“Le ta di Evropa…”: Eksponentët e VV-së harrojnë se janë në pushtet, i kritikojnë marrëveshjen dhe ndërmjetësuesit e BE-së - NACIONALE

“Le ta di Evropa…”: Eksponentët e VV-së harrojnë se janë në pushtet, i kritikojnë marrëveshjen dhe ndërmjetësuesit e BE-së

1 vit më parë

nga Arta Avdiu

Sot në Ohër është duke u mbajtur takimi mes Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, dhe Aleksandar Vuciqit, president i Serbisë. Nonëse ende nuk është publikuar marrëveshja e plotë për të cilën mund të pajtohen dy liderët ballkanas, ka shumë gjasë që njohje de jure nuk do të ketë. Megjithatë, Kurti do të pajtohet për themelimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një organizëm të cilin dikur e kritikonte ashpër e madje e kishte shpallur të “vdekur” e të “varrosur”.

Një situatë e tillë, ka bërë që një numër i madh eksponentësh dhe analistësh të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, partia që e udhëheq Kurti, të reagojnë kundër marrëveshjes evropiane që tashmë është mbi tavolinë e pritet të nënshkruhet. Gjuha me të cilën kanë operuar këta përkrahës të Kurtit e VV-së (disa lehtësisht mund të quhen militantë), është me ngjyre prej opozitari.

Nëpërmjet kësaj gjuhe prej opozite, janë kritikuar ndërmjetësuesit perëndimorë, opozita e deri edhe gazetarët. Por ata nuk kanë pasur asnjë fjalë të vetme kundër kryeministrit Kurti apo ndonjë paralajmërim për protestë nëse shefi i ekzekutivit pajtohet për themelimin e Asociacionit.

Opozita e pushtetit

“Ideologu” i Vetëvendosjes nga Tirana, Arbër Zaimi, e ka krahasuar Marrëëveshjen e Ohrit që i kishte dhënë fund luftës së vitit 2001 mes shqiptarëve dhe maqedonasëve dhe marrëveshjës së re që pritet të ndodhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zaimi, bash si në kohën kur partia e tij ishte në opozitë, e kritikon marrëveshjen dhe ndërkombëtarët, duke harruar që partia e lideri i tij janë në pushtet e madje negociojnë për marrëveshje.

“Para 22 vitesh në Ohër u lidh “Marrëveshja e Ohrit” që i dha fund luftës në Maqedoni.Princip kryesor i asaj marrëveshjeje ishte se “nuk ka zgjidhje territoriale për problemet etnike”.Ky princip natyrisht synonte ndaljen e shqiptarëve, që kërkonin ndarjen e territoreve të veta prej atij shteti.Ja ku jemi sot, ku po në Ohër serbët kërkojnë prej Kosovës zgjidhje territoriale për problemet etnike.Të njëjtët “liberalë” ndërkombëtardashës që atëherë thoshin duhet pranuar principi se ”nuk ka zgjidhje territoriale për probleme etnike”, sot thonë se “duhet pranuar Zajednica.”” - ka shkruar Zaimi.

Ndërsa, filozofi i Vetëvendosjes, Elvis Hoxha, që është edhe anëtar i Kryesisë së LVV-së, ka shkruar 11 pika për Marrëveshjen që pritet të ndodhë. Edhe kritika e Hoxhës duket si kritikë e një opozitari, dhe jo si e një anëtari të partisë në pushtet, i cili nuk ka asnjë kritikë për kryeministrin e vendit dhe nënshkruesit potencial të marrëveshjes.

“Për sa na takon ne shqiptarëve, duhet të jetë e qartë se nuk diskutohet një direktivë: duhet ta mbajmë një linjë historike të hapur, për aq kohë sa nuk na dëmton ne shqiptarët. Ky ishte gabimi që u bë më së shpeshti përgjatë dy dekadave. Shqiptarët kërkuan më pak atëherë kur kishin më shumë mundësi të kërkonin. Sa më shpejt që evropianët ta kuptojnë se duhet ta mbështesin Kosovën e vlerave, aq më shpejt Kosova duhet të gjendet e integruar në proceset dhe traktatet që zhvillohen në institucionet e Evropës. Një rrethanë e re, ajo e sotme, është përcaktuar tashmë prej ca muajsh”, ka shkruar Hoxha.

Me tutje edhe ai kritikon ndërmjetësuesit evropianë dhe jo kryeministrin e Kosovës për mosmbajtjen e premtimeve të tij.

“Dihet tashmë, por duhet të bëhet edhe më e ditur botërisht se Kosova është pro-euroatlantike dhe Serbia do të jetë gjithnjë pro-ruse. Përfaqësuesit negociatorë, duke ardhur nga shtete që nuk e njohin Kosovën, më shumë njohin Serbinë, pra, më shumë njohin kahjen tjetër, atë pro-ruse të botës, sesa kahjen e Evropës që i ka dërguar. Kjo duhet të ndihet si shenjë e keqe për Evropën nga shtetet anëtarë të saj dhe nga institucionet e saj qeverisëse. Sepse këta negociatorë do të përpiqen të fshehin natyrën mesjetare të Serbisë së Miroslavit mbi të cilin deklaron se betohet Vuçiçi” – vazhdoi Hoxha.

Ilir Kërçeli, shefi i stafit të kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, ka thënë se nuk do të ketë Asociacion i cili shkel Kushtetutën dhe cenon integritetin e Kosovës.

“Serbia kthehet nga Ohëri, destruktive si gjithmonë. Veq kesaj radhe do e marrë edhe koston e merituar. Nuk ka asociacion i cili shkel Kushtetutën e cenon integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.” - ka shkruar ai.

Kujtojmë që Kurti tashmë është pajtuar të nënshkruajë marrëveshjen evropiane, e cila parasheh edhe një vetëmenaxhim të serbëve dhe resepktimin e marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë atë për Asociacionin, të cilin Kurti dikur e kishte “varrosur”.

Lajme të ngjashme