Mustafa i LDK-së i reagon Kurtit: Nëse e ka marrë malli për të na njoftuar për dialogun, e di ai si ecë procesi
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, është përgjigjur ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili sot deklaroi se “e ka marrë malli për opozitën”.
Mustafa në RTV Dukagjini, ka deklaruar se nëse kryeministrin e ka marrë malli që ta njoftojë opozitën për dialogun, ai e di se si shkon ky proces.
“Nuk e kuptova në çfarë forme e tha se e ka marrë malli, ne po e bëjmë opozitën vazhdimisht, nëse e ka marrë malli për të na njoftuar për mbarvajtjen e procesit dialogues, besoj se ai e di si ecë procesi, ai e di se duhet t’i njoftojë opozitën në mungesë të Kuvendit për momentin. Për çfarëdo malli tjetër, ndoshta do të duhej të deklarohej Kurti”, ka thënë ai.
Mustafa mes tjerash ka deklaruar se nëse Kurti nuk ka dashur të mbajë takim me opozitën, ka mundur t’u raportojë me shkrim rreth takimit të 18 gushtit, që e pati me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ndërkaq, kryeministri Kurti sot në një konferencë për media, u pyet edhe nëse do ta takojë opozitën, njëjtë siç bëri i dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar.
“Është e vërtetë që unë s’e kam takuar opozitën, prej që Kuvendi ka shkuar në pushim veror. E pash dje që përvec meje edhe z.Gabriel Escobar e kishte marrë malli për opozitën. Edhe mua më ka marrë malli për opozitën. Dhe do ta pyes z. Escobar se qysh ka kalu me opozitën, si është opozita si e kemi opozitën”, ka thënë ai.