Pro-rusë të armatosur në veri të Kosovës: Çfarë paralajmëruan deputeti i VV-së dhe ‘eksperti i sigurisë’ për sot?
Protestues pro-rusë nga Serbia, të armatosur, po paralajmërohet se do të vijnë pasditen e së dielës në veri të Kosovës. Ndonëse nuk ka asgjë të konfirmuar, kështu po pretendon një deputet i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe një ekspert i sigurisë. Çka konkretisht thanë ata?
Situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e tensionuar, po ashtu, mbesin të vendosura edhe barrikadat.
Në ditën e nëntë të vendosjes së barrikadave, raportohet se në veri mungojnë dinarët, derisa u fol edhe për mundësine e hapjes së shkollave fillore.
Por nga Prishtina, po flitet për diçka tjetër.
Serbë pro-rusë e të armatosur “vijnë” në Jarinjë
Kështu ka paralajmëruar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ndonëse nuk dihet se ku i ka marrë këto informacione dhe nëse janë të sakta.
Sipas tij, kjo është një situatë kur në veri të vendit, do të duhej të ishte Forca e Sigurisë së Kosovës.
“Meqë serbët prorusë dhe të armatosur nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Srpska po vijnë të dielen në mesditë në Jarinje, pikërisht kjo është një situatë kur atje do të duhej të ishte FSK-ja.” – shkroi ai.
Me një paralajmërim të ngjajshëm, do të dilte mëngjesin e së dieles edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu. Shkrimet e tij në Twitter, mund të konsiderohen mjaft shqetësuese.
“Është paralajmëruar një akt agresioni nga Serbia në Kosovë. Mijëra serbë të krahut të djathtë, të lidhur me Rusinë, sot në orën 13:00 kanë deklaruar se do të vijnë për të hequr pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë.” – ka shkruar ai.
An act of #aggression from #Serbia in #Kosovo has been warned. Thousands of Serbs of the right wings, connected to #Russia, today at 13:00 have declared that they will come to remove the #border point between Kosovo and Serbia in #Jarinje. pic.twitter.com/KsMDITtfw3
— Agim Musliu (@agim_musliu) December 18, 2022
Nacionale nuk ka arritur që t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Për praninë e këtyre grupeve, ka shkruar edhe gazetarja ukrainase, Ivana Stradner, e cila ka përmendur liderin e “Night Wolves”, Aleaxander Zaldostonov.
Përmes një fotografie të publikuar në Twitter, ajo ka thënë se lideri i grupit të motoristëve rusë, është shumë i lidhur me Serbinë sa i përket çështjes së Kosovës.
Megjithatë, nuk dihet me siguri se ku është realizuar kjo foto e publikuar nga gazetarja ukrainase.
And there you go! Now Alexander Zaldostanov, the leader of the Night Wolves who has very strong ties with Serbia is adding fuel to the fire regarding Kosovo: “This is how the freedom of Russia from satanic democracy is now being defended in Little Russia.” https://t.co/HNIeXrVnTN pic.twitter.com/VOfWH6vmbZ
— Ivana Stradner 🇺🇸🇺🇦 (@ivanastradner) December 16, 2022
Sa i përket “bashkëpunimit të Serbisë me Rusinë”, në këtë kohë krize në veri të vendit, ka folur edhe kryeministri Albin Kurti.
Ky i fundit, në një intervistë për mediumin gjerman “Der Spiegel”, ka thënë se ka informacione që “mercenarët rusë nga grupi Wagner kanë arritur në Serbi”.
“Ata (Serbia) kanë potencialin më të madh për të destabilizuar rajonin në mënyrë që të dëgjohen më së shumti... Kanë 48 baza ushtarake afër kufirit me Kosovën. Ka aktivitet të shtuar atje dhe rritje të bashkëpunimit me Rusinë. Informacioni i fundit që mu dha thotë, mes tjerash, se mercenarët rus nga grupi Wagner po ashtu kanë mbërritur në Serbi.” – tha ai.
Qeveria e Kosovës pret KFOR-in që t’i largojë barrikadat
Ditë me parë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke e pritur KFOR-in për t`i larguar barrikadat, duke shtuar se janë kthyer në pengesë edhe për qytetarët serbë.
"Mbase me se miri do të ishte të hiqen prej atyre që janë vendosur. Mirëpo ata që i kanë vendosur barrikadat janë vendosur edhe vetë në barrikada, madje me armatim. Nuk janë këto barrikada civile. Në anën tjetër, ne kemi dhënë kohen e kërkuar prej KFORi-it që ata ta bëjnë heqjen e këtyre barrikadave dhe ministri ynë i Punëve të Brendshme po pret", ka thënë Kurti në një intervistë për ATV.
Barrikadat në veri u rikthyen të shtunën e kaluar pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-policin Dejan Pantiq, i cili dyshohet për pjesëmarrje në organizimin e sulmeve në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në veri, grupet të organizuar të serbëve kanë vendosur bllokimin e rrugëve që të qojnë në pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
Për të penguar lëvizjen e lirë, ata në rrugët kryesore kanë vendosur kamion dhe makineri të ndryshme. Pas këtyre veprime, institucionet e Kosovës kanë vendosur t`i mbyllin dy pikat kufitare me Serbinë.

