S’po ndryshojnë qëndrim: Escobar fton në të errur Abdixhikun e Krasniqin në një darkë sonte - NACIONALE

S’po ndryshojnë qëndrim: Escobar fton në të errur Abdixhikun e Krasniqin në një darkë sonte

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar aktivitetin e tyre për të bindur palën kosovare për marrëveshjen me Serbinë. Rezervat që opozita ka shprehur ndaj Planit të BE-së, kanë shpeshtuar takimet e zyrtarëve të lartë amerikan me përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së.

Në këtë kuadër, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sonte në një darkë pune do të këtë një takim të përbashkët me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Takimin e kanë konfirmuar për gazetën Nacionale burimet e sigurta brenda këtyre dy partive politike.

Po, sot kryetari do të takohet me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në ora 18:00, në një darkë pune”, ka thënë burimi i gazetës.

Liderët e të dy partive opozitare kanë shprehur rezervat e atyre ndaj planti të BE-së, duke u ankuar për mungesën e njohjes.

Ankesat e tyre kanë të bëjnë me mungesën e njohjes së ndërsjellë dhe me nenin 7 ta Planit të BE-së. Sipas tyre, ky nen është përtej Asociacionit.

Qëndrimet e PDK-së dhe LDK-së për Planin BE-së

Këtë javë liderët e të dy partive kanë takuar edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Edhe pas takimeve me ambasadorin amerikan, ata nuk kanë ndryshuar qëndrim për marrëveshjen.

Ambasadorit Hovenier i shpreha edhe një herë qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat tona në raport me propozimin evropian tashmë të pranuar nga Kryeministri Kurti. Për ne, kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe një mundësi e humbur për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë në qendër. Përkundër mbështetjes që PDK i ka dhënë Kryeministrit Kurti për dy vjet me radhë në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë, përmes gabimeve e veprimeve kryeneqe dhe në shpërputhje me kontekstin politik, ai ka dështuar që të arrijë përmbushjen e qëllimeve shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka treguar për diskutimet që ka pasur me ambasadorin amerikan.

Biseduam për zhvillimet politike në vend dhe procesin e dialogut. Ambasadorin e njoftova mbi qëndrimin tashmë të bërë publik të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi procesin e dialogut. LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka treguar për shqetësimet që ia ka diskutuar me diplomatin amerikan.

LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë - Serbi. Në takim po ashtu elaboruam edhe pikëpamjet tona mbi Preambulën, Nenin 7 dhe Nenin 10 të tekstit të marrëveshjes”, ka shkruar Abdixhiku.

Lajme të ngjashme