'Burri në veshin e Blinken': Çka duhet të dini rreth Këshilltarit Special, që kthehet në Kosovë pas shumë vitesh - NACIONALE

'Burri në veshin e Blinken': Çka duhet të dini rreth Këshilltarit Special, që kthehet në Kosovë pas shumë vitesh

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

“Burri në veshin e Blinken”, kështu e cilëson gazeta e njohur “Politico”, diplomatin dhe njëherit një prej njerëzve më të afërt aktualisht me sekretarin amerikan, Antony Blinken. Dereck Chollet, Këshilltari special i Departamentit të Shtetit, kthehet sot në Kosovë pas shumë viteve, në një detyrë që po ashtu, mund të vlerësohet si speciale.

Chollet, që prej fillimit, ka qenë shumë i drejtpërdrejt. Nga publikimi i detajeve për bisedat me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, (të cilat ky i fshihte), e deri te telefonatat e vazhdueshme me të për “kërkesat specifike”, Chollet ka qenë një diplomat shumë i hapur.

Chollet pritet të qëndrojë në Kosovë sot dhe nesër, ku fillimisht, do të mbajë një takim bashkë me të gjithë liderët e opozitës, e më pas, edhe me ata shtetërorë.

Detyra speciale

Këshilltari special, Derek Chollet do të kishte një detyrë shumë speciale në vizitën e tij në Kosovë, e cila fillon sot, të bisedonte me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti për shtyrjen e zgjedhjeve në komunat e veriut.

Zgjedhjet u shtynë, por vlen të përmendet se në veri të vendit, është ende një situatë tejet e tensionuar, me barrikadat që janë vendosur nëpër shumë pika atje.

Propozimi franko-gjerman, është një prej çështjeve për të cilën foli së fundi këshilltari Chollet. Kur u pyet në një intervistë për “Zërin e Amerikës” rreth kësaj çështje, ai tha se ShBA-të e mbështesin këtë proces, dhe një nga gjërat që do ta diskutojë me liderët në Kosovë, është pikërisht përkrahja ndaj BE-së në këto negociata.

“Ne kemi punuar shumë me të dyja palët në mbështetje të BE-së, për të arritur këtu ku jemi. Për sa u përket bisedimeve që janë në vazhdim e sipër dhe do të ketë një raund të ri bisedimesh në javët e ardhshme në Bruksel. Ne e mbështesim shumë këtë proces. Nuk dua të hyj në detaje, por një nga gjërat për të cilat do të flas kur të vizitoj Prishtinën dhe më pas Beogradin, do të jetë se si Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të mbështesin Bashkimin Evropian në përpjekjet e tij për të pasur negociata të suksesshme.” – ka thënë ai.

Sa i përket dialogut mes dy vendeve, Chollet tha se ShBA-të janë të përqëndruara tek normalizimi me bazë njohjen e ndërsjelltë, por theksoi edhe diçka tjetër.

“…por ne besojmë se bisedimet mund të çojnë në këtë hap dhe Kosova të mund të vazhdojë në rrugën e integrimit drejt Evropës.” – tha ai.

Zhgënjimi

Kishte qenë fillimisht Departamenti i Shtetit Amerikan që ishte shprehur i zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos shtyrë zbatimin e vendimit për target.

Në një postim në Twitter, Chollet po ashtu kishte “ndarë zhgënjimin e Amerikës me vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin për targa”.

Për “zhgënjimin”, ai foli edhe në intervistën dhënë para pak ditësh “Zërit të Amerikës”, ku përmendi, se ka pasur shumë biseda me kryeministrin e Kosovës.

"Bëhej fjalë për një çështje specifike, atë të zbatimit të vendimit për targat. Ne kishim pasur shumë biseda me kryeministrin dhe të tjerë për këtë çështje. Sekretari i Shtetit pati një bisedë me të.” – tha ai.

”Zhgënjimin” me Qeverinë e Kosovës, Chollet e kishte diskutuar edhe në një bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Mirë të flasësh me Presidentin Vuçiq. Ndava zhgënjimin tonë për vendimin e Kosovës që të mos shtyjë regjimin për tabelat e regjistrimit…” – deklaronte ai në një shkrim në Twitter.

Chollet kthehet në Kosovë pas shumë vitesh

Kjo nuk është hera e parë që Chollet vjen në Kosovë. Për një kohë të gjatë, ai kishte punuar në Administratën e Bill Clitonit, ku shkruante fjalimet për ambasadorin amerikan në OKB, Richard Holbrooke.

Me këtë të fundit, ai kishte vizituar Kosovën vite më parë, gjë që e ka bërë të ditur vetë ai.

“Mezi pres të kthehem në Kosovë. Vizita ime e fundit atje, ka qenë me ambasadorin Holbrooke shumë vite më parë. Mezi pres të shoh miqtë dhe kolegët e mi atje dhe të bisedoj përsëri me presidenten dhe kryeministrin.” – i tha ai Zërit të Amerikës.

Ndryshe, nënsekretari Derek Chollet është një diplomat me përvojë që këshillon Sekretarin Antony Blinken për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.

Ai ka punuar edhe më herët në pozicione të ndryshme në Departmentin e Shtetit, e po ashtu edhe në Shtëpinë e Bardhë dhe Departmentin e Mbrojtjes.

Lajme të ngjashme