Grupi i Tiranës i “mëshon” KFOR-it: Feraj, Mihali e Hoxha në rresht kundër misionit ushtarak të NATO-s - NACIONALE

Grupi i Tiranës i “mëshon” KFOR-it: Feraj, Mihali e Hoxha në rresht kundër misionit ushtarak të NATO-s

1 vit më parë

nga NACIONALE

Barrikadat kanë “përplasur” në botën virtuale “Grupin e Tiranës” së LVV-së me KFOR-in. Hysamedin Feraj, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Dejona Mihali, koordinatore e Komiteteve në LVV, kanë nxjerrë edhe një herë “shpatën”. Kësaj radhe ndaj KFOR-it, misionit ushtarak të NATO-s, që dje kërkoi heqjen e barrikadave në veri përmes “dialog” me serbët. E në këtë vrull anti-KFOR është përfshirë edhe Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së LVV-së, ndonëse u mjaftua me vetëm një shpërndarje të qëndrimit të Ferajt.

Një reagim i tillë ndaj misionit ushtarak të KFOR-it nga ana e Grupit të Tiranës, siç i ka pagëzuar Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, aktivistët e LVV-së nga Shqipëria, duket të jetë i koordinuar. E para që postoi në Facebook ishte Mihali, saktësisht në orën 10:20 të mbrëmjes.

E Mihalin, që konsiderohet si një ndër njerëzit më të fuqishëm në LVV, e ndjeku mëpastaj Feraj, i cili e këshillon z. Kurtin rreth zbatimit të marrëveshjeve me Shqipërinë.

Çfarë tha “Grupi i Tiranës”?

Dejona Mihali, që përveç koordinatore e Komiteteve, është edhe anëtare e Kryesisë së LVV-së, e kritikoi KFOR-in për deklaratën e fundit, ku kërkohej shmangie të retorikës që shkakton tensione të situatës.

Ajo e cilësoi si të pakuptimtë kërkesën për dialog pas 15 ditësh. Tutje, zonja Mihali e bëri edhe një pyetje retorike, duke shkruar se “me kë diaologu për heqjen e barrikadave? Me Radoiçiqin?”

“Nuk ka kuptim kërkesa për "dialogim" pas 15 ditësh, teksa ishte kërkuar vetëm pak kohë.

Me kë me dialogu për heqjen e barrikadave? Me Radojciqin?

Nuk besoj as që duhet as duhet të kërkohet.” – shkruan zonja Mihali.

Ndërsa dy orë më vonë, krejt pas mesnatës, në “vallen” e kritikës ndaj KFOR-it, hyri edhe Hysamedin Feraj. Saktësisht në orën 00:23, Feraj gjeti kohë të shkruaj ca fjali mbi kërkesën e KFOR-it, të cilën e quajti si të “pazakontë”.

“KFOR-i është mision ushtarak.

Këshilla e tij politike për dialog të qeverisë me grupet kriminale, e pakta, është shumë e pazakontë.” – shkroi ai ndër të tjera.

Ndërsa mesazhin e z. Ferajt e ka shpërndarë, por pa ndonjë koment shtesë, Elvis Hoxha, që është po ashtu anëtar i Kryesisë së LVV-së, e dikur edhe këshilltar i Kurtit.

Kujtojmë që ndaj deklaratës së djeshme të KFOR-it, ka reaguar edhe një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. Artan Abrashi, deputet i LVV-së, mbrëmë shkroi se KFOR-i duhet të përmbush misionin e tij ose barrikadat i heq Policia e Kosovës.

“KFOR-i kërkoi pak kohë për heqje barrikadash, ndërkaq sot kur u bënë 14 ditë thotë të zgjidhet kjo çështje me dialog. Si ndodhi kjo që nga pak kohë për heqje të barrikadave të kalojmë te negocimi me krimin dhe bandat kriminale e të armatosura. Kjo është vërtetë e papranueshme. KFOR-i të përmbush misionin e tij ose barrikadat i heq Policia e Kosovës ashtu siç ka shprehur gatishmërinë dhe ka kapacitetin. Rendi dhe ligji nuk mund të dialogojnë me bandat kriminale.” - shkroi Abrashi.

Çfarë tha KFOR-i?

Gjeneral major Angelo Michele Ristuccia, Komandanti i KFOR-it, dje dha një mesazh. Ai ka rikonfirmuar se KFOR vazhdon të mbështesë dialogun rreth gjetjes së një marrëveshje për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i inkurajojmë të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut.” – theksohej në një deklaratë zyrtare të Ristuccias.

“Mbesim vigjilentë dhe plotësisht të aftë për ta përmbushur mandatin që bie nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të gjitha komunitetet në Kosovës. Zgjidhjet duhet të gjenden nëpërmjet dialogut”, përfundonte deklarata e komandantit të KFOR-it.

Kujtojmë që sot është dita e 15 që kur janë vendosur barrikadat në veri të Kosovës.

Lajme të ngjashme