Rritja e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve nga Haradinaj, Gjykata Kushtetuese nuk kishte gjetur shkelje - NACIONALE

Rritja e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve nga Haradinaj, Gjykata Kushtetuese nuk kishte gjetur shkelje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ulja e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve është kthyer sërish në temë kryesore në Kosovë.

Qeveria sot vendosi t’i kthejë këto paga ashtu siç kanë qenë në vitin 2017, para se të rriteshin nga ish-kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Kurti sot vendimin për rritjen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve e kishte quajtuar si të paligjshëm. Në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, ai madje deklaroi se kishte pasur edhe konflikt të interesit.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese në vitin 2018 nuk kishte gjetur ndonjë shkelje në vendimin e Qeverisë Haradinaj.

“Pas shqyrtimit të pretendimeve dhe të argumenteve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata Kushtetuese theksoi: (i) nuk është dëshmuar se vendimi për rritjen e pagave përbën çështje të nivelit kushtetues; (ii) bazuar në argumentet e paraqitura, nuk rezulton se Kuvendit i është cenuar apo pamundësuar ushtrimi i kompetencave të tij kushtetuese për miratimin dhe zbatimin e buxhetit shtetëror; (iii) për sa i përket konfliktit të interesit se nuk është brenda funksionit të Gjykatës që të vlerësojë pretendimet për shpërputhjen e vendimit të kontestuar me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, sepse ajo çështje bie nën juridiksionin e organeve të tjera të përcaktuara me Kushtetutë; dhe (iv) për sa i përket shkeljeve të neneve 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës, parashtruesit nuk kanë paraqitur fakte bindëse se pagat e parapara në Vendimin e kontestuar trajtojnë ndryshe pozita ose situata të ngjashme dhe nëse ky ndryshim në trajtim nuk ka ndonjë justifikim objektiv dhe të arsyeshëm”, thuhej në vendimin e saj.

Ndryshe, pas dërgimit të lëndës në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më 31 janar 2018 përkohësisht ishte tërhequr nga vendimi për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar.

Lajme të ngjashme