Vazhdon takimi Kurti-Vuçiq - NACIONALE

Vazhdon takimi Kurti-Vuçiq

1 vit më parë

nga NACIONALE

17:19 -Radio Evropa e Lirë po raporton se pritet të vazhdojë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq.

Pak më herët u raportua se takimi ka përfunduar, megjithatë, mediumi i njohur raporton se do të fillojë pas një pauze të shkurtër.

16:45 - Para pak minutash u raportua se ka nisur, ndërsa tani mediat nga Ohri po raportojnë se ka përfunduar takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Klan Kosova nga vendi i ngjarjes raporton se ky takim sapo ka përfunduar.

15:30 - Ka filluar takimi trepalësh në Ohër në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Takimi ishte paralajmëruar të fillojë nga ora 13:30, por duket se ka nisur me vonesë.

Ajo që dihet deri tani, është se ndërmjetësuesit evropianë, Mirsolav Lajçak e Josep Borell mbajtën një takim në mëngjes fillimisht me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Më pas, ata takuan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti – takime këto që zgjatën të dyja rreth nga një orë.

Nuk dihet se çfarë është diskutuar në këto takime pasi që asnjëra nga palët nuk është deklaruar zyrtarisht për media, megjithatë, më herët është konfirmuar se do të diskutohet rreth planit të zbatimit të propozimit evropian, të cilin palët veç se e kanë pranuar.

Shumë pak detaje nga Stano

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një konferencë për media pak më herët, u shpreh se nuk e di kur mund të përfundojë takimi.

“Në fund të takimit të ditës së sotme ai do të dalë para mediave, nuk e dijmë kohën, por do t’ju informoj përmes kolegëve këtu. Me dialogun siç jemi mësuar nuk e dijmë se kur do të përfundojë, por shpresojmë që ky takim do të përfundojë dikur pasdite apo në mbrëmje.– ka thënë ai.

Ndonëse u raportua se përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell do të mbajë konferencë për media, Stano ka konfirmuar se ai vetëm do të deklarohet para gazetarëve, dhe nuk mund të kërkohen sqarime shtesë.

“Kur ky nivel i takimit të Lartë të përfundojë, përfaqësuesi i Lartë do të dalë këtu dhe do të flasë. Nuk do të jetë konferencë për media dhe gazetarët nuk do të kenë mundësi që të bëjnë pyetje e të marrin sqarime shtesë.” – tha ai.

Tutje, Stano shtoi: “Pra, vetëm deklarim, nuk ka pyetje, çdo gjë do të jetë në gjuhën angleze.”

Veç kësaj, Stano nuk pranoi të japë kurrfarë informacioni rreth takimit, duke i paralajmëruar fillimisht gazetarët për këtë.

“Do t’ua kursej energjinë, mos më pyesni pyetje rreth përmbajtjes, nuk do të tregoj asgjë.” – ka thënë ai.

Takimet "e vogla"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur një agjendë të ngjeshur para takimit trepalësh në Ohër. Ai sot ka zhvilluar shumë takime të vogla para takimit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesit e BE-së.

Fillimisht, i pari i qeverisë, është takuar me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Më pas, Kurti është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski.

Një takim të veçantë ai ka pasur edhe me emisarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Pas këtyre takimeve, Kurti është shprehur optimist për takimin e madh.

“Jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe popullit për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse unë jam kryeministër i republikës i të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë Kurti.

Ai ka deklaruar se Kosova është e interesuar për marrëveshje.

Me këtë rast, përveçse jam optimist, kam ardhur me qëllim dhe vullnet të mirë, dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët, që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim”, është shprehur Kurti.

Ai ka treguar për takimet e shumta që ka pasur sot.

Ditën e filluam me kryetarin Ali Ahmeti, pastaj me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski, e tash edhe me emisarin e posaçëm për Ballkanin, zotin Escobar nga DASH. Nga këtu do të shkojë në takim me presidentin Pendarovski, e më pastaj kemi takime bilaterale me ndërmjetësit evropian, me Borrellin dhe Lajçakun, që i paraprin takimit trilateral”, ka thënë Kurti.

Lajme të ngjashme