Pritjet e palëve nga takimi i Ohrit: A do të ketë marrëveshje? - NACIONALE

Pritjet e palëve nga takimi i Ohrit: A do të ketë marrëveshje?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kosova dhe Serbia sot zhvillojnë një nga takimet më të rëndësishme në kuadër të procesit për normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Ndryshe nga herët tjera, takimi nuk do të mbahet në Bruksel, por në Ohër, qytetin ku shqiptarët e Maqedonisë kanë vendosur marrëveshjen historike me shtetin maqedonas në vitin 2001.

Tani Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, kanë rastin që këtë ditë ta bëjnë historike, nëse pajtohen për ankesin e marrëveshjes, për të cilin janë pajtuar me 27 shkurt.

Pavarësisht presionit të madh ndërkombëtar, pritjet për ketë takim janë ulur ditëve të fundit. Kjo për faktin se të dy palët nuk kanë treguar ndonjë gatishmëri të madhe për të nënshkruar tani marrëveshjen.

Megjithatë, një ditë para takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kuti, është treguar optimist për takimin.

Ai ka thënë se në Ohër shkon për marrëveshje.

Në një intervistë për “Alsat-M”, Kurti ka folur rreth takimit të nesërm duke konsideruar se është “projekti më i rëndësishëm politik e ekononik pas luftës së dytë botërore”.

Nuk po them që nëse nuk ka nënshkrim, atëherë kemi nënshkruar mosmarrëveshjen, mirëpo edhe nuk mund të them që pa nënshkrim do të mund të quhet marrëveshje me gjithë mend. Andaj unë po e ritheksoj se do të jem i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ dhe që shkoj me vullnet, qëllim dhe besim të mirë, por që natyrisht këtë nuk mund ta garantoj edhe për palën tjetër.” – ka thënë ai.

Më pesimist për takimin është shprehur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Para nisjes në Ohër, ai ka thënë se do ta ruaj Serbinë.

Serbinë e plotë, ashtu siç është e paraparë në Kushtetutë”, ka thënë ai.

Ai ka pranuar se Serbinë e presin shumë sfida në procesin e dialogut me Kosovën.

Ai ka deklaruar se në të kaluarën Serbia ka bërë shumë gabime, duke u zotuar se ato nuk do të përsëriten më.

Para nesh na pret një periudhë jo lehtë, por kur ne udhëheqim një politikë të përgjegjshme, serioze dhe të mençur, Serbia del fituese”, ka thënë Vuçiq.

Edhe i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se nuk pret marrëveshje nga takimi.

Në një konferencë për media në Beograd, ai ka thënë se ai pret vetëm progres.

Nuk pres që tani të ketë nënshkrime, por shpresoj për progres. Mundësitë do të ishin shumë pozitive për rajonin”, ka thënë Escobar.

Asociacioni, pengesa kryesore

Pengesat kryesore drejt nënshkrimit të marrëveshjes pritet të jetë çështja e Asociacionit. Serbia pretendon që palët fillimisht të pajtohet për zbatimin e kësaj marrëveshje, kurse Kosova thotë se kjo marrëveshje nuk duhet të veçohet nga marrëveshjet tjera.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk do të lejojë një gjë të tillë.

Pra nuk i përjashtoj ato, asnjërën prej tyre, por konsideroj që njëkohësisht nuk është e drejtë që të imponohet një marrëveshje e vetme si më prioritarja ose më e rëndësishmja… Pra nuk e mohoj asociacionin që është një dakordim paraprak, mirëpo në anën tjetër nuk mund ta nxjerrim siç themi ne “qeren para kalit” dhe duhet ta kemi parasysh se marrëveshja e asociacionit nëse është e veçantë, është e veçantë në kuptimin që nuk e kaloj testin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë…” – ka thënë ai.

Kurse, presidenti serb ka bërë me dije se nuk i intereson për modelet e Asociacionit që i ka prezantua BE-ja.

Ai ka thënë se atij i intereson vetëm Asociacioni që është nënshkruar në Bruksel.

"Të katër janë nënshkruar dhe përmbajtja e tyre duhet të plotësohet. Dhe fantazmagoritë e tyre për modelet daneze, suedeze dhe të tjera, nuk më intereson veçanërisht, më intereson ajo që është nënshkruar të përmbushet.", ka thënë Vuçiq.

As analistët nuk presin nënshkrime

Politologu Agon Maliqi ka thënë se në bazë të asaj që është thënë deri me tani nuk pritet të ketë ndonjë nënshkrim të marrëveshjes.

Në një intervistë për KTV, ka thënë se një marrëveshje e madhe mund të arrihet brenda vitit.

Mendoj që Escobari e dha një mesazh që i ul pritshmëritë. Paralajmëroi se nuk mund të ketë nënshkrim të marrëveshjes, por gjithashtu paralajmëroi se një marrëveshje më e madhe mund të arrihet brenda vitit. Shumë gjëra mbesin të paqarta si është rrjedha e zhvillimeve. Plani i zbatimit mund të paraqitet në të njëjtën formë si dokumenti që doli në Bruksel nga ndërmjetësuesit. Te të dy këto dokumente nuk mund të shohim ndonjë nënshkrim, por vetëm zotërim gojor që mund të ecet përpara.” – ka thënë Maliqi.

Kurse, Wolfgang Ischinger, i cili ka përfaqësuar BE-në në negociatat e Trojkës në vitin 2007, ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë një hap përpara.

"Si mik i Kosovës dhe i Serbisë dhe vetë ish-negociator i BE-së, i bëj thirrje Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti që të bëjnë një hap besimi që tani. Më 18 mars, në Ohër, të dy do të kenë një mundësi historike për të treguar guxim dhe lidership politik. Tani është koha për të çuar përpara Serbinë dhe Kosovën së bashku, në interes të popullit të tyre, në interes të Ballkanit Perëndimor dhe në interes të paqes dhe sigurisë në kontinentin evropian. Bëjeni pikën e kthimit të ndodhë – pikërisht tani. ", ka shkruar ai në opinion për Politico.

Lajme të ngjashme