Serbia bëri aktivitet të ngjeshur diplomatik gjatë 2022-s në vendet që Vuçiq tha se e çnjohën Kosovën
Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në adresimin vjetor para popullit serb pretendoi dje se nëntë shtete e kishin tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Ai i përmendi këto shtete edhe me emër. Por, aktivitetet e diplomacisë serbe kanë qenë edhe të hapura për publikun gjatë këtyre muajve. Më poshtë keni disa prej tyre.
Gaboni, Somalia, Saint Lucia, Burkina Faso, Maldivet, Antigua dhe Barbuda, Libia dhe Eswatini tha Vuçiq se ishin shtetet që e kishin çnjohur Kosovën. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk tha asgjë deri tash duke qëndruar në një heshtje ‘shurdhuese’.
Diplomacia serbe nuk e ka rreshtur aktivitetin e saj armiqësor kundër Republikës së Kosovës asnjëherë, ndërkohë që e ka intensifikuar pas përfundimit të moraturiumit një-vjeçar të arritur në Shtëpi të Bardhë më 4 shtator 2020 që ia ndalonte të bënte fushatë për çnjohje.
Por, fushata e saj ka vazhduar prej asaj kohe, dhe më poshtë keni disa prej aktivitete të kryera haptas (të publikuara në Twitter) në shtetet që u tha se e çnjohën Kosovën.
Gaboni
Më 18 tetor 2022, pra pak më shumë se tre muaj më parë, ish-kryediplomati serb Nikolla Selakoviq do të takohej me Michel Xavier Biangun – përfaqësuesin e përhershëm të Gabonit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Aty thuhej që ishte njoftuar Biangu për procesin e dialogut dhe për angazhimin e Serbisë për “paqë, stabilitet dhe zhvillim ekonomik në rajon”.
Në fillimvit po ashtu kishte pasur takime. Selakoviqi e kishte takuar Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Gabonit, z. Michael Moussa-Adamo.
E shefi i diplomacisë serbe do të udhëtonte madje edhe në kryeqytetin e Gabonit, Libreville, për ta vazhduar fushatën e tij ku do të takohej edhe me presidentin e këtij vendi.
Në korrik ndërkohë, mes këtyre dy shteteve ishin nënshkruar shumë marrëveshje.

Somalia
Në muajin nëntor, Ambasada Somaleze në Serbi do të ndante një qëndrim nga qeveria e këtij vendi e cila do të vlerësonte “lart mbështetjen e vlefshme të Qeverisë së Serbisë në ndihma humanitare për zonat e prekura nga thatësira në Somali.”
Ndërkohë, më 18 nëntor, ministri i sapo-emëruar i Punëve të Jashtme Daçiq ishte takuar me homologun e tij ku mes temave të diskutuara thuhej të ishte “mbështetja reciproke për integritetin territoral të Serbisë dhe Somalisë”.
E para tij, në shtator para-ardhësi i Daçiqit, Selakoviqi po ashtu e kishte takuar homologun Jama.

Saint Lucia
Dhe, Serbia ka vazhduar aktivitetin e saj edhe në Saint Lucia. Ministri Selakoviq e kishte takuar homologun e tij Alva Romanus Baptiste po në shtator në margjina të sesionit të 77 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Por, atë e kishte takuar edhe në shkurt të vitit 2022.

Burkina Faso
E fushatë ishte bërë edhe në Burkina Faso gjatë muajit tetor të vitit 2021. Selakoviqi e kishte takuar homologun e tij Alpha Barry. Ky bashkëpunim ishte rritur më pas me shkuarjen e Barryt në Beograd në muajin dhjetor.
Maldivet
Aktivitet diplomatik Serbia ka bërë edhe me Maldivet. Takimi më 19 shtator të vitit 2022 kishte ndodhur mes Selakoviqit dhe homologut të tij nga ky shtet, Abdulla Shahidit. Shahidin e kishte takuar në nëntor edhe Ivica Daçiqi.

Antigua dhe Barbuda
Antigua dhe Barbuda po ashtu është një prej shteteve që e kishin njohur Kosovën e që pretendohet ta kenë çnjohur më pas.
Serbia në dhjetorin e vitit 2021 do të ofronte 10 bursa studimi për studentët e këtij shteti.

Eswatini
Në muajin prill, ish ministri Selakoviq e kishte takuar kryekuvendarin e Eswatinit, Petros Mavimbelan.
Po gjatë këtij viti, ishin nënshkruar edhe shumë marrëveshje mes kryediplomatëve të këtyre dy vendeve.