Zero fjalë për nëntë çnjohje të pretenduara: Ku është Donika Gërvalla?
Krejt po e kërkojnë kryediplomaten e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz. Në fakt po kërkohet reagimi i saj për pretendimet trishtuese të palës serbe në raport me çnjohjen e shtetit të Kosovës nga nëntë shtete. Gërvalla-Schwarz deri më tani nuk ka thënë asnjë fjalë ndonëse ka dhjetëra reagime dhe kërkesa që ajo të sqarohet nëse me të vërtetë ka çnjohje.
Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.
Somalia, Burkina Faso, Gabon, Estwatini, Lybia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet, sipas Vuçiqit, kanë tërhequr njohjen.
Ndërkaq, as kryediplomatja Gërvalla e as ndonjë zyrtarë i lartë i pushtetit nuk ka komentuar këto deklarata.
Në anë tjetër, analistë e njohës të zhvillimeve politike, kanë kërkuar nga Gërvalla që të deklarohet rreth këtyre pretendimeve të palës serbe.
Kërkohet reagimi i Gërvallës
Analisti i politikës, Imer Mushkolaj, ka kërkuar nga kryediplomatja Gërvalla që të sqarohet për pretendimet e Serbisë për çnjohjen e Kosovës.
Ai ka shkruar në Facebook se nëse nuk ka tërheqje të njohjeve atëherë Gërvalla duhet t’i demantojë ato, por të mos veprojë siç thotë ai: “s'ka transparencë, ka veç heshtje.”
“A mundet me na tregu Donika Gërvalla a e ka tërheq zyrtarisht ndonjë shtet njohjen e Kosovës? Nëse jo, a mundet me i demantu pretendimet e Beogradit? Apo, si zakonisht, s'ka përgjigje, s'ka transparencë, ka veç heshtje.”, ka shkruar ai.
Po ashtu, profesori universitar, Fadil Maloku, ka pyetur se ku i ka “çadrat” duke shtuar se ajo po merret me probleme administrative të ministrisë dhe jo me paralajmërimet e Serbisë.
“Ka i ki çadrat oj kryediplomate e Kosovës, Zonja Donika Gërvalla-Schëarz?! Sepse, Serbia dhe kryediplomati i saj (një këlyshëz i Millosheviqit!) Ivica Daçiqi, ka kohë që na ka paralajmëruar për një numër të madh ÇNJOHJESH që i ka në "fiokën" e tij diplomatike, ndërkaq Ti ende merresh me "ngarkesa-shkarkesa" të administratës?! Një punë kjo kot së koti, që se ka asnjë vlerë e asnjë "peshë specifike", në fahun që je i duke e ushtruar aktualisht.”, ka thënë ai.
Në anë tjetër, ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj për këtë situatë me pretendimet e Serbisë për çnjohje të Kosovës, ka kërkuar të komunikohet me shtetet që përmenden nga pala serbe si dhe të fillojë vizitat në këto shtete.
“Të vë komunikim menjëherë me homologët respektiv të shteteve që përfliten përmes ambasadorëve tanë jorezidentë; Nëse nuk kemi ambasadorë jorezidentë në ato shtete, gjatë bisedës me homologë t’i njoftojë ata se Kosova planifikon të emërojë një të tillë (me mbulueshmëri gjeografike qoftë nga ambasada jonë e afërt, qoftë nga Prishtina);Të fillojë pa humbur kohë përgaditjet për vizita zyrtare në këto shtete apo/dhe t’i ftojë homologët të vizitojnë Kosovën sa më parë; Të jetë në komunikim të vazhdueshëm me Këshilltarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë e Bardhë që mbulojnë Evropën dhe dialogun me Serbinë.”, ka renditur ajo.
Përveç këtyre edhe zyrtarë të partive opozitare kanë kërkuar llogari nga kryediplomatja, Donika Gërvalla.
Ku është Gërvalla-Schwarz?
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla siç bëhet e ditur se është në Vatikan, ku po merr pjesë në ceremoninë e varrimit të Papa Benedikti XVI.
Gërvalla atje do të shoqërohet nga përfaqësuesi i presidentes, Vjosa Osmani, për Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari.
“Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, e shoqëruar nga përfaqësuesi i Presidentes së Republikës së Kosovës për Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari, do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të varrimit të Papës Emeritus Benediktit XVI, e cila organizohet në sheshin “Shën Pjetri”, në Vatikan.”, thuhet në njoftim.
“Pjesëmarrja në këtë ceremoni e delegacionit zyrtar të Kosovës, dëshmon për respektin që Papë Benedikti XVI gëzon ndër qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe për kujdesin që Kosova u kushton tradicionalisht raporteve me Selinë e Shenjtë”, thuhet në njoftim.
Nuk dihet se cili do të jetë reagimi i autoriteteve kosovare ndaj kësaj fushate të Serbisë për çnjohje ndaj shtetit të Kosovës.



