Ukraina i ofron Rusisë armëpushim në Detin e Zi
Ukraina i ka dërguar Rusisë një ofertë ku sugjerohet që të dyja palët t’i ndalin sulmet ndaj caqeve civile në Detin e Zi, i tha një burim agjencisë së lajmeve “Reuters”, pasi shtimi i sulmeve ndaj anijeve dhe porteve atje shkaktoi frikë për dërgesat globale të ushqimit.
Oferta për pezullimin e sulmeve u dërgua nga Kievi përmes një pale të tretë dhe Ukraina ende është duke pritur një përgjigje, tha burimi i afërt me çështjen.
Rusia dhe Ukraina, lojtare të rëndësishme në tregun botëror të bujqësisë, e kanë akuzuar njëra tjetrën për sulme të shpeshtuara ndaj anijeve që përdoren për eksporte.
Kievi u detyrua që të përdorte rrugë alternative të transportit, kur shumë pronarë të anijeve filluan të mos ndaleshin më në porte në fund të korrikut në rajonin jugor të Odesës, qendër kyçe për eksportet e grurit, nga frika prej sulmeve ruse ndaj dhjetëra anijeve.
Në anën tjetër, Rusia u desh t’i pezullonte operacionet në të tria terminalet në portin e saj në Detin e Zi, Novorossiysk, të mërkurën dhe të enjten pas një sulmi ukrainas dhe do të detyrohet që t’i pakësojë eksportet e grurit edhe më tej.
Kremlini dhe Ministria e Jashtme e Rusisë nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment rreth raportit për ofertën nga Ukraina.
Para këtij raporti, zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Alexander Grushko, tha se Moska nuk kishte pranuar propozim formal për armëpushim në Detin e Zi.
Rusia në mënyrë të përsëritur është përpjekur që t’i bllokojë operacionet dhe dërgesat nga portet ukrainase, të cilat janë kyçe për ekonominë e vendit të goditur nga lufta.