“Forcë rajonale”: Serbia me përfitime 'marramendëse' nëse e pranon Propozimin Evropian
Media serbe “Nova” ka publikuar një lajm, në të cilin trajton ndikimet dhe sanksionet me të cilat do të përballet Serbia, në rast se nuk e nënshkruan marrëveshjen evropiane, ashtu siç njihet zyrtarisht plani franko-gjerman. Sipas Nova-s, nëse Serbia nuk e pranon plotësisht këtë marrëveshje, do të humbë përkrahjen e pesë vendeve evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Sigurisht, në raportim përmenden edhe përfitimet në rast se Serbia vendosë të nënshkruajë marrëveshjen.
Përveç kësaj, sipas këtij mediumi, që citon një dokument të diplomatëve evropianë, Bashkimi Evropian dhe NATO do të ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik.
“Nëse nuk e pranon plotësisht marrëveshjen evropiane për Kosovën, Serbia do të humbasë mbështetjen e pesë vendeve që nuk e njohin Kosovën. Përveç kësaj, Bashkimi Evropian dhe NATO do të krijojnë mundësi që Kosova të rritet në mënyrë të pavarur, pa bashkëpunim me Beogradin. Këto janë mesazhet kyçe të dokumentit më të fundit të diplomatëve europianë, të marra nga redaksia e gazetës “Nova”. Përfundimi i integrimeve evropiane, izolimi, dhe për herë të parë mundësia e “trazirave të brendshme” përmendet gjithashtu...” – shkruan kjo gazetë, transmeton Nacionale.
Në këtë dokument, që raportohet të jetë hartuar nga lehtësuesit e BE-së, tregohen edhe synimet e ardhshme në dialog. Në fakt, gazeta Nova shkruan se ky dokument është hartuar “si një platform për bisedime të mëtutjeshme me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës.
Përfitimet dhe ndëshkimet…
Ndonëse dokumente nuk është përfundimtar, Nova ka paraqitur përmbajtjen e saj, më saktësisht atë se çka do të fitonte Serbia nëse e pranon këtë marrëveshje.
“Nëse marrëveshja pranohet, Serbisë i parashikohet një partneritet i fortë strategjik me komunitetin perëndimor. “Ky partneritet do ta transformojë Serbinë në një forcë shtytëse kryesore ekonomike dhe politike rajonale dhe pranimi i propozimit të BE-së do ta afrojë atë me komunitetin serb të Kosovës”, thuhet në dokument.” – shkruan Nova.
Natyrisht, Nova shkruan edhe për atë se çka ndodhë nëse Serbia refuzon ta pranojë propozimin evropian.
"Nëse e refuzon marrëveshjen, Serbia do të humbasë edhe mbështetjen e pesë vendeve që nuk e njohin Kosovën. Pavarësisht nga rezultati, BE dhe NATO në fund do të flasin me një zë për Kosovën.” – theksohet në raportim.
18 marsi…
Më 18 mars në Ohër pritet të ndodh një takim mes Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, të cilët përmenden edhe në raportimin e medies serbe. Dy ditë para këtij takimi, në Kosovë po qëndron Gabriel Escobar, i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ka takuar liderët e opozitës sot dhe nesër pritet të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca.
Ndryshe, BE-ja, më saktësisht z. Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, është parë i moderuar në pritjet e tij për takimin e Ohrit.
“Unë nuk pres ndonjë ceremoni nënshkrimi në Ohër, sepse ka shumë palë të cilat po mbështesin këtë proces dhe besojmë se do të ishte e drejtë që edhe ata të ishin pjesë e kësaj.” – deklaroi ai ditë më parë.
"Atëherë, palët do të pajtohen lidhur me këtë në takimin e 18 marsit në Ohër, apo do të ketë mundësi shtesë?" - ishte pyetja e Lart Hoxhës, moderatorit të Context-it.
"Kjo është ambicia jonë. Unë me të vërtet besoj se do të kemi ambicien për t’u pajtuar për hapin e dytë, për pjesën e dytë të dokumentit, në mënyrë që ta mbyllin procesin." - theksoi z. Lajçak.
Kujtojmë që në një shkrim të publikuar sot, Joseph Borrell, shef i diplomacisë së BE-së, theksoi se nuk ishte e lehtë të qetësohej situata mes Kosovës dhe Serbisë.
“Por në vend që të avancojmë në tablonë e përgjithshme të normalizimit të marrëdhënieve për ta bërë Evropën më të sigurt dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit, koha dhe energjia jonë u mor nga menaxhimi i krizës, barrikadat dhe kërcënimet e dhunës me një afat pas tjetrit në gjysmën e dytë të 2022. Nuk ishte e lehtë të qetësohej situata dhe të shmangej një konflikt i plotë, por ia dolëm.” – ka shkruar ai tutje.


