Burimet thonë se SHBA-ja s’ka mundur t’i vërtetojë paralajmërimet izraelite për komplotet e Iranit për Trumpin - NACIONALE

Burimet thonë se SHBA-ja s’ka mundur t’i vërtetojë paralajmërimet izraelite për komplotet e Iranit për Trumpin

56 minuta më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kanë pranuar disa paralajmërime nga Izraeli gjatë vitit të fundit se Irani synon që ta vrasë presidentin amerikan, Donald Trump, përfshirë raste para një operacioni sekret për ta larguar presidentin nga aeroplani “Air Force One” në Turqi, që zyrtarët amerikanë të inteligjencës nuk kanë mundur t’i vërtetojnë në mënyrë të pavarur, sipas një zyrtari dhe dy ish-zyrtarëve amerikanë.

Paralajmërimet, të cilat u janë dërguar agjencive amerikane të inteligjencës dhe në disa raste janë përcjellë drejtpërdrejt nga zyrtarë izraelitë te zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë, përfshinë komplote të mundshme për ta qëlluar Trumpin me snajper ose për të rekrutuar ndonjë person për ta sulmuar atë me thikë në ndonjë ngjarje të madhe publike, thanë burimet. Paralajmërimet filluan pak para luftës 12-ditore në qershorin e vitit 2025 dhe u shpeshtuan para vendimit të Uashingtonit për të hyrë në luftë me Iranin në shkurt, shtuan burimet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Paralajmërimi më i hollësishëm erdhi para samitit të NATO-s në Ankara në korrik, thanë zyrtari amerikan dhe një person tjetër i afërt me çështjen. Zyrtarët izraelitë e njoftuan Shtëpinë e Bardhë për të dhënat e inteligjencës që tregonin se Irani mund të mundohet që ta vrasë Trumpin, me gjasë me një raketë që hidhet nga krahu, përderisa ai po udhëtonte me aeroplanin “Air Force One” për në samit, thanë zyrtarët.

Komuniteti amerikan i inteligjencës për një kohë të gjatë ka vlerësuar se Irani dëshiron hakmarrje për vrasjen e komandantit ushtarak iranian, Qassem Soleimani, në vitin 2020. Megjithatë, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) nuk ka arritur që të vërtetojë disa nga kërcënimet specifike kundër jetës së Trumpit që janë ofruar nga inteligjenca izraelite nga fillimi i vitit të kaluar, thanë zyrtarët.

Në rastin e samitit të NATO-s, një zyrtar turk tha se agjencitë e inteligjencës të vendit të tij gjithashtu nuk kanë ndonjë dëshmi për ta vërtetuar pretendimin izraelit rreth rrezikut për jetën e Trumpit, vlerësim që shteti pritës e ka ndarë me amerikanët.

Pavarësisht mungesës së verifikimeve, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe Shërbimi Sekret kanë ndërmarrë hapa për t’i luftuar kërcënimet si masë kujdesi, përfshirë operacionin e jashtëzakonshëm gjatë qëndrimit të Trumpit në Turqi, ku ai u largua nga aeroplani “Air Force One” dhe u vendos në një aeroplan tjetër për t’u larguar nga ky shtet.

Ky rast tregon se si inteligjenca izraelite po ndikon në vendimmarrjen e administratës së Trumpit për Iranin në kohën e tensioneve të ngritura me Teheranin si dhe në mospajtimin më të gjerë mes vlerësimeve amerikane e izraelite të inteligjencës rreth kërcënimit që e paraqet Irani në përgjithësi, thekson agjencia “Reuters”.

Lajme të ngjashme