Kthimi prapa: Qysh u ringjall debati UÇK vs. LDK pas fillimit të gjykimit të Thaçit e të tjerëve në Hagë?
Që nga java e kaluar është rikthyer debati pothuajse i përhershëm politik rreth ndarjes së krahut të luftës dhe krahut të paqes. Më saktësisht, fillimi i gjykimit në Dhomat e Specializuara të Hashim Thaçit dhe të tjerëve, e ka ndezur përçarjen mes UÇK-së dhe LDK-së. Disa debate, pjesëmarrje e aktivistëve të hershëm të LDK-së, por edhe paraqitje skandaloze në televizionet kosovare e ka karakterizuar 10 ditët e fundit.
Megjithatë, që në krye të herës duhet cekur një fakt, që është për t'u admiruar. Në këtë ringjallje të këtij debatit, nuk ka marrë pjesë asnjë zyrtar i rëndësishëm i LDK-së, duke zgjedhur të mos i kontribuojnë rikthimit të ndarjes së hershme mes "krahut të luftës" dhe atij të "paqes". Më saktë, në lidhje me fillimin e gjykimit në Hagë nga LDK-ja zyrtare ka folur vetëm Lutfi Haziri, nënkryetari i LDK-së, i cili nuk bëri asnjë akuzë apo goditje ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale.
Në fakt, ishin disa medie që filluan organizimin e debateve ku të ftuar ishin disa personalitete që kanë notuar gjatë në bazenin e ndarjes “krahu i luftës vs. krahu i paqes”. Adem Salihaj, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës e bashkëpunëtor i afërt i Ibrahim Rugovës, u ftua në dy emisione në kohën kur ka shikueshmëri më të lartë.
Së pari, Salihaj u shfaq në emisionin “Pressing” të T7, ndërsa herën e dytë në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit. Salihaj, që ishte plagosur pas luftes, foli me emra rreth paralajmërimit ndaj tij për arrestim, duke përmendur edhe ekzistimin e listës për eleminimin e njerëzve të LDK-së.
“Mua më kanë thirrë në shtab të Zonës së Nerodimes edhe m’u kanë kërcënuar direkt. Direkt më kanë kërcënuar, komandanti i shtabit Shukri Buja më ka thënë se nëqoftëse ti flet edhe një herë, ne të arrestojmë.” - ka thënë Salihaj në Pressing.
Ndërsa në RTV Dukagjini, Salihaj tregoi edhe për atentatin ndaj tij, duke e përmendur sërish Bujën. Megjithatë, në “Debat Plus”, që udhëhiqet nga moderatori Ermal Panduri, dje ishte ndoshta epitoma e debatit të ndërtuar mbi ndarjen mes UÇK-së dhe LDK-së.
Në këtë emision, dje u paraqit Imer Imeri, vëllai i Haki Imerit, ish-pedagogut të vrarë 24 vitë më parë, i cili njëherit e ka edhe statusin e viktimës në Gjykatën Speciale. Në një analizë të shkruar nga Nacionale, debati në “Debat Plus” u cilësua si paraqitje “horror”. Imeri tregoi publikisht se është dëshmitar në Gjykatën Speciale.
“Unë jam dëshmitar i Gjykatës Speciale, i hapur, çka i kam thënë Prokurorisë, nuk i qes para jush. Por qeto punë që i kam qitë moti kohë në EULEX, qëto i them edhe para jush, a po i lypni?” – deklaroi Imeri.
Tutje, Imeri foli edhe për Hashim Thaçin, ish-presidentin e Kosovës, teksa vrasjen e vëllait të tij e plagosjen e tij e lidhte me të qenit pjesë e LDK-së, partisë më të vjetër në Kosovë. Në lidhje me vrasjen e vëllait të tij, i cili ishte shpallur hero nga ish-president Thaçi, u zhvillua edhe një dialog interesant mes tij e Pandurit.
“Po ju pyes, nëse është emri i ndonjërit nga ata për të cilët ju ka folur Thaçi dhe e keni aty në dosjën tuaj të kaltër, është sot në mesin e të akuzuarve?” – e pyeti moderatori Ermal Panduri.
“Unë fola edhe pak më herët, do sene që janë për Gjykatë…” – filloi përgjigjën e tij Imeri.
“A është në mesin e urdhërdhënësve për të cilët ju ka folur juve zotri Thaçi sot në bankën e të akuzuarve nga Gjykata Speciale?” – ia përsëriti pyetjen sërish Panduri.
“Zoti Ermal, është” – ishte përgjigja e shkurtër e Imeri.
Ndërsa edhe sot ka vazhduar një ndarje e tillë. Kësaj radhe, Halil Çadraku, ish-shef i G2-shit në UÇK, foli rreth FARk-ut, ushtarët e të cilës ai vlerësoi se nuk kanë ekzistuar.
“Ushtarët e FARK-ut s’kanë ekzistua. Janë formu më 12 mars 1998. Janë formu vetëm si rivalitet i UÇK-së. Se iu erdh turp çka janë tu bo. Se e panë që po lufton një ushtri veç që ka zemër. Një formacion që u bë dhe rri në Tiranë 13 muaj luftë, nuk e di për çka je.” – vlerësoi Çadraku.
Tutje, z. Çadraku foli edhe ca fjalë rreth figurës së Tahir Zemajt.
“Nëse ka ardhë, i pari ka ardhë Tahir Zemaj. Ka ardhë me 40 ushtarë, ka ik me 6-7 mijë ushtarë. Krejt detyra u kanë me e lanë Ramushin vetë. Tash po e deklarojnë se është hero, e kanë shpallë hero. Kështu kam dëgjuar.” - ka potencuar ai.
Në lidhje me këtë rikthim të debatit “UÇK vs. LDK”, dje reagoi edhe analisti Valon Syla. Në një shkrim në profilin e tij në Facebook, Syla shkroi se një debat i tillë është “artificial”, që po nxitet tash pas fillimit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Disa individë që nuk kishin kurfarë peshe në LDK, as atëherë e as sot, por që kishin lidhje me regjimin e vjetër dhe skema armiqësore anti shqiptarëve të Kosovës si UDB'a, që sot po i qesin shkelmat e fundit, nëpër TV'të tona dhe po nxisin urrejtje... bon be' që kishe kanë qenë, ose janë ende flamurtarë të Rugovizmit e LDK'së... “ – shkroi ai.

