“Bon Vivanti vs. Garda e vjetër”: A po përçahet PDK-ja rreth marrëveshjes evropiane? - NACIONALE

“Bon Vivanti vs. Garda e vjetër”: A po përçahet PDK-ja rreth marrëveshjes evropiane?

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Partia Demokratike e Kosovës që nga ikja e Kadri Veselit në Hagë, ka problem për të pasur një qëndrim të unifkuar për çështje të rëndësishme politike. Përçarjet janë shfaqur në disa raste e së fundmi edhe rreth marrëveshjes evropiane, e cila po përkrahet nga bashkësia ndërkombëtare. Sërish në pah kanë dalë “plasaritjet” mes grupit të “Bon Vivantit” dhe grupit të “gardës së vjetër”.

Madje, i pari i PDK-së, Memli Krasniqi, është kundër marrëveshjes evropiane, duke pasur kritika në lidhje me përmbajtjen e saj. Ditë më parë, z. Krasniqi, që e udhëheq partinë pas arrestimin të Veselit, rezervat e tij për marrëveshjen evropiane ia ka prezantuar edhe ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier. Ndonëse, takimin e bisedën me ambasadorin e ShBA-së e cilësoi si konstruktiv, z. Krasniqi vlerësoi se marrëveshja s’i përmbush pritshmëritë.

“Ambasadorit Hovenier i shpreha edhe një herë qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat tona në raport me propozimin evropian tashmë të pranuar nga Kryeministri Kurti”, tha ai.

Qëndrimin e tij kundër, z. Krasniqi e konfirmoi edhe sot, duke thënë se për shkak të përmbajtjes së saj, marrëveshja s’mund ta ketë mbështetjen e PDK-së.

“Kjo është marrëveshje ndërkombëtare dhe duhet të sillet në Kuvend për ratifikim, përndryshe nuk do të ketë validitet legal, nuk do të jetë obligativ. Kjo është shumë e rëndësishme të thuhet dhe sqarohet. Marrëveshja si e tillë i përmbushë kriteret që kërkohen nga neni 18 i Kushtetutës dhe duhet të sillet në Kuvend për ratifikim… Në momentin që një gjë e tillë arrihet ne do t’i vazhdojmë diskutimet tona, duke përfshirë mbledhjet e Këshillit Drejtues, kryesisë së partisë, diskutimeve të hapura për të vendosur për qëndrimin final. Por, një gjë ua them kështu si është kjo marrëveshje nuk mund të ketë mbështetjen tonë”- u shpreh Krasniqi për Kosovapress.

“Garda e vjetër” në aksion

Por janë së paku dy figura të rëndësishme të PDK-së, të rëndësishme për shkak të peshës së tyre historike e elektorale, që kanë një qëndrim më ndryshe se Krasniqi. Sami Lushtaku e Xhavit Haliti, dy ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë treguar qëndrimin e tyre në favor të marrëveshjes.

Halit, që për shumë vite ishte nënkryetar i Kuvendit, dje theksoi se marrëveshjen evropiane, sikur të ishte në Kosovë, do ta votonte edhe Hashim Thaçi, ish-president i Kosovës e themelues i PDK-së.

“Me pas qenë Hashim Thaçi në Kosovë, kjo marrëveshje do ishte nënshkruar që moti. Tani problemet janë ndryshe, nuk po them që nuk funksionon si në kohën kur ka qenë Thaçi këtu. Por, ne kemi të drejtë të bëjmë politikë opozitare edhe në raport me Lëvizjen Vetëvendosje edhe në raport me Albin Kurtin. Nuk e besoj që mund të ketë njerëz nga PDK-ja që do ta kundërshtojnë këtë marrëveshje.” – theksoi z. Haliti në Tëvë1.

Tutje, z. Haliti theksoi se PDK-ja duhet të reflektojë.

“Për interesa të vendit është mirë që të nënshkruhet marrëveshja nga pala kosovare. Unë uroj që gjatë këtyre ditëve PDK të reflektojë duke qenë opozitë e vërtetë kundër atyre që duhet me qenë, por kjo nuk është çështje e Albin Kurtit, kjo është çështje e Kosovës.” – deklaroi Haliti.

Ndërsa ditë më parë, z. Sami Lushtaku, që aktualisht është nënkryetar i Komunës së Skënderajt, kërkoi reflektimin e PDK-së rreth planit evropian.

“Në kohën kur ne po i kujtojmë sakrificat më të rënda të popullit, duhet kujtuar se liria u fitua me aleatët tanë të bekuar. Mashtrimi i Albin Kurtit ishte mohimi i kësaj sakrifice dhe kësaj aleance. Ne si PDK jemi krenarë me punën që kemi bërë sot, para 10 viteve por dhe para 25 viteve nga paraardhësja jonë ushtarake. Plani amerikan për paqe në Ballkan është plan i aleancës tonë me miqtë tanë. Marrëveshja do të kalojë sepse kemi nevojë për NATO dhe për një hov të zhvillimit përpara.” – shkroi Lushtaku me 7 mars.

Tutje, z. Lushtaku e përmendi edhe kryeministrin Albin Kurti, duke e quajtur mashtrues.

“Jemi ne - Drenica, PDK, qytetarët tanë ata që duhet të jemi prijës të kësaj lëvizje perpara e jo mashtruesit, ata që përdoren gaz lotsjellës, zolla, urrejtje për të na përçarë. Albini vjen e shkon si një mashtrues i imtë, por sakrifica jonë dhe aleanca jonë me SHBA do të mbetet përgjithmonë.” – theksoi tutje ai.

Kujtojmë që më 18 mars në Ohër, kryeministri Kurti pritet të takohet me Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë. Megjithatë, BE-ja është treguar e matur, duke theksuar se nuk pret ndonjë ceremony nënshkrimi të marrëveshjes evropiane në Ohër.

Lajme të ngjashme