Kurti ia lejon vizitën në Kosovë Patriarkut Porfirije, kërkesën ia bëri Nenad Rashiqi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dhënë leje Patriarkut Porfirije që të vizitojë Kosovën pas kërkesës nga ministri i për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq.
Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit të Kosoës duke shtuar se Patriarkut Porfirije do të hyjë pa truproje në Kosovë.
Njoftimi i plotë
Sot në mesditë, Ministri për Kthim dhe Komunitete, z. Nenad Rashiq, kërkoi nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, që t’i lejohet Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe që të hyjë në Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për festën e Krishtlindjes Ortodokse.
Patriarku Porfirije ka paralajmëruar që sot pasdite do të vijë te vendkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se dëshiron të hyjë pa truprojet e tij, edhe pse nuk ka bёrё kёrkesё pёr vizitё sipas dispozitave tё marrëveshjes ekzistuese. Ministrit Rashiq, Kryeministri Kurti iu përgjigj pozitivisht.
Paralajmёrimi i Patriarkut Porfirije se planifikon tё hyjё pa truproje nё Kosovё është edhe një dëshmi e radhës se Kosova është vend më i sigurt se Serbia.
Vizita e shtyrë
Ndryshe Patriarku Porfirije e kishte planifikuar një vizitë në Kosovë në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar. Por Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diaposrës (MPJD) i kishte listuar disa kushte rreth vizitës së patriarkut serb. Një nga këto kushtet ishte edhe distancimi i Patriarkut Porfirije nga personat e Kishës Ortodokse Serbe që sipas MPJD-së i ofronin përkrahje grupeve kriminale në veri të Kosovës.
Madje, atij i ishte ndaluar hyrje përmes pikëkalimit kufitar të Merdares, ndonëse vizita ishte planifikuar të ndodhte më 26 deri më 28 dhjetor të 2022, që ishte edhe periudhë e tensioneve të larta në veri, ku pati edhe barrikada e të shtëna me armë.
Rreth ndalimit të vizitës së patriarkut Porfirije, Peshkopi i Kishës Ortodokse Serbe në Amerikë, Irinej Dobrijeviq, i kishte dërguar një letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken.
Siç raportonin mediet serbe, Peshkopi Dobrijevqi i ka tërhequr edhe një herë vëmendjen Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Anthony Blinken, duke pretenduar për shkeljen flagrante të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive fetare të serbëve nga Qeveria e Kosovës.
Siç shkruanin mediet serbe “ai tërhoqi vëmendjen për mënyrën se si autoritetet e Prishtinës e trajtuan kreun e një prej kishave ortodokse më me ndikim në Ballkan gjatë festave të Krishtlindjeve, i cili erdhi me qëllimin për të sjellë një mesazh paqeje dhe mirëkuptimi mes të gjithë njerëzve”.
“Peshkopi kërkoi nga autoritetet në Uashington që të ndalojnë me vendosmëri synimet e shqiptarëve të Kosovës për të shkaktuar trazira gjatë festave të Krishtlindjeve dhe për të përsëritur trazirat e vitit 2004 kundër popullit serb, murgjve dhe klerit, si dhe monumenteve fetare dhe kulturore në Kosovë”, raporton Nova.rs.
Letra me përmbajtje të njejtë i është dërguar dhe institucionve të tjera, përfshirë këshilltarit për Siguri Kombëtare të SHBA-ve, Jake Sullivan, Ambasadorit për Liritë Fetare Ndërkombëtare në Departamentin e Shtetit, si dhe një anëtari të Kongresit në grupin për Liri Ndërkombëtare Fetare.
Ndërsa për këtë çështje, Kisha Ortodokse Serbe theksonte se nga pikëpamja e të drejtave të njeriut dhe lirive fetare të çdo personi, ky vendim është i paarsyeshëm dhe absolutisht i papranueshëm.
“Patriarku e di se populli serb, veçanërisht në Kosovë e Metohi, e ka pritur këtë lajm me indinjatë të madhe, por apelon që të mos lejohet që ky provokim të bëhet justifikim për rrezikimin e mëtejshëm të popullit tonë dhe të shenjtëve të tij. Patriarku nuk do të largohet nga populli i tij dhe do të bëjë gjithçka që të takohet me ta dhe t'i lutet së bashku Zotit sa më parë”, kishte deklaruar Kisha Ortodokse Serbe.

