Chollet para takimit në Ohër: “Bisedë e mrekullueshme” me Vuçiqin, me Kurtin veç “bisedë” - NACIONALE

Chollet para takimit në Ohër: “Bisedë e mrekullueshme” me Vuçiqin, me Kurtin veç “bisedë”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një ditë para takimit në Ohër, këshilltari special në Departamentin e Shtetit, Derek Chollet, duket se ka telefonuar dy liderët, Albin Kurti e Aleksandër Vuçiqit, të cilët nesër i pret një diskutim shumë i rëndësishëm. Edhe një herë, në sy bie mënyra se si zyrtari i lartë amerikan i ka kominikuar këto takime. Çka shkroi konkretisht ai?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para pak minutash shkroi në Twitter, ku njoftoi për bisedën me z.Chollet.

Ky i fundit, po ashtu ka thënë disa fjalë në lidhje me këtë bisedë telefonike, si dhe rreth asaj me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Bisedë e mrekullueshme”

Bisedë të mrekullueshme e ka quajtur ai telefonatën me presidentin Vuçiq, derisa mes tjerash, bëri të ditur se janë pajtuar për rëndësinë e një angazhimi konstruktiv nesër rreth propozimit evropian.

“Bisedë e mrekullueshme me presidentin Vuçiq. Ramë dakord për rëndësinë e angazhimit konstruktiv për propozimin e konsoliduar të BE-së më 18 mars. Rikonfirmuam mbështetjen e SHBA-së për Dialogun e BE-së dhe përfitimet që normalizimi i marrëdhënieve do t'i sjellë Serbisë dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.” – ka shkruar ai.

Ndërkaq, veç “bisedova” ka thënë ai kur njoftoi për takimin me Kurtin, praktikë kjo që është parë edhe më herët në diskutimet e tij me të dy liderët.

“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti për bisedimet e nesërme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE. Zbatimi do të zhbllokojë përfitime të rëndësishme për të dy vendet dhe do të tregojë përkushtim për një të ardhme paqësore për rajonin.” – ka shkruar Chollet.

Takimi në Ohër

Nesër pritet të ketë një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq në qytetin e Ohrit.

Dje, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell në prag të takimit të së shtunës, u bëri thirrje palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të pajtohen edhe për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, ashtu siç u pajtuan për propozimin evropian.

“Këtë të shtunë, do të thërras një takim të nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë. Kjo kohë është ndryshe nga takimet e mëparshme. Jo vetëm sepse do të takoj Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në rajon, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në vend që të takohem në sallat e njohura të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm në Bruksel. Por edhe sepse diskutimin tonë do ta fokusojmë në Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së fundit të BE-së që do të rezultojë në normalizimin e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja së bashku, në thelb, do të rezultojnë në normalizimin e jetës së njerëzve në rajon dhe do të hapin rrugën përkatëse të Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE.” – ka thënë ai.

Mes tjerash, kryediplomati ka përmendur edhe tensionet në veri të vendit gjatë fundit të vitit 2022, duke alarmuar se u shmang një "konflikt i plotë" mes dy vendeve.

“Por në vend që të avancojmë në tablonë e përgjithshme të normalizimit të marrëdhënieve për ta bërë Evropën më të sigurt dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit, koha dhe energjia jonë u mor nga menaxhimi i krizës, barrikadat dhe kërcënimet e dhunës me një afat pas tjetrit. në gjysmën e dytë të 2022. Nuk ishte e lehtë të qetësohej situata dhe të shmangej një konflikt i plotë, por ia dolëm.” – tha ai në një shkrim të publikuar në faqen zyrtare të BE-së.

Lajme të ngjashme