‘Tentuan’ të futen në Kosovë, u dogj një pankartë, u sha NATO – Çka ndodhi në protestën e ekstremistëve serbë? - NACIONALE

‘Tentuan’ të futen në Kosovë, u dogj një pankartë, u sha NATO – Çka ndodhi në protestën e ekstremistëve serbë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dhjetra protestuesë nga Serbia u mblodhën pasditen e së dielës pranë kufirit me Kosovë, më konkretisht afër pikës kufitare në Jarinjë, nën pretendimet se duan “të zhbllokojnë kalimin për serbët”. Dogjën pankarta, shanë misionin e KFOR-it, në prapavi u dëgjuan edhe shpërthime e madje tentuan edhe ta kalojnë kufirin. Nacionale ua sjell një përmbledhje rreth asaj që ndodhi sot.

Rreth orës 13:00, disa serbë do të mbledheshin pranë pikës kufitare me Kosovën në Jarinjë, derisa në anën tjetër, qëndronin trupat e KFOR-it.

Çka pretendonin?

Siç u raportua në media serbe, më konkretisht nga KOSSEV, të njëjtit ndodheshin aty “për ta zhbllokuar kalimin e serbëve nga Kosova”.

Të njëjtit, mbanin në duar disa pankarta ku shkruante “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “S’ka dorëzim të Kosovës”.

“Marrëveshja e Bruskelit.” – kështu thuhej në një prej pankartave, e cila do të digjej më pas nga të njëjtit protestues.

Pas këtij veprimi, ata ekspozuan edhe hartën e Kosovës, brenda së cilës ilustrohej flamuri i Serbisë.

E shanë NATO-n

Sipas pamjeve direkte të publikuara në kanalin e një faqe me emrin “Srbin.info”, serbët që po protestonin në një pikë u dëgjuan edhe duke brohoritur kundër NATO-s.

“FUCK NATO.” – brohorisnin të njëjtit, derisa trupat e KFOR-it po qëndronin pak metra më larg. (dëgjohen nga minuta 01:05:50)

Por këto brohoritje nuk zgjatën shumë, madje për të mos thënë as një minutë. Të njëjtit, u heshtën shumë shpejt.

Tentuan ta kalojnë kufirin, u arrestua një person

Pak më vonë, situata eskaloi. Protestuesit vrapuan për të kaluar kordonin e Policisë së Serbisë, për të kaluar andej kufirit, pra në Kosovë.

Kjo e tensionoi pak situatën, derisa pati edhe një përleshje mes protestuesëve dhe policisë. Në prapavijë, sipas pamjeve direkte u dëgjua edhe një shpërthim, ndonëse nuk dihet se çfarë ndodhi konkretisht në atë pjesë.

Si pasojë, u arrestua një qytetarë, u shoqërua në një hapësirë tjetër, për t’u liruar më pas.

Aktualisht, situata është më e qetë dhe protestuesit veç se kanë nisur të shpërndahen, megjithëse, në vendin e ngjarjes ndodhen ende edhe disa persona.

Çfarë u paralajmërua në Kosovë?

Tubimin e serbëve e kishin paralajmëruar nga Kosova, një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe një ekspert i çështjeve të sigurisë.

Arbër Rexhaj I LVV-së, më herët shkroi se kjo është një situatë kur në veri të vendit, do të duhej të ishte Forca e Sigurisë së Kosovës.

“Meqë serbët prorusë dhe të armatosur nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Srpska po vijnë të dielen në mesditë në Jarinje, pikërisht kjo është një situatë kur atje do të duhej të ishte FSK-ja.” – shkroi ai.

Një paralajmërim të ngjajshëm, e bëri mëngjesin e së dieles edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu.

“Është paralajmëruar një akt agresioni nga Serbia në Kosovë. Mijëra serbë të krahut të djathtë, të lidhur me Rusinë, sot në orën 13:00 kanë deklaruar se do të vijnë për të hequr pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë.” – ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme