Kurtin e mori “malli” për opozitën, por a do t'i përgjigjen ftesës PDK, LDK e AAK?
I dërguari i BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, dhe Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, erdhën e shkuan nga Prishtina, ku takuan kryeministrin, presidenten, e partitë opozitare. Por, kryeministri Albin Kurti ende nuk ka njoftuar opozitën për atë se çfarë u bisedua më 18 gusht, ndonëse tha se do t’i takojë gjatë gushtit për të folur rreth dialogut e shumëçka tjetër.
Madje, shefi i ekzekutivit tregoi se e ka marrë malli për opozitën.
“E pashë dje që përveç meje edhe Escobarin e kishte marrë malli për opozitën, edhe mua më ka marrë malli për opozitën”, u shpreh Kurti në konferencën për media pas takimit me Escobar dhe Lajçak.
Por, partitë opozitare thonë se s’kanë pranuar ende asnjë ftesë, por paralajmërojnë se do ta shqyrtojnë takimin me Kurtin kurdo që ai i fton.
“Ftesë në studio”
Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar një takim me krerët e opozitës kosovare, të cilët ka kohë që nuk i ka takuar.
Në një konferencë për media të mërkurën që shkoi, shefi i ekzekutivit theksoi se është mirë të takohet me opozitën.
“Është mirë të takohemi, jo vetëm për këtë çështje, por edhe të tjera, andaj mund ta konfirmoj që do të ketë ftesë për takim me liderët opozitarë në një kohë të përshtatshme, edhe për ata, gjatë muajit gusht”, deklaroi Kurti në konferencë.
Por, një ftesë e tillë ende nuk ka shkuar në adresë të partive opozitare.
Faton Abdullahu, zëdhëns i PDK-së, e ka konfirmuar për gazetën Nacionale se ende nuk ka pranuar ndonjë ftesë për takim me Kurtin.
Megjithatë, kurdo që shkon ftesa për “takim në studion” e Kurtit, Partia Demokratike e Kosovës do ta shqyrtojë një kërkesë të tillë.
“Nuk kemi qëndrim për këtë. Nëse do të këtë një ftesë të tillë, do ta shqyrtojmë arsyeshmerinë e saj”, tha Abdullahu.
Ndërsa, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, ka theksuar nevojën e një konsultimi të mirëfilltë pozitë-opozitë, duke mos treguar nëse do të shkojnë në takim.
“Konsiderojmë se një dialog i mirëfillte pozitë-opozite në çdo kohë është më së i nevojshëm për Kosovën por, jo vetëm në kohë krizash apo atëherë kur paraqitet nevoja”, deklaroi Mjekiqi.
E ftesë nuk ka pranuar ende as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që udhëhiqet nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
“Nuk kemi pranuar asnjë ftesë nga Kurti, por nëse do të kemi një të tillë do ta shqyrtojmë pjesëmarrjen. Zakonisht AAK nuk ka refuzuar takimet me pushtetin kur ka qenë në pyetje interesi nacional dhe mirëqenia e qytetarëve”, tha Lulëzim Blaka, zëdhënës i AAK-së.
Qeveri jotransparente
Partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për jotransparencë ndaj qytetarëve dhe partive opozitare sa i përketë dialogut.
Zyrtarja e lartë e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, tha se Qeveria nuk është aspak transparente rreth dialogut.
“Ne kemi deklaruar edhe më herët që Qeveria nuk është aspak transparente në raport me qytetarët dhe as partitë patlamentare lidhur me procesin e dialogut”, tha ajo.
Edhe AAK është në një vijë me LDK-në sa i përket transparencës së Qeverisë rreth dialogut.
Zëdhenësi i AAK-së, Lulëzim Blaka, tha se kryeministri Kurti është i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe opozitës.
“Sa i përket transparencës së Kurtit për dialogun, kemi të bëjmë me një kryeministër të papërgjegjshëm dhe jotransparent. Edhe për këtë proces të rëndësishëm ai nuk e sheh të nevojshme të informojë opozitën, por as Kuvendin e as qytetarët”, tha zëdhënësi i AAK-së për Nacionalen.
Edhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, dje në një deklarim për Nacionale, theksoi se kryeministri Kurti po dialogon pa vizion, pa platfomrë dhe pa parime.
Nënkryetari i Kuvendit nga PDK theksoi se dialogu tash po bëhet për të menaxhuar krizat, gjë që është në interes të Serbisë, gjersa qasja e Kurtit, sipas Hoxhajt, po e izolon Kosovën.
“Kryeministri Kurti dikur thoshte që Kosova duhet të jetë palë e barabartë në tavolinë, dhe jo në meny, por ai tashmë e ka bërë Kosovën temë në menynë e menaxhimit të krizave ndërkombëtare! Kjo është pasojë kur negociohet pa vizion, pa platformë, pa parime dhe pa qëllime”, tha ai.


