuar me kushtet e BE-së për deeskalimin e situatës.

Lajme të ngjashme