Escobar pas takimit me Osmanin: Shpresoj për lajme të mira nga Ohri - NACIONALE

Escobar pas takimit me Osmanin: Shpresoj për lajme të mira nga Ohri

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tashmë ka përfunduar takimi mes Vjosa Osmanit, presidente e Koosvës, dhe Gabriel Escobarit, i dërguar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor. Madje, këta dy kanë mbajtur edhe një konferencë për media së bashku, ku kanë folur për zhvillimet aktuale, një ditë para takimit të Ohrit, ku pritet të takohen Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Escobar, në fjalën e tij të shkurtër, foli për lajme të mira nga Ohri.

“Ne kemi si qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësinë për Kosovën dhe Serbinë për tu bërë pjesë e komunitetit euroatlantik. Dhe mendoj që ky propozim evropian, i lehtësuar përmes dialogut të BE-së, mundëson një mundësi të jashtëzakonshme për marrëdhënie paqësore, të qëndrueshme dhe produktive nëpërmjet dy vendeve të rëndësishme” – tha ai.

“Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi për qëllim që kjo të funskionoj për Kosovën, dhe jo vetëm për Kosovën po për rajonin” – vazhdoi ai, duke shtuar se pret lajme të mira nga Ohri.

Në fjalën e saj presidentja e Kosovës, ku nuk kishte pyetje nga gazetarë, ka theksuar se takimi i Ohrit është i rëndësishëm. Madje, ajo dukej optimiste rreth këtij takimi.

Republika e Kosova do të vazhdoj të angazhohet me dialog me përkushtim të plotë dhe me qasje konstruktive siç ka bërë përgjatë gjithë këtij procesi, sidomos tani duke kuptuar momentumin e rëndësishëm që paraqet takimi në Ohër”, ka thënë ajo.

Ajo ka deklaruar se Kosova beson në një marrëveshje.

Ne besojmë se një marrëveshje të drejtë e gjithëpërfshirëse ku përfshihemi si dy shtete të barabarta është e vetmja mënyrë për të siguruar paqen afatgjate, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi si dhe me shpresën për një rezultat pozitiv. Çdo tendencë nga Serbia për të penguar këtë rezultat nëpërmjet kushtëzimit mund ta dëmtoj pastaj tërësisht procesin e dialogut”, është shprehur Osmani.

Ajo ka treguar përfitimet që ka Kosova nga një marrëveshje e mundshme.

Pritshmëria ime si presidente është se marrëveshja do të sjell rezultate konkrete të prekshme për Kosovën, rrjedhimisht do të siguroj integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, do të siguroj integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës”, ka thënë Osmani.

Ohri...

Ndryshe nesër pritet të ketë një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq në qytetin e Ohrit. Dje, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell në prag të takimit të së shtunës, u bëri thirrje palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të pajtohen edhe për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, ashtu siç u pajtuan për propozimin evropian.

“Këtë të shtunë, do të thërras një takim të nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë. Kjo kohë është ndryshe nga takimet e mëparshme. Jo vetëm sepse do të takoj Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në rajon, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në vend që të takohem në sallat e njohura të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm në Bruksel. Por edhe sepse diskutimin tonë do ta fokusojmë në Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së fundit të BE-së që do të rezultojë në normalizimin e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja së bashku, në thelb, do të rezultojnë në normalizimin e jetës së njerëzve në rajon dhe do të hapin rrugën përkatëse të Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE.” – ka thënë ai.

Mes tjerash, kryediplomati ka përmendur edhe tensionet në veri të vendit gjatë fundit të vitit 2022, duke alarmuar se u shmang një "konflikt i plotë" mes dy vendeve.

“Por në vend që të avancojmë në tablonë e përgjithshme të normalizimit të marrëdhënieve për ta bërë Evropën më të sigurt dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit, koha dhe energjia jonë u mor nga menaxhimi i krizës, barrikadat dhe kërcënimet e dhunës me një afat pas tjetrit. në gjysmën e dytë të 2022. Nuk ishte e lehtë të qetësohej situata dhe të shmangej një konflikt i plotë, por ia dolëm.” – ka shkruar ai tutje.

Lajme të ngjashme