Borrell bën pak 'dramë': S'ishte e lehtë ta shmangnim një konflikt TË PLOTË mes Kosovës dhe Serbisë
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell në prag të takimit të së shtunës, u ka bërë thirrje palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të pajtohen edhe për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, ashtu siç u pajtuan për propozimin evropian.
Në një shkrim të publikuar në faqen zyrtare të Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Borell ka thënë se ky takim do të jetë ndryshe nga të tjerët, dhe jo vetëm pse nuk do të organizohet nëpër sallat e njohura në Bruksel.
“Këtë të shtunë, do të thërras një takim të nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë. Kjo kohë është ndryshe nga takimet e mëparshme. Jo vetëm sepse do të takoj Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në rajon, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në vend që të takohem në sallat e njohura të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm në Bruksel. Por edhe sepse diskutimin tonë do ta fokusojmë në Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së fundit të BE-së që do të rezultojë në normalizimin e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja së bashku, në thelb, do të rezultojnë në normalizimin e jetës së njerëzve në rajon dhe do të hapin rrugën përkatëse të Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE.” – ka thënë ai.
Mes tjerash, kryediplomati ka përmendur edhe tensionet në veri të vendit gjatë fundit të vitit 2022, duke alarmuar se u shmang një "konflikt i plotë" mes dy vendeve.
“Por në vend që të avancojmë në tablonë e përgjithshme të normalizimit të marrëdhënieve për ta bërë Evropën më të sigurt dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit, koha dhe energjia jonë u mor nga menaxhimi i krizës, barrikadat dhe kërcënimet e dhunës me një afat pas tjetrit. në gjysmën e dytë të 2022. Nuk ishte e lehtë të qetësohej situata dhe të shmangej një konflikt i plotë, por ia dolëm.” – ka shkruar ai tutje.
18 marsi
Më 18 mars në orën 10:00 pritet që të nisin takimet e përfaqësuesve evropian, Josep Borell e Miroslav Lajçak, me liderët Albin Kurti e Alëksandër Vuçiq.
Fillimisht, takimet do të zhvillohet ndaras, për të mbajtur më pas një takim së bashku.
Takimi në Ohër vjen pas takimit të 27 shkurtit, të zhvilluar në Bruksel, ku të dyja palët janë pajtuar për propozimin franko-gjerman. Pas këtij takimi, kryeministri Albin Kurti u shpreh se ishte i gatshëm ta nënshkruante planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, i njohur si plani franko-gjerman.
“Çfarë po bën kryeministri Kurti gjatë kësaj kohe?” – kjo është pyetja që iu shtrua atij në një paraqitje para mediave së fundi.
“Unë jam shumë aktiv tërë kohën, sepse Qeveria e Kosovës ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, por një pjesë të kohës, krejt çka mundem, përgatitem duke i lexuar dokumentet e deritanishme, por, gjithashtu, duke lexuar literaturë sa u përket bisedimeve dhe negociatave. Këtu më ndihmojnë shumë këshilltarët, edhe të mitë si kryeministër, por edhe këshilltarët e zv.kryeministrit Bislimi, i cili, përveç për integrime evropiane, është edhe zëvendëskryeministër”– deklaroi ai.
Tutje, Kurtit iu shtrua edhe një pyetje, e cila duket se kishte të bënte me takimin, megjithëse gazetarja nuk dëgjohet mirë, por ai u përgjigj si vijon: “Unë mendoj që fle mirë”.

