“Mos më pyetni për përmbajtje”: Vazhdon mostransparenca e turpshme për takimin Kurti-Vuçiq - NACIONALE

“Mos më pyetni për përmbajtje”: Vazhdon mostransparenca e turpshme për takimin Kurti-Vuçiq

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Ka përfunduar konferenca për media e zëdhënësit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano i cili nuk dha shumë detaje rreth asaj që po ndodhë atje, e madje, nuk pranoi pyetje as nga gazetarët. Çka bëri të ditur ai?

Stano nuk ka treguar as nëse ka filluar takimi tre palësh mes Bashkimit Evropian, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq.

Ndonëse gazetarët tentuan që të marrin detaje rreth kësaj, ai u largua nga vendi ku po mbahej konferenca për media.

S’dihet kur përfundon takimi

Në fakt, zëdhënësi i BE-së nuk ka dijeni as se kur mund të përfundojë takimi, duke ditur rrjedhën e diskutimeve të nivelit të lartë që ka pasur raste kur ka zgjatur deri në tetë orë.

“Në fund të takimit të ditës së sotme ai do të dalë para mediave, nuk e dijmë kohën, por do t’ju informoj përmes kolegëve këtu. Me dialogun siç jemi mësuar nuk e dijmë se kur do të përfundojë, por shpresojmë që ky takim do të përfundojë dikur pasdite apo në mbrëmje.– ka thënë ai.

Ndonëse u raportua se përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell do të mbajë konferencë për media, Stano ka konfirmuar se ai vetëm do të deklarohet para gazetarëve, dhe nuk mund të kërkohen sqarime shtesë.

“Kur ky nivel i takimit të Lartë të përfundojë, përfaqësuesi i Lartë do të dalë këtu dhe do të flasë. Nuk do të jetë konferencë për media dhe gazetarët nuk do të kenë mundësi që të bëjnë pyetje e të marrin sqarime shtesë.” – tha ai.

Tutje, Stano shtoi: “Pra, vetëm deklarim, nuk ka pyetje, çdo gjë do të jetë në gjuhën angleze.”

Veç kësaj, Stano nuk pranoi të japë kurrfarë informacioni rreth takimit, duke i paralajmëruar fillimisht gazetarët për këtë.

“Do t’ua kursej energjinë, mos më pyesni pyetje rreth përmbajtjes, nuk do të tregoj asgjë.” – ka thënë ai.

Çka dijmë?

Më së paku, ajo që dijmë është se ndërmjetësuesit evropianë, Mirsolav Lajçak e Josep Borell mbajtën një takim në mëngjes fillimisht me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Më pas, ata takuan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti – takime këto që zgjatën të dyja rreth nga një orë.

Nuk dihet se çfarë është diskutuar në këto takime pasi që asnjëra nga palët nuk është deklaruar zyrtarisht për media, megjithatë, më herët është konfirmuar se do të diskutohet rreth planit të zbatimit të propozimit evropian, të cilin palët veç se e kanë pranuar.

Ndërkohë, është përfolur shumë edhe për arritjen e marrëveshjes dhe formalizimin atje, çështje për të cilën është deklaruar emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

"...ne nuk jemi të fokusuar në nënshkrim, por po fokusohemi në finalizim. Kjo do të thotë të kemi një pajtim që të dyja vendet të përgatiten për diskutime reale dhe një pajtim real në marrëdhënien e tyre. Kështu që, kjo është më e rëndësishme: finalizimi i aneksit." - tha ai në një intervistë për REL-in.

Lajme të ngjashme