VV-ja “harron” se është në pushtet, bën fushatë në rrugë kundër produkteve serbe - NACIONALE

VV-ja “harron” se është në pushtet, bën fushatë në rrugë kundër produkteve serbe

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një ngjarje e “pazakontë” ka ngjarë dje në Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në Kosovë dhe udhëheqësja me Qeverinë e Kosovës, ka dalë në rrugë. Jo për të protestuar, por për të mbajtur një fushatë kundër produkteve serbe, si dikur kur ishte në opozitë vite më parë. Po, po, partia që drejton Qeverinë e Kosovës ka vendosur të mbajë një “fushatë sensibiliuzese” kundër produkteve serbe në Prishtinë.

Barra për të materializuar këtë nismë, që i ngjan më shumë një OJQ-je ose një partie opozitare pa peshë në Qeveri, i ka rënë Rinisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Madje për këtë iniciativë, ata kanë përgatitur edhe broshura, të cilat bëjnë thirrje për bojkotimin e produkteve të importuara nga Serbia.

E gjithë kjo, vjen pas tensioneve në veri dhe raportimeve të medieve për rritje të importin nga Serbia gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, që dikur bënte thirrje për reciprocitet e ndalim të importit nga Serbia.

Çka ndodhi?

Dje në Prishtinë është mbajtur një “fushatë sensibilizuese” nga Rinia e Lëvizjes Vetëvendosje. Caku i “fushatës” ishte sensibilizimit i qytetarëve për të bojkotuar produktet e Serbisë. Madje për këtë nismë, Qendra e LVV-së në Prishtinë kanë informuar publikun nëpërmjet një postimi në faqen e tyre në Facebook.

“Asnjë cent Serbisë kriminale” – është titulli i fuqishëm i postimit, ku njoftohet se Rinia e Lëvizjes ka filluar një fushatë sensibilizuese për bojkotimin e produkteve të shtetit serb.

“Duke bojkotuar produktet serbe, ne ndalim financimin ndaj vendit që edhe 23 vite pas luftës, nuk ka kërkuar falje për krimet, shkatërrimet, vrasjet e masakrat e kryera mbi popullaten civile në Kosovë.” – thuhet në postim, ndër të tjera.

Madje kërkesën për bojkotim të barkodit “860” e kanë lidhur edhe me situatën në veri. Rinia e LVV-së u ka kërkuar qytetarëve të ndalojnë së konsomuari produkte serbe, pasi në këtë mënyrë ndalohet edhe financimi i grupeve kriminale në veri.

Duke bojkotuar këto produkte, ndalojmë financimet e grupeve kriminale që funksionojnë në veri të Republikës.

Andaj është obligim qytetar që të menjanojmë këto produkte. Prandaj ju bëjmë thirrje, bojkotoni këto produkte. Blini sa më shumë produkte vendore, sepse kështu ndihmojmë zhvillimin e vendit. Mbroje Kosovën, dëmto grupet kriminale që luftojnë Republikën tonë!” – theksohet aty.

Postimi përfundon me një thirrje që ngjan më shumë si urdhër.

“Bojkoto barkodin 860” – është fjalia përmbyllëse e postimit të Qendrës së VV-së në Prishtinë.

Import, import, import...nga Serbia

Volumi tregtar mes Kosovës dhe Serbisë është rritur tejmase. Madje vetëm gjatë këtij viti Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë rreth 310 milionë euro. Në këtë kontekst, importi është rritur, gjersa Kosova importon më shumë se 1 milion euro në ditë mallra nga Serbia.

Madje, kohë më parë, ekonomisti Edison Jakurti, që është i afërt me Qeverinë Kurti dhe LVV-në, ka zbërthyer në detaje shumën e mallrave të importuara nga Serbia.

Ai ka thënë se që nga janari, Kosova ka importuar 310 milionë euro mallra nga Serbia, që i bie rreth 1 milionë në ditë, 42.5 mijë euro çdo orë dhe 708 euro çdo minutë.

“Sipas ASK-së, deri në fund të tetorit të këtij viti, Kosova ka importuar mbi 310 milionë euro mallra nga Serbia. Kjo i bie që Serbisë ia kemi dhënë mbi 1 milionë euro çdo ditë. Apo rreth 42.5 mijë euro çdo orë. Apo rreth 708 euro çdo minutë. Apo rreth 12 euro çdo sekond. Bojkotoni mallrat e Serbisë!” – shkruante ai ndër të tjera.

Lajme të ngjashme