"Kurti ka kërkuar që të nënshkruhet, Vuçiqi ka propozim të ri", raportohet për "ngërç" në Ohër për shkak të nënshkrimit - NACIONALE

"Kurti ka kërkuar që të nënshkruhet, Vuçiqi ka propozim të ri", raportohet për "ngërç" në Ohër për shkak të nënshkrimit

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, po raportohet se po vazhdon ende, megjithatë, palët kanë shkuar në pauzë dhe i kanë ndërprerë bisedimet përkohësisht. Në fokus të takimit është finalizimi i Aneksit Zbatues të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Takimet e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, nisën në orën 10:30. Fillimisht Kurti dhe Vuçiq zhvilluan takime të ndara me ndërmjetësuesit evropianë në lidhje me normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve. Shefi i diplomacisë së BE-së bashkë me emisarin Lajçak janë duke ndërmjetësuar takimin Kurti-Vuçiq në Ohër, ndërsa pritet të kuptohet nëse dy palët kanë arritur të merren vesh diçka.

Megjithëse bisedimet kanë zgjatur më shumë se 10 orë, nuk ka informacione zyrtare nëse palët kanë arritur ndonjë marrëveshje në lidhje me planin e zbatimit të marrëveshjes. Siç raporton REL, takimi është ndërprerë përkohësisht dhe palët kanë shkuar në pauzë për t'u rikthyer sërish në bisedime.

Lidhur me takimin e Ohrit, gazetari Baton Haxhiu ka dhënë disa detaje të reja, duke thënë se një nga çështjet ku kanë ngecur palët është nënshkrimi i dokumentit. Sipas Haxhiut, Kurti po kërkon që nënshkrimi të bëhet sot, që të zyrtarizohet dokumenti, ndërsa Aleksandër Vuçiq ka dalë me një propozim të ri.

Presidenti serb ka kërkuar që nënshkrimin ta bëjë Bashkimi Evropian si garantues i marrëveshjes për të dy palët.

“Nënshkrimi është bërë mollë sherri sot. Kurti kërkon nënshkrimin sepse do ta zyrtarizojë dokumentin. Por Vuçiq ka dalë me propozim, propozimi i cili është që pala lehtësuese e negociatave të jetë ajo që nënshkruan si garanci të dy palëve, që garanton për të gjithë procesin.” – ka thënë Haxhiu në T7.

Edhe analisti Agon Maliqi ka thënë se ngecja në takimin e Ohrit lidhet me nënshkrimin e dokumentit. Sipas tij, pala kosovare po kërkon që të ketë nënshkrimin e të dyja palëve, ndërsa ajo serbe kërkon që dokumenti të jetë pa nënshkrim, por si dokument i BE-së.

Maliqi vlerëson se nëse nuk ka nënshkrim, atëherë nuk mund të quhet diçka marrëveshje. Ndërkaq, palët kanë rënë dakord për përmbajtjen e marrëveshjes, por nuk kanë arritur të gjejnë një marrëveshje për nënshkrimin e dokumentit.

"Mbajtja në Ohër thuhet se ka të bëjë me nënshkrimet. Palët bien dakord për përmbajtjen e marrëveshjes, por Kosova dëshiron që ajo të nënshkruhet nga të dyja palët. Serbia preferon të qëndrojë si një dokument i BE-së, të cilin do ta përdorte për t'i mbajtur palët përgjegjëse. Si mund të quhet diçka marrëveshje nëse nuk është nënshkruar?" - ka shkruar Maliqi.

Krerët e shtetit kosovar dhe atij serb po takohen me ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE-së për të diskutuar zbatimin e një plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Zyrtarët perëndimorë shpresojnë për përparim këtë të shtunë në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE midis Serbisë dhe liderëve të Kosovës, në një përpjekje të re për të lehtësuar tensionet dekadash.

Liderët shtetërorë të Kosovës dhe Serbisë ranë dakord paraprakisht muajin e kaluar për plani 11-pikësh të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Lajme të ngjashme