Barrikadat shtohen në veri, Qeveria pa plan për largimin e tyre - NACIONALE

Barrikadat shtohen në veri, Qeveria pa plan për largimin e tyre

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Numri i barrikadave në veri të vendit ka vazhduar të shtohet, ndërsa institucionet e Kosovës ende nuk kanë treguar ndonjë plan për largimin e tyre. Deri me tani ato janë në pritje të KFOR-it për largimin e tyre.

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë serbët lokalë kanë vendosur edhe një barrikadë të re në lagjen Berxhane, e cila të shpie për në Zveçan.

Vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë, e po ashtu të pamundësojë hyrje-daljet në dy pikat kufitare të qytetarëve dhe mallrave. Gjatë natës ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re, në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që po vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit”, ka njoftuar Policia.

Policia ka bërë me dije se situata e sigurisë ka mbetur njëjtë në atë pjesë.

Që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë, dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet tani më për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se institucione e Kosovës kanë kapacitet për largimin e tyre.

Megjithatë, ai nuk ka treguar ndonjë plan se mund të largohen ato.

Nga qytetarët e kësaj zone që janë bllokuar nga barrikadat tash e një javë po kërkohet me ngulm heqja e barrikadave dhe vazhdimi i jetesës dhe zhvillimit pa pengesa. Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat. Veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës sonë duhet të kthehet sa më shpejtë në normalitet”, ka shkruar Sveçla në profilin e tij në “Facebook”.

Opozita kërkon largimin e barrikadave

Në anën tjetër, opozita është shprehur e shqetësuar për neglizhencën e institucione ndaj barrikadave në veri,

Kryetari PDK-së, Memli Krasniq, ka thënë se barrikadat në pjesën veriore janë kthyer në normalitet.

Në pjesën veriore të Kosovës po ndodhë pikërisht ajo që kemi paralajmëruar ditë më parë dhe, e cila, në asnjë mënyrë nuk guxon të ndodhë. Barrikadat po kthehen në përditshmëri para syve të Qeverisë. Vetëm pse Qeveria po heshtë dhe po e injoron si fakt, kjo nuk do të thotë se në pjesën veriore nuk po krijohet një realitet i ri. Për ata që kanë veshë për të dëgjuar, e sy për të parë, këmbana po bie. Fuqishëm. Zëshëm.” – ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka kërkuar kthimin e normalitete në veri.

Kërkojmë urgjentisht nga Qeveria plotësimin e kushteve të tyre, që ata të zbatojnë rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës. Koha është për rikthim të normalitetit dhe garantim të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë pjesë të shtetit tonë. Për atë çfarë mund të bëhet sot, nesër mund të jetë shumë vonë. Kosova nuk e ka këtë komoditet. Sovraniteti i shtetit tonë po cënohet. E ardhmja jonë po rrezikohet. Kërkohet reagim i menjëhershëm. Hiqni ato barrikada të turpshme dhe dëshmojuni qytetarëve se jeni pranë tyre. Mos e braktisni Kosovën”, ka shkruar Krasniqi.

Edhe presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka kërkuar sqarime nga institucionet e Kosovës për gjendjen në veri.

Në profilin e tij në “Facebook”, Pacolli ka shkruar se duhet të dihet nëse institucionet vendore të sigurisë po mund t`i kryejnë detyra e tyre kushtetuese në veri.

A është vërtetë që në Veri nuk ka forca të Serbisë ashtu siç premtoi Presidentja apo atje ka forca të Serbisë dhe cilat janë ato? Kohet e fundit kemi parë pamje të Kryeministrit e Ministrit të Brendshëm nga Veriu i Kosovës. Në këtë kontekst nevojitet sqarim: A ka lëvizje të lirë në Veri të Kosovës apo rrugët janë ende të bllokuara. Po dëgjohen zëra se nepër pikat të Policisë së Kosovës kemi Policë tonë të bllokuar. Shtrohet pyetja, a munden këta Policë më i zbatu detyrimet e tyre, a ka ndërrime dhe a ka furnizim për këto pika të kontrollit. Besoj se është e rrugës që Qeveria të tregon transparencë për situatën reale në Veri të vendit”, ka shkruar Pacolli.

Në pritje të KFOR-it

Ditë me parë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke e pritur KFOR-in për t`i larguar ato.

Ai ka thënë se barrikadat janë kthyer në pengës edhe për qytetarët serb atje.

"Mbase me se miri do të ishte të hiqen prej atyre që janë vendosur. Mirëpo ata që i kanë vendosur barrikadat janë vendosur edhe vetë në barrikada, madje me armatim. Nuk janë këto barrikada civile. Në anën tjetër, ne kemi dhënë kohen e kërkuar prej KFORi-it që ata ta bëjnë heqjen e këtyre barrikadave dhe ministri ynë i Punëve të Brendshme po pret", ka thënë Kurti në një intervistë për ATV.

Barrikadat në veri janë rikthyer të shtunën e kaluar. Pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin Dejan Pantiq, i cili dyshohet për pjesëmarrje në organizimin e sulmeve në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në veri, grupet të organizuar të serbëve kanë vendosur bllokimin e rrugëve që të qojnë në pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje. Për të penguar lëvizjen e lirë, ata në rrugët kryesore kanë vendosur kamion dhe makineri të ndryshme. Pas këtyre veprime, institucionet e Kosovës kanë vendosur t`i mbyllin dy pikat kufitare me Serbinë./Nacionale/

Lajme të ngjashme