KFOR: Brenda protestuesve në Jarinjë mund të ketë pasur grupe kriminale të organizuara
KFOR-i e ka pranuar se brenda protestuesve në Jarinjë mund të ketë pasur grupe të organizuara kriminale.
Dhjetëra serbë u mblodhën sot në pikën kufitare në Jarinjë, me ç'rast edhe u përleshën me policinë matanë kufirit Kosovë - Serbi.
Gjithsesi, siç thuhet në komunikatën e KFOR-it, angazhimi i tyre në atë pjesë të Republikës së Kosovës është bërë për arsye parandaluese të sigurisë
“Sot, pas koordinimit aktiv me të gjitha palët, Forca e Kosovës – KFOR-i, Komanda Rajonale e KFOR-it Lindje ka shtuar praninë e saj në Jarinjë për arsye parandaluese të sigurisë. Kjo rritje vjen si pasojë e prezencës së mundshme të grupeve të organizuara kriminale brenda protestuesve”, thuhet fillimisht.
Veç kësaj, për protestuesit ata patën edhe një kërkesë, që mendimet e tyre t'i shprehin në mënyrë paqësore dhe duke shmangur dhunën joproporcionale.
“Është gjithmonë e rëndësishme që të gjithë personat që marrin pjesë në një protestë të shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore, duke shmangur dhunën joproporcionale, qëndrimet dhe sjelljet agresive që mund të keqkuptohen dhe të perceptohen si provokim apo dhunë të panevojshme”.
Tutje, KFOR-i ka bërë të ditur se është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
“KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në #Kosovë”.
“Ekipi luftarak i Brigadës së 76-të të Këmbësorisë “Nighthawk Brigada”, Divizioni i 38-të i Këmbësorisë, Garda Kombëtare e Ushtrisë së Indianës, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, Kosovë”, mbaron komunikata.
Ç'ngjau?
Dhjetra protestuesë nga Serbia u mblodhën pasditen e së dielës pranë kufirit me Kosovë, më konkretisht afër pikës kufitare në Jarinjë, nën pretendimet se duan “të zhbllokojnë kalimin për serbët”.
Dogjën pankarta, shanë misionin e KFOR-it, në prapavi u dëgjuan edhe shpërthime e madje tentuan edhe ta kalojnë kufirin. Nacionale ua sjell një përmbledhje rreth asaj që ndodhi sot.
Rreth orës 13:00, disa serbë do të mbledheshin pranë pikës kufitare me Kosovën në Jarinjë, derisa në anën tjetër, qëndronin trupat e KFOR-it.
Siç u raportua në media serbe, më konkretisht nga KOSSEV, të njëjtit ndodheshin aty “për ta zhbllokuar kalimin e serbëve nga Kosova”.
Të njëjtit, mbanin në duar disa pankarta ku shkruante “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “S’ka dorëzim të Kosovës”.
“Marrëveshja e Bruskelit.” – kështu thuhej në një prej pankartave, e cila do të digjej më pas nga të njëjtit protestues.
Pas këtij veprimi, ata ekspozuan edhe hartën e Kosovës, brenda së cilës ilustrohej flamuri i Serbisë.
Tentuan ta kalojnë kufirin, u arrestua një person
Pak më vonë, situata eskaloi. Protestuesit vrapuan për të kaluar kordonin e Policisë së Serbisë, për të kaluar andej kufirit, pra në Kosovë.
Kjo e tensionoi pak situatën, derisa pati edhe një përleshje mes protestuesëve dhe policisë. Në prapavijë, sipas pamjeve direkte u dëgjua edhe një shpërthim, ndonëse nuk dihet se çfarë ndodhi konkretisht në atë pjesë.
Si pasojë, u arrestua një qytetarë, u shoqërua në një hapësirë tjetër, për t’u liruar më pas.
Aktualisht, situata është më e qetë dhe protestuesit veç se kanë nisur të shpërndahen, megjithëse, në vendin e ngjarjes ndodhen ende edhe disa persona.

