Rreth 1 mijë euro më pak – Sa ishin dhe sa i zvogëloi qeveria rrogat e gjyqtarëve dhe prokurorëve? - NACIONALE

Rreth 1 mijë euro më pak – Sa ishin dhe sa i zvogëloi qeveria rrogat e gjyqtarëve dhe prokurorëve?

1 vit më parë

nga Besian Beha

Qeveria e Kosovës, me vendim, i ka kthyer pagat e gjyqtarëve, prokurorëve dhe tërë sistemit të drejtësisë ashtu siç ishin para vitit 2017. Kjo, bazuar në rrogat që ata i kanë marrë deri më tash, do të thotë ulje për rreth 1 mijë euro të pagës së gjyqtarëve e prokurorëve. Nacionale sjell hollësi.

Pagat e gjyqtarëve e prokurorëve edhe sot u bënë temë diskutimi në mbledhjen e qeverisë. Dikur ato ishin ngritur, pas rritjes së pagës së vet nga ish-kryeministri Haradinaj, kurse sot u kthyen ashtu siç kanë qenë para vitit 2017.

Kryeministri Kurti, në fjalën e tij para qeverisë, tha se pagat e gjyqtarëve e prokurorëve do të kthehen siç ishin në të kaluarën.

“… me këtë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm, pra para datës së hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar”- tha kryeministri Kurti.

Qeveria Haradinaj në fund të vitit 2017 kishte marrë vendim për rritjen e pagës të kryeministrit të asaj kohe, Ramush Haradinaj, e cila e preku automatikisht edhe sistemin e drejtësisë. Më pas, në kohën e Qeverisë Kurti 1, ishte marrë vendim që paga e kryeministrit të zbritej, por ato të drejtësisë nuk u prekën.

Sa paguhej një gjyqtar, sa do të paguhet tash?

Ajo që mund të konstatohet qysh në fillim, është se gjyqtarëve e prokurorëve paga do t’u ulet për së paku 1 mijë euro në muaj.

Gazeta Nacionale ka marrë një rast krahasimi të një gjyqtari dhe të një prokurori për ta krahasuar deklarimin e pasurisë që ata e kanë bërë para rritjes së pagave nga Qeveria Haradinaj dhe sa janë paguar pas këtij vendimi.

Një gjyqtar i gjykatës në vitin 2017 paguhej në vlerën NETO 1 mijë e 30 euro. Kurse, pas rritjes së pagës nga Haradinaj, e cila i preku edhe gjyqtarët e prokurorët, gjyqtarët paguheshin NETO 2 mijë e 129 euro. Pra, që nga sot e tutje, gjyqtarët do të paguhen 1 mijë euro më pak se kur paguheshin në 4 vitet e kaluara.

Një lëvizje pak a shumë e ngjashme është edhe në sistemin prokurorial. Nacionale ka marrë si rast krahasimi një prokuror që është paguar në vitin 2017. Paga vjetore e tij ka qenë 15 mijë euro. E pas rritjes së pagave nga Haradinaj, ai është paguar 25 mijë euro. Pra, në një lëvizje të tillë, ulja do të jetë rreth 10 mijë euro më pak në vit për prokurorët e zakonshëm.

Në këtë rast, do të preken edhe pagat e kryetarëve të gjykatave, kryeprokurorëve dhe udhëheqësve tjerë të sistemit të drejtësisë.

Deri më tash, kryetari i Gjykatës Supreme paguhej 2 mijë e 950 euro, kurse gjykatësit e Supremes 2 mijë e 655 euro. Kryetari i Apelit deri më tash paguhej 2 mijë e 655 euro.

Kryeprokurori i Shtetit paguhej 2 mijë e 655 euro, kurse Kryeprokurori i Speciales 2 mijë e 802 euro. Pagë prej 2.389 eurosh merrnin edhe kryeprokurorët e prokurorive themelore, derisa prokurorët e këtyre prokurorive paguheshin 1.672 euro.

Gazeta Nacionale për këtë temë është në pritje të përgjigjeve nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial.

Ligji i Pagave

Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve parashihet edhe me Ligjin e Pagave. Edhe pse nuk dihet saktë vlera e koeficientit, pagat e gjyqtarit e prokurorit parashihet se do të jenë rreth 1 mijë e 300 euro. Edhe kjo, ulje e madhe e pagës, krahasuar me atë që e merrnin deri tash.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, kohë më parë, në një intervistë për gazetën Nacionale, kishte thënë se ulja e pagave për gjyqtarët është e papranueshme. Zogaj deklaroi se Ligji për Paga është kundërkushtetues.

“Pavarësia e gjyqësorit duhet të shikohet në këtë këndvështrim. Të gjithë e kanë qëndrim që paga e gjyqtarëve duhet të jetë e dinjitetshme që të mos ketë asnjë lloj luhatje të pozicionit të integritetit për shkak të pagës. Nëse do të kemi zbritje prej 40%, do të kemi më pak konkurrencë për pozitat e reja në gjyqësor dhe do të dëmtohet cilësia, sepse kemi pasur konkurence të jashtëzakonshme. Do të kemi largime nga gjyqësori. Njerëzit kanë përgjegjësi e obligime. Nëse ka ulje drastike, detyrohen me u largu dhe nuk përjashtohet mundësia e korrupsionit”- deklaroi më tutje Albert Zogaj për Nacionalen.

“Është e njohur, aboslutisht. Vetëm nëse Gjykata Kushtetuese e ndryshon standardin e kjo nuk mund të ndodhë, kjo nuk e kalon filtrin e Gjykatës Kushtetuese, sepse është krejtësisht ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Të gjitha institucionet janë të gatshme me kundërshtu këtë ligj në Kushtetuese, këtë do ta bëjmë edhe ne”- deklaroi kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Reagime të ashpra

Menjëherë pas zyrtarizimit të vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës për kthimin e pagave sikur në vitin 2017, ka pasur reagime të ashpra.

Betim Musliu nga IKD-ja e ka vlerësuar këtë vendim si skandaloz.

“Vendimi i fundit i Qeverisë Kurti është vendim skandaloz që e shkatërron sistemin e drejtësisë - edhe ashtu të lodhtë, është vendim që e shkatërron sigurinë juridike, është vendim që perfundimisht e legalizon korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Eh tash kreditë e një pjese të gjykatesve dhe prokurorëve paramendone qysh kanë mu pagu?! Tmerr!”- ka shkruar Musliu.

Reagim të ashpër pati edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Një jurist me njohuri elementare e di se vendimi i Kryeministrit per uljen e pagave për gjykatës dhe prokurorë është i kundërligjshëm. Ky vendim nuk ka me gjetë zbatim. Nuk mundet mu zbatu një vendim i kundërligjshëm. Më vjen keq për Kryeministrin Kurti, për nivelin e njerëzve që e këshillojnë në çeshtje të drejtësisë. Këta nuk ia dojnë të mirën Kryeministrit. Të njëjtit nuk duhet me vënë në situata të tilla Kryeministrin”- ka shkruar Miftaraj.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar Ligji për Paga dhe ai për Zyrtarët Publikë.

Lajme të ngjashme