Kica-Xhelili i përgjigjet Gërvallës: S’e ka kuptuar pse dola nga ‘Guxo’, LDK i ka njerëzit më të përgatitur - NACIONALE

Kica-Xhelili i përgjigjet Gërvallës: S’e ka kuptuar pse dola nga ‘Guxo’, LDK i ka njerëzit më të përgatitur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetja e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili i është kundërpërgjigjur ish-shefes së saj partiake, Donika Gërvalla, e cila e kishte akuzuar këtë të parën për ndërrim të qëndrimeve. Kica-Xhelili ka theksuar se LDK po i sjell shoqërisë njerëzit më të përgatitur të këtij vendi.

Kica-Xhelili ka konfirmuar se nuk i ka ndërruar qëndrimet për reformat në drejtësi, derisa shtoi se do të angazhohet edhe më tutje në çështjen e Vettingut dhe Byrosë.

“Donika Gërvalla s’e paska kuptuar pse kam dalur nga aty. Të thuash që kam ndërruar qëndrim për reformën në drejtësi, nuk është e vërtetë. Nëse është dikush që do të punojë për vettingun, jam unë që do të jem përpara zonjës Gërvalla”, ka thënë Kica-Xhelili në Pressing.

Ajo tutje shtoi se elektorati i LDK-së po zgjerohet çdo ditë e më shumë.

“Dukshëm po injorohet se kush është LDK sot. Ndoshta qëllimshëm, sepse e kuptoj që nuk është e konvenueshme. Arsyeja pse unë jam në LDK, ka elektorat që çdo ditë po zgjerohet, sepse LDK buron ngan një ideologji bazë tepër të rëndësishme për Kosovën. Kur flasim për Rugovizmin nënkuptohet shteti, stabiliteti, jo krizat. Rugovizmi është urtësi, bashkë me guximin, jo linçimi, propaganda e fyrjet. E aq më pak, qasja e ngutshme”, ka thënë Kica-Xhelili.

Çfarë kishte deklaruar Gërvalla?

Kryetarja e Listës Guxo, pozitë që e ndan me ministrin Faton Peci, e kishte akuzuar deputeten Kica-Xhelili se po i ndërron qëndrimet e saj, duke mos lënë pa sulmuar edhe LDK-në.

“Bashkëpartiakja i ka ndërruar qëndrimet e saj rreth refomës në drejtësi, sepse përndryshe nuk do të ishte e mundur të shkonte në një parti e cila përtej fjalëve boshe rreth drejtësisë gjatë më shumë se 20 vjetëve, ku ka qenë pjesë e pushtetit, nuk ka dëshmuar”, tha ajo.

Sidoqoftë, Gërvalla kishte pranuar se ka qenë e informuar për dilemat e deputetes Kica-Xhelili në lidhje me votimin e Byrosë, por edhe për pakënaqësite me partinë.

“Nëse flasim konkretisht për reformën në drejtësi mua më kujtohet një bisedë që e kam zhvilluar me deputeten Kica-Xhelili. Ajo ka pasë dilema rreth momentit kur po votohet në Kuvend ideja e Byrosë, por më ka siguruar që ideja e Byrosë dhe reformat në drejtësi e kanë mbështetjen e saj të plotë. Kjo ka qenë biseda jonë e fundit dhe e para që kemi pasë rreth kësaj reforme”, tha Gërvalla.

Largimi i zhurmshëm

Vetë Kica-Xhelili nuk bëri zhurmë për largimin e saj nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, megjithëse, ishin eksponentët e kësaj të fundit që bënë shumë zhurmë duke e linçuar publikisht deputeten në fjalë.

Kjo e fundit, ishte paraqitur në Rubikon pas kalimit në LDK, për “t’i thënë të gjitha”, rreth vendimi nqë kshtë marrë.

Kica – Xhelili ishte shprehur se e ka theksuar disa herë që është gabim mënyra se si po materializohet Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Për krejt këtë, Kurti e Haxhiu patën një arsyetim se do të bëhen ndryshime, por nuk dhanë përgjigje tjetër për deputeten që tani ka kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Reformat në drejtësi nuk janë çështje që ne duhet të hamendesohemi “hajt ta shohim” se si do të funksionojë, ose ta lëmë plotësisht. Kam pasur komunikime me ministren Haxhiu dhe kryeministrin Kurti për qëndrimet e mija për Byronë, e kam shfaqur pakënaqësinë…Nuk kanë arsyetim. Arsyetimi i vetëm ishte se do t’i bëjnë ndryshimet në Kuvend. Kjo është një çështje që nuk e shoh se si do të ndryshohet. Nëse projektligji kalon ashtu siç është, është rrezik”, kishte thënë ajo.

Lajme të ngjashme