"Izolim, trazira, kompromis": Çka parasheh marrëveshja bazë, sipas dokumentit të siguruar nga Nacionale? - NACIONALE

"Izolim, trazira, kompromis": Çka parasheh marrëveshja bazë, sipas dokumentit të siguruar nga Nacionale?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gazeta Nacionale ka arritur të sigurojë një dokument në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që besohet të jetë autentik, e që ka përkrahjen e vendeve të Quintit, pra të ShBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës e Italisë. Në tekstin që quhet “Serbia/Kosovo – vërejtje kritike”, flitet rreth parimeve thelbësore drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dy ditë para takimit të Ohrit, ku pritet të takohen Albin Kurti, kryeministër i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Në dokument theksohen parimet themelore, përfshirë një kornizë për të “lehtësuar marrëdhëniet dhe bashkëekzistencën paqësore, përkundër diferencave thelbësore ndërmjet palëve”. Në dokumentin e siguruar nga Nacionale, shkruhet se teksti final i marrëveshjes është një “produkt i një analize gjithëpërfshirëse” të të gjitha përvojave të tanishme dhe të mëparshme.

“Është një produkt unik politik, një kompromis i brendshëm autentik i BE-së i pranueshëm për vendet anëtare njohëse dhe mosnjohëse” – shkruhet aty.

Në pjesën e dyte, pra pas një hyrje ku përshkruhen parimet thelbësore, shkruhet për elementet kryesore.

“Propozimi bazë i sponsorizuar nga BE-ja, elementet kryesore”:

Respektimi i vijave të kuqe të të gjitha palëve.

Të akomodojë vijën e kuqe të Serbisë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, Kosova bën një hap prapa në këmbënguljen e saj për një normalizim të qendërzuar vetëm në njohjen reciproke. Në vend që të luftojë me Serbinë, Kosova zotohet të punojë me Serbinë për zgjidhjen e nevojave praktike të të gjithë njerëzve dhe komuniteteve.” – shkruhet në marrëveshje, teksa theksohet se Serbia zotohet të ndërtojë marrëdhënie praktike me Kosovën.

“Në vend që të luftojë për Kosovën, Serbia zotohet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të përfituar të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë.” - theksohet aty.

Në këtë dokument, parashihen edhe incentiva për palët, në rast se e nënshkruajnë këtë marrëveshje.

“Marrëveshja Themelore ofron një proces normalizimi me stimuj të qartë dhe të besueshëm ekonomikë, financiarë dhe politikë. Pranimi i Serbisë do të nis partneritetin e fortë strategjik të Serbisë me komunitetin perëndimor. Ky partneritet do ta transformojë Serbinë në një forcë kryesore ekonomike dhe politike rajonale. Ajo gjithashtu do ta afrojë Serbinë me komunitetin serb të Kosovës. Pranimi i Kosovës do të shënojë fillimin e shkëputjes së Kosovës nga menaxhimi i krizës, një mundësi e mirëfilltë për t'u fokusuar në zhvillimin substancial socio-ekonomik. Kosova më në fund do të jetë në gjendje të rritet vetë.” – theksohet në dokument.

Në këtë dokument përmendet edhe Rusia dhe Kina, duke theksuar se bashkësia perëndimore nuk ka luksin të dështimin në Ballkanin Perëndimor.

“Kompromisi është një vlerë kryesore e kulturës politike dhe vendimmarrjes së BE-së. Marrëveshja Themelore është një kompromis i vërtetë i brendshëm i BE-së i pranueshëm për shtetet anëtare njohëse dhe jo-njohëse. Edhe Serbia dhe Kosova duhet ta përqafojnë atë. Uniteti i BE-së kufizon opsionet e Serbisë dhe Kosovës:

1. Pranojnë Marrëveshjen dhe harmonizojnë qëndrimet e tyre me BE-në 27.

2. Refuzojnë marrëveshjen. Pezullojnë rrugën e integrimit në BE dhe hedhin tutje të gjitha proceset dhe përfitimet. Së shpejti do të pasojë izolimi dhe trazirat e brendshme.” – shkruhet në dokumentin e siguruar nga Nacionale.

Në këtë dokument, Serbia paralajmërohet se në rast nuk e pranon marrëveshjen, do të krijojë një mundësi për rritjen e Kosovës pa nevojën për të punuar me Beogradin.

“Serbia nuk ka veto për unitetin BE/NATO. Nëse e refuzon marrëveshjen, Serbia do të humbasë gjithashtu pesë mosnjohësit. Pavarësisht nga rezultati, BE/NATO përfundimisht do të flasë me një zë të vetëm për Kosovën.” – shkruhet aty, teksa paralajmërohet edhe Kosova në rast se nuk e pranon marrëveshjen bazë.

“Refuzimi i Kosovës mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës. Të zhgënjyer, partnerëve perëndimorë do t'u mungojë nxitja për të mbështetur rritjen e mëtejshme të Kosovës. Pa këtë mbështetje thelbësore, Kosova mund të shohë një përmbysje të progresit në disa fusha” – përfundon dokumenti.

Ndryshe, më 18 mars, Kurti dhe Vuçiqi do të takohen në Ohër, teksa diplomacia perëndimore vazhdon punën e saj për të shtyrë palët të nënshkruajnë marrëveshjen evropiane.

Lajme të ngjashme