Përfundojnë takimet dy palëshe: Së shpejti nis ai mes Kurtit dhe Vuçiq - NACIONALE

Përfundojnë takimet dy palëshe: Së shpejti nis ai mes Kurtit dhe Vuçiq

1 vit më parë

nga NACIONALE

Radio Evropa e Lirë raporton se kanë përfunduar takimet dy palëshe në Ohër.

Ndërmjetësuesit evropianë, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak, fillimisht kanë takuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq e më pas kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkohë, i njëjti medium raporton se pas pak pritet të nisë takimi i përbashkët.

Çka po diskutohet?

Nuk dihen ende detaje brenda këtyre takimeve, megjithatë, dihet se palët do të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian.

Më 27 shkurt, në takimin paraprak Kosova dhe Serbia u pajtuan me planin që tashmë është bërë publik dhe përmban gjithsej 11 pika.

Mes tyre, në pikën 10 flitet për çështjen e marrëveshjeve e ku Kosova po ashtu zotohet që t’i respektojë të gjitha, duke përfshirë edhe atë të Asociacionit.

Ndërkaq, nuk dihet nëse BE-ja do ta bëjë publik edhe aneksin e zbatimit, megjithëse, kanë paralajmëruar se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt.

Shumë takime të vogla para takimit të madh

Para këtij takimi, Kryeministri i Kosova, Albin Kurti, ka pasur një agjendë të ngjeshur para takimit trepalësh në Ohët. Ai sot ka zhvilluar shumë takime të vogla para takimit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesit e BE-së.

Fillimisht, i pari i qeverisë, është takuar me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Më pas, Kurti është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski.

Pas këtyre takimeve, Kurti është shprehur optimist për takimin e madh.

Jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe popullit për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse unë jam kryeministër i republikës i të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë Kurti, raporton Klan Kosova.

Ai ka deklaruar se Kosova është e interesuar për marrëveshje.

Me këtë rast, përveçse jam optimist, kam ardhur me qëllim dhe vullnet të mirë, dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët, që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim”, është shprehur Kurti.

Kryeministri Kurti ka takuar edhe me zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti e ka falënderuar emisarin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme.

“Folën për takimin e sotëm, rëndësinë dhe pritjet nga ky takim. Kryeministri Kurti e falënderoi z. Escobar për mbështetjen vazhdueshme të tij dhe të ShBA-së në procesin e dialogut, duke theksuar këtu përkushtimin dhe qasjen konstruktive të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë fundjavë dhe për gjatë gjithë procesit”, është thënë në njoftimin e ZKM-së.

Lajme të ngjashme