"Siç po shihet, s'e pata lehtë": Kush ishte Adem Salihaj që dha dorëheqje, ish kryeministri në detyrë i Kosovës? - NACIONALE

"Siç po shihet, s'e pata lehtë": Kush ishte Adem Salihaj që dha dorëheqje, ish kryeministri në detyrë i Kosovës?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kur mendojmë për pushtetarët e Kosovës në vitet ‘2000 ndërmend na vjen dikush si Adem Salihaj. Kush është ky person që sot e pa të udhës të jepte dorëheqje nga LDK-ja e ndoshta edhe nga politika aktive?

“Siç po shihet, nuk e pata lehtë.”tha Adem Salihaj në fjalët e dorëheqjes së tij.

Para se t’i thoshte këto fjalë, ai tregoi me detaje për kohën e kaluar në burg dhe e cila ishte e konsiderueshme: plot 12 vjet.

Në ato fjalë, ai tregon edhe për tentim-vrasjen e tij, më 12 qershor të vitit 2000. Në anën tjetër, thotë se pas vdekjes së Presidentit Rugova “madje ishte përndjekur edhe nga vetë partia e tij”.

“Me krenari të veçantë mund të them se isha bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Rugova.”

Funksionar i lartë

Salihaj ishte njeriu më i pushtetshëm nga LDK-ja në Qeverinë e Kosovës në vitet 2004-2006. Mbante pozitën e Zëvendës-kryeministrit të parë. Po ashtu, ai kishte qenë për një periudhë të shkurtër edhe kryeministër në detyrë.

Pavarësisht funksioneve që i kishte në pushtet, ai shihej si një prej kundërshtarëve kryesorë politikë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Përveç kësaj, ai kishte qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës në dy mandate duke pasur mundësinë që më 17 shkurt të vitit 2008 të hynte në histori duke qenë ndër nënshkruesit e deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Salihaj përtej politikës

Adem Salihaj është tashmë thjesht një qytetar 71 vjeçar nga Kaçaniku që ka studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Sidoqoftë, siç thotë ai, “baza ishte Ferizaji”.

Ai ka punuar për një periudhë edhe si gazetar.

Megjithatë, në fjalët e dorëheqjes ai nuk ka treguar se me çka do të merret në vazhdim.

Salihaj dhe kalashët

Në tetorin e vitit 2016, më shumë se gjashtë vjet më parë, Adem Salihaj do ta bënte veten ‘të pavdekshëm’ me anë të një veprimi që mund të cilësohet si “i përçudshëm”.

Ai kishte thirrur gazetarët në një konferencë të jashtëzakonshme duke ndërtuar pritje të madhe në opinion për atë që do ta thoshte.

Mbante funksionin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, dhe besohej se mund të fliste edhe për temën e tij të preferuar, e që ishin vrasjes e pasluftës.

Por, në atë konferencë ai do të fliste për “ekzistencën e fisit ilir diku mes Afganistanit dhe Pakistanit”, që quhej fis Kalash.”

Sipas tij, kjo tregonte që ne kishim prejardhje të përbashkët me ta.

“Ata jetojnë në tri vendbanime, që quhen Pamira, Balta dhe Hundza – pra që shihet se janë fjalë shqipe. Ata u martuan me gratë vendëse, afgane dhe pakistaneze, dhe prej tyre lindi fisi kalash që ka rreth 600 mijë banorë...” – kishte thënë ai me një çehre shumë serioze.

Fjalët e dorëheqjes së Salihajt, të paedituara:

Lajme të ngjashme