Në vitin 2020 Kurti e uli rrogën e tij, por jo të gjyqtarëve e prokurorëve – Pse ua zvogëloi tash?
Në kohën kur e fitoi mandatin për herën e parë, kryeministri Albin Kurti në një nga mbledhjet e para të qeverisë, vendosi t’ia ulte pagën vetes. Kjo pasi kryeministri para tij, Ramush Haradinaj, e kishte rritur atë në mbi 2 mijë e 500 euro.
Megjithatë, në mbledhjen e mbajtur më 12 shkurt 2020, Kurti nuk i kishte prekur rrogat e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, të cilat ishin rritur nga Ramush Haradinaj me të njëjtin vendim. Kurti kishte deklaruar se pagat në sistemin e drejtësisë nuk preken.
“Propozoj që të shfuqizohet vendimi i Qeverisë me të cilin janë përcaktuar pagat për nivele të ndryshme. Ato kthehen në lartësinë e mëparshme. Ky vendim nuk ka efekt në uljen e pagave në sistemin e drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese”, kishte deklaruar kryeministri Kurti në atë kohë.
Kështu, vetë kryeministri, ministri e zv/ministrat do të paguheshin më pak, por gjyqtarët e prokurorët do të vazhdonin të paguheshin me rreth 1 mijë euro më shumë, sa që merrnin në vitin 2017.
Megjithatë, situata ndryshoi më shumë se dy vjet e gjysmë pas atij zhvillimi. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, u vendos që pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të kthehen para vitit 2017.
“Për të sjellë ligjshmërinë plotësuam dhe ndryshuam vendimin e datës 12 shkurt 2020, me këtë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës të hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, deklaroi kryeministri Kurti në mbledhjen e qeverisë.
Pas mbledhjes së qeverisë, Kurti vendimin për rritjen e pagave e kishte vlerësuar si të paligjshëm.
"Vendimin e marrë paligjshëm dhe në konflikt interesi të qeverisë së Kosovës së kaluar të vitit 2017 për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar... Për të sjellë ligjshmërinë plotësuam dhe ndryshuam vendimin e datës 12 shkurt 2020, me këtë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës të hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”, theksoi Kurti.
Pra, për 2 vjet, qeveria uli pagat e kryeministrit e ministrave, dhe të gjyqtarëve e prokurorëve.
Sa u ulën rrogat, dhe pse tash?
Një shifër e përafërt që do të paguhen më pak gjyqtarët e prokurorët, është 1 mijë euro. Kjo varësisht nga departamenti ku ata punojnë. Ulja e pagave për gjyqtarët e prokurorët, erdhi pikërisht në ditën kur Qeveria miratoi Ligjin e Pagave.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ditë më parë kishte thënë në intervistë për Nacionalen se Ligji për Paga është në kundërshtim me kushtetutën.
Edhe sipas këtij Ligji, është planifikuar ulje e pagave në sistemin e drejtësisë për gati 40%.
Ajo që mund të konstatohet qysh në fillim, është se gjyqtarëve e prokurorëve paga do t’u ulet për së paku 1 mijë euro në muaj.
Gazeta Nacionale ka marrë një rast krahasimi të një gjyqtari dhe të një prokurori për ta krahasuar deklarimin e pasurisë që ata e kanë bërë para rritjes së pagave nga Qeveria Haradinaj dhe sa janë paguar pas këtij vendimi.
Një gjyqtar i gjykatës në vitin 2017 paguhej në vlerën NETO 1 mijë e 30 euro. Kurse, pas rritjes së pagës nga Haradinaj, e cila i preku edhe gjyqtarët e prokurorët, gjyqtarët paguheshin NETO 2 mijë e 129 euro. Pra, që nga sot e tutje, gjyqtarët do të paguhen 1 mijë euro më pak se kur paguheshin në 4 vitet e kaluara.
Një lëvizje pak a shumë e ngjashme është edhe në sistemin prokurorial. Nacionale ka marrë si rast krahasimi një prokuror që është paguar në vitin 2017. Paga vjetore e tij ka qenë 15 mijë euro. E pas rritjes së pagave nga Haradinaj, ai është paguar 25 mijë euro. Pra, në një lëvizje të tillë, ulja do të jetë rreth 10 mijë euro më pak në vit për prokurorët e zakonshëm.
Në këtë rast, do të preken edhe pagat e kryetarëve të gjykatave, kryeprokurorëve dhe udhëheqësve tjerë të sistemit të drejtësisë.
Deri më tash, kryetari i Gjykatës Supreme paguhej 2 mijë e 950 euro, kurse gjykatësit e Supremes 2 mijë e 655 euro. Kryetari i Apelit deri më tash paguhej 2 mijë e 655 euro.
Kryeprokurori i Shtetit paguhej 2 mijë e 655 euro, kurse Kryeprokurori i Speciales 2 mijë e 802 euro. Pagë prej 2.389 eurosh merrnin edhe kryeprokurorët e prokurorive themelore, derisa prokurorët e këtyre prokurorive paguheshin 1.672 euro.
Shumë reagime
Me t’u zyrtarizuar ky vendim, kanë nisur reagime të ashpra. Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, njëherësh ai që kishte rritur pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, ka thënë se Kurti po e shkatërron shtetin.
“Me vendimin e qeverisë që të shfuqizohet vendimi im për rritjen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, nga sot drejtësia do të punojë me paga të përgjysmuara. Prokurorët dhe Gjyqtarët që çdo ditë mbrojnë shtetin dhe drejtësinë, sot janë goditur nga Kryeministri i shkatërrimit. Ftoj Kurtin që menjëherë të kthejë pagat e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë sepse përndryshe mund të shkatërrohet nga brenda njëri prej segmenteve më të rëndësishëm të një shteti, drejtësia”, shkroi Haradinaj.
Një reagim e pati edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
“Prokurori që po merret me rastin ''Brezovica'' nga sot me vendim të Qeverisë paguhet rreth 1 mijë euro më pak. Mos të harrojmë inflacionin!”, ka shkruar Bajrami në rrjete sociale.
Vendimin e kundërshtuan edhe organizatat joqeveritare. Në një reagim të gjatë për media, shoqëria civile vlerësoi se në këtë formë, rritet mundësia për korrupsion.
“Nisur nga fakti se, siç u tha, gjyqtarët dhe prokurorët tanimë kanë krijuar pritje legjitime për pagat e tyre, të cilat pritje janë manifestuar edhe në kuptim të hyrjes së tyre në obligime financiare, ky vendim i Qeverisë tanimë ngrit potencialin korruptiv në sistemin e drejtësisë. Për arsyet si më lartë, Organizatat e Shoqërisë Civile, i kërkojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës që urgjentisht ta anulojnë vendimin e sotëm për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në reagim.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës në anën tjetër, ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme pas këtij vendimi.