Shumë takime të vogla para takimit të madh - NACIONALE

Shumë takime të vogla para takimit të madh

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur një agjendë të ngjeshur para takimit trepalësh në Ohër. Ai sot ka zhvilluar shumë takime të vogla para takimit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesit e BE-së.

Fillimisht, i pari i qeverisë, është takuar me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Më pas, Kurti është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski.

Një takim të veçantë ai ka pasur edhe me emisarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Pas këtyre takimeve, Kurti është shprehur optimist për takimin e madh.

“Jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe popullit për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse unë jam kryeministër i republikës i të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë Kurti.

Ai ka deklaruar se Kosova është e interesuar për marrëveshje.

Me këtë rast, përveçse jam optimist, kam ardhur me qëllim dhe vullnet të mirë, dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët, që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim”, është shprehur Kurti.

Ai ka treguar për takimet e shumta që ka pasur sot.

Ditën e filluam me kryetarin Ali Ahmeti, pastaj me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski, e tash edhe me emisarin e posaçëm për Ballkanin, zotin Escobar nga DASH. Nga këtu do të shkojë në takim me presidentin Pendarovski, e më pastaj kemi takime bilaterale me ndërmjetësit evropian, me Borrellin dhe Lajçakun, që i paraprin takimit trilateral”, ka thënë Kurti.

Reagimet ndërkombëtare

Ndër të parët që ka reaguar për takimin e Ohrit, ka qenë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, i cili edhe do ta ndërmjetëson takimin Kurti-Vuçiq.

Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se sot sytë e BE-së janë nga Ohri.

Sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë sot te Ohri. Pas diplomacisë intensive të anijes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ne do të diskutojmë me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti për aneksin e zbatimit – një pjesë integrale e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Borrell.

Për takimin ka reaguar edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg i ka quajtur “të rëndësishme” bisedimet e Ohrit derisa ka thënë që pret se Kurti dhe Vuçiqi do të “angazhohen konstruktivisht dhe do të bëjnë progres”.

Ky është çelësi për stabilitet afatgjatë dhe për të ardhmen evropiane dhe euro-atlantike të rajonit.” – shkroi ai në “Twitter”.

Por, në mënyrë të çuditshme e përfundon postimin duke i thënë këto fjalë

KFOR-i vazhdon të punojë për një Kosovë paqësore e stabile,”, ka shkrua ai.

Zyra për shtyp e Bashkimit Evropian ka bërë të ditur agjendën e takimeve që do të zhvillohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Dihet se në takime do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell bashkë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak.

Nga njoftimi i zyrës së BE-së, është bërë e ditur se Borrell dhe Lajçak fillimisht do të mbajnë takime të ndara me Kurtin e Vuçiqin, e më pas do të zhvillojnë takimin e nivelit të lartë së bashku.

Ky takim do të ketë në fokus finalizimin e Aneksit të Implementimit të Marrëveshjes drejt rrugës për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të ngjashme