Kurti e Sveçla në konferencë: Barrikadat në veri po largohen, me sulmet po merret Policia e Prokuroria - NACIONALE

Kurti e Sveçla në konferencë: Barrikadat në veri po largohen, me sulmet po merret Policia e Prokuroria

1 vit më parë

nga Gazeta Nacionale

Një ditë pas tensioneve në veri, kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, kanë mbajtur një konferencë për media. Aty i pari i ekzekutivit e vartësi i tij, shpjeguan situatën aktuale në veri të vendit dhe atë çfarë ndodhi që nga dje.

Në këtë konferencë për media, Kurti e Sveçla treguan për sulmet ndaj qytetarëve në veri, bllokimin e pikave kufitare, e dialogun me Serbinë pas tensioneve, ndër të tjera.

Çfarë tha kryeministri Kurti?

I pari i ekzekutivit, në fillim të konferencën, u shprehi mirënjohje policëve për angazhimin në veri të vendit.

Kurti informoi se pikat kufitare vazhdojnë të mbesin të bllokuara.

"Shpreh mirënjohje të thellë ndaj policisë së Kosovë që janë në veri të Ibrit, duke vepruar me profesionalizëm të lartë. Pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, ende mbeten të mbyllura", shtoi Kurti.

Gjatë paraqitjes së tij, Kurti theksoi se strukturat ilegale të Serbisë janë kriminale e agresive si rrallë më parë.

“Mbrëmë ka pasur të shtëna në drejtim të Policisë së Kosovës dhe 9 barrikada me njerëz të armatosur të cilët kanë ndaluar qytetarët në automjete e ata këmbësorë. Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive si rrallë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë sepse ato i mbështet i gjithë aparati shtetëror i fqinjit tonë verior”, tha Kurti.

Shefi i Qeverisë tha se me rastet kriminale në veri po merren policia e prokuroria.

“Janë me dhjetëra shkelje të rënda dhe të qarta të ligjit të bëra dje e me të cilat po merren Policia dhe Prokuroria. Fatmirësisht nuk ka të plagosur me armë zjarri”, theksoi ai.

Kryeministri deklaroi se nuk ka ndonjë ftesë ende nga Joseph Borrell, shef i diplomacisë së BE-së, për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel.

Çfarë tha ministri Sveçla?

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media, ka njoftuar se gjatë zhvillimeve të djeshme në Veri të vendit, janë lënduar 11 qytetarë të Kosovës.

Pos qytetarëve, Sveçla tha se janë dëmtuar edhe disa vetura të qytetarëve dhe Policisë së Kosovës.

“Nga zhvillimet e djeshme, i kemi 11 qytetarë të Kosovës që janë lënduar. Ndërsa janë dëmtuar edhe disa vetura të qytetarëve edhe të Policisë së Kosovës nga strukturat kriminale ilegale të armatosura” – ka thënë Sveçla.

Ai tha se sipas informacioneve zyrtare, barrikadat kanë filluar të largohen.

“Sipas informacioneve të fundit, disa barrikada janë larguar dhe një pjesë e barrikadave tjera kanë filluar të largohen. Bashkë me organet e rendit ne po punojmë në mbarëvajtjen e procesit” – shtoi Sveçla.

Takimi në Bruskel

Pas situatës së krijuar në veri të vendit, Bashkimi Evropian ka ftuar në takim palën Kosovare dhe atë Serbë që të takohen në Bruksel.

Në një përgjigje për Nacionalen, BE tregoi se e fton Kosovën e Serbinë në Bruksel për të diskutuar rrugën përara.

“Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së HRVP Borrell dhe SHBA-së për shtyrjen e masave të planifikuara në lidhje me targat dhe kartat e identitetit, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugën përpara”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Tutje nga BE thuhet se mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet është përmes dialogut dhe negociatave.

“Mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet është përmes dialogut dhe negociatave.BE-ja po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës. Të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë të qetë dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Bashkimi Evropian në këtë përgjigje thonë se mbesin në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë, për të qetësuar tensionet në koordinim të ngushtë më EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në.

“BE-ja ka qenë dhe mbetet në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë për të qetësuar tensionet, në koordinim të ngushtë me EULEX-in, KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në”, thuhet nga zyra e BE-së.

Lajme të ngjashme