Refuzimi i marrëveshjes nuk e “zhduk” Asociacionin - NACIONALE

Refuzimi i marrëveshjes nuk e “zhduk” Asociacionin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës i ka thënë “po” Planit të BE-së, por në deklarimet publike kryeministri Albin Kurti po shpreh rezerva për çështjen e Asociacionit. Pavarësisht hezitimeve të kryeministri, amerikanët dhe evropianet janë shprehur të prerë për këtë çështje.

Një ditë para takimit të Ohrit, ku palët pritet të diskutojnë për aneksin e zbatimit të Planit të BE-së, njohësit e rrethanave politike në vend dhe diplomatët amerikanë kanë bërë me dije se dështimi i marrëveshjes nuk mund ta “zhduk” formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ata kanë vlerësuar se Kosova do ta ketë Asociacionin si me marrëveshje ashtu edhe pa marrëveshje.

Juristi Bardhyl Hasanpapaj ka thënë për gazetën Nacionale se Kosova duhet të ketë kujdes me ketë marrëveshje.

Çdo hezitim nga ana e Kosovës vetëm sa do rrezikonte marrëveshjen Kosovë-Serbi (këtë të ndërmjetmen/përkohshmen) dhe më e keqja edhe perspektiven evropiane e ndërkombëtare të Kosovës. Refuzimi i tij, prapë së prapë unë besoj, që mund të sjellë në një situatë kur të rrezikohet marrëveshja dhe perspektiva ndërkombëtare e Kosovës por të mos ‘zhduket’ asociacioni. Pra, kjo më bën të besoj që ose do ketë marrëveshje me asociacion (apo sinonim të tij) apo asociacion pa marrëveshje sepse marrëveshje pa asociacion është utopi me megafon”, ka thënë Hasanpapaj

Ai ka sqaruar se Asociacioni është një obligim ndërkombëtarë, të cilit Kosova nuk mund t`i shmanget.

E para: asociacioni është detyrim ndërkombëtarë, i ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. E dyta, Gjykata Kushtetuese, me vërejtjet e saj, ka thënë që asociacioni duhet themeluar. E treta, është kërkesë eksplicite e të gjithë miqve tanë ndërkombëtarë si SHBA, Gjermani, Francë, Angli, Itali etj, që asociacioni të themelohet brenda rendit juridik të Kosovës. E katërta, është kërkesë e vet BE-së, në raportet e saj me Kosovën. E pesta, e njëjta kërkesë sipas të gjitha gjasave do jetë edhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe e gjashta fatkeqësisht është çelësi në raportin Kosovë-Serbi dhe, siç do e shohim, mjet pa të cilin nuk do arrijmë të integrojmë serbët e Kosovës në shoqërinë tonë dhe mungesa e së cilit veç sa do të rriste mosbesimin dhe armiqësitë me këtë komunitet”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova mund ta themelojë Asociacionin në kuadër të Kushtetutës, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial.

Që të gjitha këto, këtë asociacion e bëjnë të pashmangshëm dhe, unë besoj, që me një kujdes, zgjuarsi dhe maturi politike dhe duke ndërtuar besim e partneritet me miqtë tanë ndërkombëtarë, ky asociacion mund dhe duhet të themelohen në përputhje me rendin tonë juridik, pra në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Hasanpapaj.

Amerikanët të bindur se Asociacioni mund të bëhet edhe pa marrëveshje

Dy ditë me parë, edhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se pavarësisht rezultatit të takimit të Ohrit, Asociacionit duhet të bëhet.

Ai ka thënë se disa çështje Kosova duhet t`i zbatojë në mënyrë të njëanshme.

Disa elemente të marrëveshjes funksionojnë vetëm nëse të dyja palët nënshkruajnë. Disa çështje tjera ne besojmë se Kosova duhet t’i zbatojë (edhe nëse nuk nënshkruajnë të dyja palët). Kemi folur shumë për Asociacionin...”, është shprehur Hovenier.

Ne besojmë që është prioritet krijimi i Asociacionit, pavarësisht se çka bën Beogradi,” ka përsëritur ai, pa lënë fije dyshimi në deklaratat që po i bënte.

Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe vazhdon të mbetet një ndër kërkesat kryesore për Qeverinë e Kosovës. Tashmë kjo gjë po përsëritet mjaft shpesh edhe nga i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në fund të vitit kaluar, Escobar kishte “kërcënuar” Qeverinë se do të gjenden “partnerë të rinj” në diskutim për themelimin e Asociacionit.

Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, kushte thënë Escobar në një intervistë për REL.

Kurse dje, gjatë vizitës në Beograd, diplomati amerikan ka qenë edhe më i ashpër.

Në një intervistë për Telegraf.rs, Escobar ka thënë se pyetja e vetme që duhet të shtohet është se cila qeveri e Kosovës do ta bën Asociacionin.

Unë do t'ju jap një shembull. Por më lejoni të filloj këtu: këtu nuk bëhet fjalë për Kurtin. Kosova e ka nënshkruar këtë marrëveshje. Dhe Qeveria e Kosovës është e obliguar ligjërisht ta zbatojë atë. Është një detyrim ligjor ndërkombëtar ekzistues. Kështu e shohim ne. Është në marrëveshjen e Brukselit, është në këtë marrëveshje, është në konkluzionet e Këshillit të Evropës, ka dhënë politikat tona. Do të bëhet realitet. Kjo do të ndodhë. Pyetja e vetme është se cila qeveri do të jetë ajo që do ta zbatojë atë. Sa më shpejt të ndodhë, aq më mirë." - ka thënë ai.

Pavarësisht pranimit të Planit të BE-së, kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk do të këtë Asociacion me kompetenca ekzekutive. Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ai ka paraqitur gjashtë kushte për formimin e këtij asociacioni.

Lajme të ngjashme