Gjykatat reduktojnë punën pas uljes së pagave, punohet vetëm për “raste urgjente” - NACIONALE

Gjykatat reduktojnë punën pas uljes së pagave, punohet vetëm për “raste urgjente”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave, ku janë marrë disa vendime, mes tyre edhe reduktimi i punës së gjykatave. Në mbledhjen e mëngjesit të së mërkures, Qeveria e Kosovës i ka kthyer pagat e gjyqtarëve, prokurorëve dhe tërë sistemit të drejtësisë ashtu siç ishin para vitit 2017.

Në një konferencë për media, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj tha se KGJK-ja i kërkon Qeverisë që ta anulojë menjëherë vendimin e marrë në mbledhjen e sotme.

“Në mbledhjen e jashtëzakonshme ka marrë vendim që KGJK-ja, dhe kryetarët e Gjykatave kërkojnë që menjëherë të anulojë vendimin. Puna e gjykatave, reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm për shërbime esenciale. Lista e shërbimeve esenciale do të miratohet në takimin e datës 24 nëntor 2022, pra nesër”, ka thënë Zogaj.

Veç kësaj, ai ka bërë të ditur se KGJK-ja dhe gjykatat kanë pezulluar bashkëpunimin në çdo aktivitet ku pjesëmarrës dhe prezentë janë përfaqësuesit e Qeverisë.

Po ashtu, Zogaj ka deklaruar se nëse nuk shfuqizohet vendimi, deri më datën 8 dhjetor do të vendoset për masa të tjera.

“KGJK-ja dhe gjykatat pezullojnë bashkëpunimin në çdo aktivitet të organizuar apo ku janë prezentë përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës. Nëse Qeveria nuk shfuqizon vendimin, KGJk-ja më datën 8 dhjetor, do të vendosë për masa të tjera, ky vendim hyn në fuqi sot”, ka thënë ai.

Çka vendosi Qeveria Kurti?

Sipas vendimit të sotëm të Qeverisë që drejtohet nga Albin Kurti, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen sikur para vitit 2017.

Pikërisht në atë vit, Qeveria e drejtuar atë kohë nga Ramush Haradinaj, kishte vendosur për rritjen e pagës së kryeministrit, që automatikisht preku edhe sistemin e drejtësisë.

Kurti në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, tha se vendimi i Qeverisë së kaluar ishte i paligjshëm.

"Vendimin e marrë paligjshëm dhe në konflikt interesi të qeverisë së Kosovës së kaluar të vitit 2017 për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar... Për të sjellë ligjshmërinë plotësuam dhe ndryshuam vendimin e datës 12 shkurt 2020, me këtë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës të hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, ka thënë ai.

Paga më e lartë nga paga më e ulët është 1 me 4.78 dallimi, më pak se pesë euro, nga 20 herë që është dallimi”, ka thënë ai duke përsëritur se kanë rregulluar dallimin e madh mes pagave.

Sidoqoftë, siç ka raportuar gazeta Nacionale pasditen e së mërkurës, Gjykata Kushtetuese në vitin 2018 nuk kishte gjetur ndonjë shkelje në vendimin e Qeverisë Haradinaj.

“Pas shqyrtimit të pretendimeve dhe të argumenteve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata Kushtetuese theksoi: (i) nuk është dëshmuar se vendimi për rritjen e pagave përbën çështje të nivelit kushtetues; (ii) bazuar në argumentet e paraqitura, nuk rezulton se Kuvendit i është cenuar apo pamundësuar ushtrimi i kompetencave të tij kushtetuese për miratimin dhe zbatimin e buxhetit shtetëror; (iii) për sa i përket konfliktit të interesit se nuk është brenda funksionit të Gjykatës që të vlerësojë pretendimet për shpërputhjen e vendimit të kontestuar me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, sepse ajo çështje bie nën juridiksionin e organeve të tjera të përcaktuara me Kushtetutë; dhe (iv) për sa i përket shkeljeve të neneve 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës, parashtruesit nuk kanë paraqitur fakte bindëse se pagat e parapara në Vendimin e kontestuar trajtojnë ndryshe pozita ose situata të ngjashme dhe nëse ky ndryshim në trajtim nuk ka ndonjë justifikim objektiv dhe të arsyeshëm”, thuhej në vendimin e saj.

Sa u ulën rrogat?

Një shifër e përafërt që do të paguhen më pak gjyqtarët e prokurorët, është 1 mijë euro. Kjo varësisht nga departamenti ku ata punojnë. Ulja e pagave për gjyqtarët e prokurorët, erdhi pikërisht në ditën kur Qeveria miratoi Ligjin e Pagave.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ditë më parë kishte thënë në intervistë për Nacionalen se Ligji për Paga është në kundërshtim me kushtetutën.

Edhe sipas këtij Ligji, është planifikuar ulje e pagave në sistemin e drejtësisë për gati 40%.

Ajo që mund të konstatohet qysh në fillim, është se gjyqtarëve e prokurorëve paga do t’u ulet për së paku 1 mijë euro në muaj.

Gazeta Nacionale ka marrë një rast krahasimi të një gjyqtari dhe të një prokurori për ta krahasuar deklarimin e pasurisë që ata e kanë bërë para rritjes së pagave nga Qeveria Haradinaj dhe sa janë paguar pas këtij vendimi.

Një gjyqtar i gjykatës në vitin 2017 paguhej në vlerën NETO 1 mijë e 30 euro. Kurse, pas rritjes së pagës nga Haradinaj, e cila i preku edhe gjyqtarët e prokurorët, gjyqtarët paguheshin NETO 2 mijë e 129 euro. Pra, që nga sot e tutje, gjyqtarët do të paguhen 1 mijë euro më pak se kur paguheshin në 4 vitet e kaluara.

Një lëvizje pak a shumë e ngjashme është edhe në sistemin prokurorial. Nacionale ka marrë si rast krahasimi një prokuror që është paguar në vitin 2017. Paga vjetore e tij ka qenë 15 mijë euro. E pas rritjes së pagave nga Haradinaj, ai është paguar 25 mijë euro. Pra, në një lëvizje të tillë, ulja do të jetë rreth 10 mijë euro më pak në vit për prokurorët e zakonshëm.

Në këtë rast, do të preken edhe pagat e kryetarëve të gjykatave, kryeprokurorëve dhe udhëheqësve tjerë të sistemit të drejtësisë.

Deri më tash, kryetari i Gjykatës Supreme paguhej 2 mijë e 950 euro, kurse gjykatësit e Supremes 2 mijë e 655 euro. Kryetari i Apelit deri më tash paguhej 2 mijë e 655 euro.

Kryeprokurori i Shtetit paguhej 2 mijë e 655 euro, kurse Kryeprokurori i Speciales 2 mijë e 802 euro. Pagë prej 2.389 eurosh merrnin edhe kryeprokurorët e prokurorive themelore, derisa prokurorët e këtyre prokurorive paguheshin 1.672 euro.

Lajme të ngjashme