A është vrasja e Haki Imerit pjesë e aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së? - NACIONALE

A është vrasja e Haki Imerit pjesë e aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Imer Imeri nga Skënderaj, u bë një nga personat e parë që e konfirmon publikisht se do të jetë dëshmitar i Prokurorisë në rastin e krerëve të UÇK-së.

Në emision “Debat Plus” në RTV Dukagjini ai deklaroi se do të jetë dëshmitar në Gjykatën Speciale, për të dëshmuar rreth vrasjes së vëllait të tij, Haki Imeri.

Haki Imeri, një veprimtar i LDK-së ishte vrarë në muajin nëntor të vitit 1999, periudhë të cilën e mbulon edhe Gjykata Speciale.

Megjithatë, emri i Haki Imerit nuk figuron publikisht në mesin e viktimave të pretenduara të kerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Emrat e një pjese të viktimave ishin publikuar ditë më parë nga Prokuroria e Specializuar. Por, kur flitet për rajone të caktuara dhe prejardhjen e viktimave, nga rajoni i Skënderajt emrat e të gjitha viktimave janë të redaktuara.

Por, a mund të jetë edhe Haki Imeri në mesin e viktimave në këtë rast, nuk mund të konstatohet pasi të gjithë emrat që vijnë nga ai rajon, nuk janë bërë të ditur për publikun.

Kjo është mjaft e rëndësishme pasi nga të gjitha komunat, është e vetme komuna e Skënderajt për të cilën nuk është zbuluar emri i as edhe një viktime.

Vrasja e Haki Imerit ka qenë në mesin e vrasjeve më të diskutuara në Kosovë. Kjo pasi fillimisht familja e kishte akuzuar edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, se është i përfshirë në këtë rast.

Megjithatë, më vonë Imer Imeri, pra dëshmitari i Speciales, pati deklaruar se “Thaçi ka bërë be” që nuk ka gisht në këtë vrasje.

Por, ka pak gjasa që kjo vrasje të jetë në aktakuzë. Kjo pasi krimet për të cilat akuzohen krerët e UÇK-së dyshohet se janë kryer nga marsi 1998 deri në shtator 1999.

Çfarë deklaroi dje Imer Imeri?

Imer Imeri, vëllai i Haki Imerit, ish-aktivistët e vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), po vazhdon rrëfimin e tij në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Gjatë bisedës, ai është pyetur edhe rreth marrëdhënies me Hashim Thaçin, të cilin tha se e falënderon për fjalët për vëllain e tij. Tutje, ai ka treguar se Thaçi i ka bërë “be në 300 pleq” se nuk ka “gisht e as hile” në vrasjen e vëllait të tij, Haki Imerit.

Por, sipas Imerit, Thaçi ia ka treguar “urdhërdhënësit” e vrasjes së Haki Imerit.

“Po ju pyes, nëse është emri i ndonjërit nga ata për të cilët ju ka folur Thaçi dhe e keni aty në dosjën tuaj të kaltër, është sot në mesin e të akuzuarve?” – e pyeti moderatori Ermal Panduri.

“Unë fola edhe pak më herët, do sene që janë për Gjykatë…” – filloi përgjigjën e tij Imeri.

“A është në mesin e urdhërdhënësve për të cilët ju ka folur juve zotri Thaçi sot në bankën e të akuzuarve nga Gjykata Speciale?” – ia përsëriti pyetjen sërish Panduri.

“Zoti Ermal, është” – ishte përgjigja e shkurtër e Imeri.

Ndryshe, Imeri e ka pranuar publikisht se është dëshmitar i Gjykatës Speciale.

“Unë jam dëshmitar i Gjykatës Speciale, i hapur, çka i kam thënë Prokurorisë, nuk i qes para jush. Por qeto punë që i kam qitë moti kohë në EULEX, qëto i them edhe para jush, a po i lypni?” – deklaroi Imeri.

Ai ka rrëfyer sipas mënyrës së tij se si është arrestuar vëllai i tij, e më pas është vrarë.

“Më 2 nëntor 1999, vëllai im është arrestuar nga tre persona. Ata kanë qenë në rroba të zeza që i kanë mbajtur policia e UÇK-së. Emblemë nuk kanë pasur fare. Ata kanë qenë të veçantë, i dinim të gjithë se kush janë. Vëllanë tim e ka shoqëruar Agim Januzi, edhe ata i kanë dalë përpara e kanë pritur krejt kohën para shkollës, dhe kur është larguar nga shkolla ka ardhur në fshatin Brojë, aty i kanë dalë para dhe i kanë thënë Haki urdhëri është të vish me neve në informacion. Sikur nuk i kemi pasur faj askujt kurrë ka thënë po pa kurrfarë dyshimi, e kanë marrë vëllanë dhe në atë rrugë e kanë dërguar në mes të Aqareva dhe Kopiliqit dhe e kanë pushkatuar aty”.

Ai është shprehur i sigurt për emrat që siç thotë ai e kanë ekzekutuar Haki Imerin.

“Jam i sigurt për emrat që e kanë ekzekutuar sepse policia e UNMIK-ut atëherë edhe EULEX edhe policia jonë ma kanë dëshmuar që ata persona janë, ish Agron Sylejmani që më 17-18 marsi e kanë vrarë policia e UNMIK-ut te Vushtrria, ish Naim Kadriu dhe Avni Feta – ish polic i Kosovës nga policët e parë. Asnjëri nga ta nuk më kanë kontaktuar fare. Këta persona nuk kanë hyrë në burg. Nuk ka pasur proces gjyqësor sepse gjyqësia ka qenë e shkelur në fyt”.

Ndryshe, sot në Gjykatën Speciale do të paraqitet dëshmitari i parë i Prokurorisë në rastin ndaj krerëve të UÇK-së

Lajme të ngjashme