15 ditë me barrikada: Deputetëve të VV-së po u soset durimi për situatën në veri - NACIONALE

15 ditë me barrikada: Deputetëve të VV-së po u soset durimi për situatën në veri

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Nëntë barrikada në rrugët që çojnë në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan vazhdojnë të jenë të vendosura për të pesëmbëdhjetën ditë me radhë. Për largimin e tyre ende nuk ka asnjë qartësi se si dhe kur do të mund të hiqen. Për heqjen e tyre, institucionet kosovare të sigurisë po e presin reagimin e KFOR-it. E disa prej deputetëve të Vetëvendosjes tashmë u është sosur durimi rreth kësaj pune. Thonë se Kosova ka kapacitete të bollshme për largimin e tyre.

Disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, përmes statuseve në Facebook, po vazhdojnë t'i bëjnë presion KFOR-it për heqjen e barrikadave të vendosura në veriun e vendit. Në të kundërtën, deputetët ‘kërcënojnë’ se barrikadat do t’i largojë Policia e Kosovës.

Kështu ka deklaruar të premten mbrëma deputeti i kësaj partie, Artan Abrashi.

“…Kjo është vërtetë e papranueshme. KFOR-i të përmbush misionin e tij ose barrikadat i heq Policia e Kosovës ashtu siç ka shprehur gatishmërinë dhe ka kapacitetin. Rendi dhe ligji nuk mund të dialogojnë me bandat kriminale”- ka shkruar Abrashi.

Menjëherë pas Abrashit, i ashpër me KFOR-in ishte edhe deputeti tjetër i VV-së, Adnan Rrustemi.

Rrustemi ka thënë se nëse këtë punë s'e bën KFOR-i, atëherë zyrtarët e Policisë së Kosovës janë të gatshëm ta bëjnë këtë gjë.

Këto deklarata dhe kjo zhagitje vërtetë po bëhen të papranueshme dhe janë duke kaluar çdo pritje. Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojë. Me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet. Barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet ta bëjë këtë gjë”- ka shkruar ai.

E nëse KFORI s'i heq sa më shpejt barrikadat, këtë do ta bëjë policia e Kosovës. Kështu deklaroi ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla

Mënyra më e mirë është largimi i tyre nga ata që i kanë vendosur. Por më duhet të ritheksoj që ne i kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme për largimin e barrikadave. Për shkak të situatës, jemi në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe presim që sa më parë të veprohet nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë apo mund të themi se është rënduar. Dhe po presim që sa më shpejt ato të largohen, e në qoftë se kjo nuk ndodh, siç theksova dhe më lart, i kemi kapacitetet e nevojshme për ta bërë vetë. Situata e tillë në terren vetëm sa po i shton frikën dhe pasigurinë të qytetarët”- tha ai.

E të enjten, po ashtu, në Rudar të Zveçanit serbët mbajtën protestë. Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, i paraqiti kushtet për heqjen e barrikadave. Ai kërkoi që paraprakisht të lirohen serbët e arrestuar, të tërhiqen “listat sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Por kush do t’i largojë barrikadat nga veriu?

Siç thamë më lart, autoritetet e Kosovës po shprehen se institucionet e vendit “kanë kapacitete për t’i larguar barrikadat” dhe se “janë duke e vlerësuar situatën për reagim adekuat”.

Kështu ka deklaruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili i ka thënë të përditshmes britanike, "The Guardian", se është pajtuar që t’i japë kohë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për t’i bindur ata që janë në barrikada që të tërhiqen.

Megjithatë, Kurti ka thënë se barrikadat nuk mund të lejohen të qëndrojnë gjatë.

Ai e ka shprehur shqetësimin se “heqja e këtyre barrikadave nuk mund t’i përjashtojë viktimat”.

“Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm, për t’u siguruar se nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative. Por ne nuk mund ta lejojmë përgjithmonë këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”- tha Kurti ditë më parë për "The Guardian".

Në anën tjetër, nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e kanë përsëritur qëndrimin e shprehur në një reagim më 16 dhjetor, se “pret që të gjitha palët të koordinohen nga afër me këtë mision dhe të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës”.

Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes në Kosovë. Zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut”- ka thënë KFOR-i.

Kujtojmë se disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës më 10 dhjetor, në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.

Për shkak se barrikadat i kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare,në Jarinjë dhe Bërnjak – që i lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

Barrikadat u vendosën si revoltë ndaj arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, pasi ai dyshohet për “sulm terrorist” ndaj zyrëve të KQZ-së dhe zyrtarëve policorë./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme