Fyerje e tallje me UÇK-në, viktimat e luftës, drejtësinë: Çka ishte 'horrori' i mbrëmshëm televiziv? - NACIONALE

Fyerje e tallje me UÇK-në, viktimat e luftës, drejtësinë: Çka ishte 'horrori' i mbrëmshëm televiziv?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

I bëri shtatë hapa me një ecje me ngut (gati duke vrapuar) vetëm për t’u ndalur pastaj në mes të skenës. Në duar mbante disa letra të formatit A4. Ishte gazetari Ermal Panduri dhe po aktronte në emisionin më të ri, që kësaj radhe quhej “Ballafaqimi me të kaluarën”. Në këtë emision, që u transmetua mbrëmë, u fye rëndë UÇK-ja ashtu siç u fyen rëndë edhe viktimat e luftës.

Megjithëse i bëri me përngutje ata shtatë hapa para, ai sekonda më vonë u kthye pas duke e çkuptimësuar krejtësisht atë hyrje dramatike. Do të çkuptimësohej kësisoj çdo përpjekje për të thënë diçka që përnjëmend do të na ballafaqonte me të kaluarën.

Kishte në krahun e tij të djathtë të ftuar Imer Imerin, vëllain e të ndjerit Haki Imeri. Dhe po ashtu, avokati Gazmend Halilajn. Në krahun e tij të majtë ishin tre gazetarë.

Halilaj u prezantua si “jo vetëm avokat i familjes Imeri, por edhe i personave tjerë që kërkonin drejtësi” nga ana e gazetarit Panduri, megjithatë nuk u përmend se ishte mes të dyshuarve për dhunimin seksual të një vajze të mitur nga Drenasi – bashkë me disa persona tjerë – në një rast që kishte bërë bujë ndërkombëtare.

Më pas, nga ajo ecje e shpejtë u kalua në një çaraveshje e shëmtuar me viktimat e luftës, dhe një spektakël i pabesueshëm me drejtësinë. Faji natyrisht, nuk ishte te ecja.

Imer Imeri – edhe vetë viktimë e luftës - ishte i bindur se ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë ishin urdhëruesit e vrasjes së vëllait të tij, Haki Imerit. Po ashtu, ai përmendi edhe emrat e vrasësve që sipas tij ishin konfirmuar nga Policia e Kosovës, UNMIK-u dhe EULEX-i. Por, për një gjë të tillë e pranoi se “nuk ka pasur proces gjyqësor”.

Ai më tej, efektivisht akuzoi Jakup Krasniqin në mënyrë direkte për vrasjen e Xhevat Jusufit– çka për kënaqësinë e moderatorit – prodhoi edhe debat të nxehtë me njërin prej gazetarëve.

Viktima që fyen viktima

Imeri u inkurajua e trimërua të thoshte fjalë që do t’i demantoheshin keq dhe që do ta bënin të dukej tmerrësisht joserioz.

“Unë pardje nejta me njerëz n’Mitrovicë...” – tha z. Imeri, kur iu kërkua të ofronte ndonjë fakt për këtë gjë.

Ai më pas do të përdorte edhe fjalë eksplicite. Imeri akuzoi gazetarët në një moment që nuk u hante leshi për popull pasi i kërkonin gjërat në mënyrë precize. Ndërkohë, në lidhje telefonike u inkuadrua i biri i Xhevat Jusufit të ndjerë, Esati. Një viktimë e krimeve të luftës po hahej me një viktimë tjetër të luftës. Një familjar i një të vrari me një familjar tjetër të një të vrari.

“U, t’q*fsha nanën...” – thotë si pa të keq më pas z. Imeri derisa po e tregonte një rrëfim – përsëri problematik – për vrasjen e një “budalle”.

“Ai (Imer Imeri) është shpifës. E kom pa edhe më herët, është shpifës. Është një gënjeshtar i krejt asaj çka thotë. Imer Imerin askush prej familjes tonë nuk e njeh; ai nuk ka marrë asnjëherë asnjë shënim prej neve. Asnjë ankesë na nuk e kem as në shokë, as në luftë, në asnjë hap që ka ndodh gjatë luftës.” – tha fillimisht Esati, por ndërpritej vazhdimisht duke i rritur dramaticitetin ngjarjes.

“Kanë mbetë veç dëshmorët pa u njollosë. Tash kanë nisë edhe me dëshmorët me u marrë. Është e paskrupullt kjo qasje e tij.” - vazhdoi tutje ai.

Pas Esat Jusufit, do të inkuadrohej në emision edhe Besart Musa i biri i një tjetri viktime të luftës emri i të cilit ishte përmendur dhe njollosur në këtë debat.

“Me çfarë faktesh del në një debat live dhe e përmend emrin e babës tem gjoja se është vra prej dorës së UÇK-së. A ka fakte ai njeri? Qysh çohet ai edhe përmend emra pa përmend emra, pa pasë dëshmi dhe ma njollos një hero të Kosovës...” - u shpreh ai.

Përgjigja e z. Imeri ishte jashtëzakonisht degraduese.

“Ka kësi që nuk u intereson as baba, as nana, as vëllau as...” – u përgjigj tutje z. Imeri pasi iu demantua edhe një pretendim.

Ndaj Esat Jusufit, ai ishte edhe më i rëndë:

“Për që s’don i biri me hi n’to, apo që nuk o i tij ni zot e din,”

Gazmend Halilaj

Avokati Gazmend Halilaj ishte ‘sensacioni’ i këtij debati televiziv.

Prej të premtes, tri ditë më herët, ai e kishte premtuar debatin e mbrëmshëm duke thënë edhe se do të thoshte gjëra “ekskluzive” (ose exkluzive sipas mënyrës qysh e shkruante ai).

“Pas një jave të stërngarkuar, për vikend po i kthehem fshatit, me premtimin që të hënën (do të vijë) me diçka shumë ekskluzive...”u shpreh qysh të premten Halilaj duke ndarë dy fotografi, njërën duke dhënë prononcim me gazetarë e në tjetrën me disa dele.

Por, në debat ai nuk ofroi asgjë ekskluzive. I shpalli në mënyrë të çuditshme të fajshëm ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë duke kërkuar që të dënoheshin me burgim të përjetshëm.

Siç evidentoi edhe njërin nga gazetarët, Lirim Mehmetaj, nuk i dinte mirë as pikat e aktakuzës. Ndërkohë, tha edhe fjalinë bombastike s’i vijon:

“Pse s’i zbulumë na? Pse nuk mujtëm me shku na në Beograd me vra kërkanin?” – tha ai kur iu përmendën disa deklarata të z. Vuk Drashkoviq për taktikën e UDBA-s që të vriste shqiptarë lojalë me Serbinë dhe pastaj fajin ta hidhte po te shqiptarët.

Në një nga eskalimet e tij, Halilaj pretendoi se marshi i 2 prillit kishte pasur shumë “veteranë të rrejshëm” që ishin kërcënuar pikërisht me statusin e veterani.

“O zotëri, ju kanë shku nëpër Drenas e Skenderaj, ju kanë thanë nëse s’dilni n’protestë kemi me jau hjekë statusin e veteranit...” – tha ai.

Më pas, u orvat të demonstronte edhe njohuritë e tij në matematikë duke dashur të relativizonte ndikimin e marshit.

“Hajt po e zamë që kanë qenë 70 mijë. 70 mijë, n’dy milionë, sa p’i bjen? 0.7 për qind e popllit kanë dalë. 0.7 për qind.” – u shpreh z. Halilaj. Nuk e dimë nëse është e nevojshme të tregojmë që llogaritja në fjalë është krejtësisht e gabuar.

Për 13 orë, deri tash, në kanalin e RTV Dukagjinit në YouTube ky debat i mori 41 mijë shikime. A ia vlen për kaq pak shikime të ofendohet dinjiteti i viktimave të luftës dhe UÇK-së? Pyetje për 1 milionë euro.

Lajme të ngjashme