Një javë me barrikada: Qeveria e pret KFOR-in, diplomatët nuk i parapëlqejnë buldozerët
Ka kaluar një javë që kur serbët lokalë kanë vendosur barrikadat në pjesën veriore. Gjatë këtyre tetë ditëve institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarr asnjë veprim për largimin e tyre dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes. Zyrtarët qeveritar kanë thënë se këtë punë ia kanë lënë KFOR-it, ndërsa diplomatët ndërkombëtarë kanë kërkuar zgjidhje politike për heqjen e tyre.
Derisa vendorët dhe ndërkombëtaret diskutojnë për mënyrën e largimit të barrikadave, bllokimi i rrugëve po vështirëson jetën e një pjese të komuniteti serb që jeton në pjesën veriore.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës janë duke e pritur KFOR-in për t`i larguar ato.
"Mbase me se miri do të ishte të hiqen prej atyre që janë vendosur. Mirëpo ata që i kanë vendosur barrikadat janë vendosur edhe vetë në barrikada, madje me armatim. Nuk janë këto barrikada civile. Në anën tjetër, ne kemi dhënë kohen e kërkuar prej KFORi-it që ata ta bëjnë heqjen e këtyre barrikadave dhe ministri ynë i Punëve të Brendshme po pret", ka thënë Kurti në një intervistë për ATV.
Ai ka thënë se ato janë bërë pengesë edhe për komunitetin serb që jeton atje.
"Barrikadat nuk mund të qëndrojnë aty, jo vetëm se shkelin ligjin dhe lëvizjen e lirë, por në të njëjtën kohë edhe për shkak se vetë qytetarët serb janë ata të cilët janë më të bllokuarit. Pra, edhe të mos ishte për republikën tonë dhe për shumicën shqiptare, edhe për vetë serbët ne do të na duhet t`i eliminonim ato barrikada. unë jam kryeministër i të gjithëve", ka thënë Kurti.
Ndërsa, para disa dite, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës ka kapacitet për largimin këtyre barrikadave.
“Policia ka kapacitete të duhura të veprojë në këtë drejtim. Në momentin që e vlerëson të duhur, nëse barrikadat nuk hiqen, do të ndërmarrin veprimet e duhura. Gjithë këto po ndodhin koordinim me partnerët. Besoj se shumë shpejt do të arrijmë situatën ku nuk do të ketë barrikada në këto dy rrugë”, ka thënë Sveçla.
Diplomatët nuk parapëlqejnë buldozerët për heqjen e barrikadave
Emisarët perëndimor për dialogun Kosovë-Serbi nuk preferojnë buldozerët për heqjen e barrikadave në veri. Pas vizitës që kanë realizuara në Prishtinë, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak kanë thënë se do të ishte mirë barrikadat të largohen me marrëveshje politike.
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se barrikadat duhet të hiqen nga ata që janë vendosur.
"Ajo që dua të them ka të bëjë më pak me fajësim dhe më shumë me rrugën përpara. Realiteti është se ne kemi nevojë që të gjithë të kontribuojnë në proces dhe të gjithë të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj krize aktuale. Unë vërtet besoj se barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vënë ato", ka thënë Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, rruga më e mirë me uljen e tensioneve atje është rruga politike.
"Por, ne gjithashtu duhet t’u ofrojmë atyre një rrugë diplomatike për t’i adresuar ankesat - përmes kanaleve politike dhe përmes kanaleve diplomatike. Kështu po e shohim ne krizën aktuale. Dhe përtej krizës, ne duhet të fillojmë të mendojmë për një kornizë më të qëndrueshme, në të cilën komunitetet në këtë vend mund të punojnë së bashku", ka thënë diplomati amerikan.
Edhe emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka preferuar marrëveshjen politike për largimin e barrikadave.
“Jam diplomat, për mua mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është me marrëveshje politike, jo me buldozerë”, ka thënë Lajcak pas takimit me kryeministrin Kurti.
Barrikadat si pengesë për komunitetin serb
Bllokimi i rrugëve në pjesën veriore ka vënë në vështirësi edhe vetë komunitetin serbe. Është raportuar se nëpër barrikada nuk lejohen të kalojnë as pacientet.
Kjo ka nervozuar deputetin e LV-së, Artan Abrashin, i cili ka qortuar KFOR-in që nuk po vepron në largimin e tyre.
"KFOR kërkoi pak kohë për heqjen e barrikadave ndërkohë që u bënë disa ditë. Sot si pasojë e bllokimit të rrugëve nacionale një qytetare e komunitetit serb ka ndërruar jetë vetëm pse nuk pati mundësi të marrë tretman mjekësor. Liria lëvizjes dhe e drejta për të marrë shërbimet shëndetësore janë të patjetërsueshme", ka shkruar Abrashi në profilin e tij në "Facebook".
Shqetësimin e njëjtë e ka shprehur edhe drejtori i instituti KIPRED, Lulzim Peci.
"Në pozitën më të vështirë në veri të Kosovës është popullata serbe, dhe atë nga kombinimi i kriminelëve me maska dhe barrikadave. Këta kriminel, jo vetëm që rrahin dhe maltretojnë individë të komunitetit serb, por edhe shkojnë aq larg sa që personave të sëmure ju pamundesojnë marrjen e ndihmës mjekësore. Rrahja e djeshme e te riut të komunitetit serb nga këta kriminelë, i cili nënën e vet që kishte pësuar sulm në zëmer dëshironte ta dërgoj në spitalin e Mitrovicës tregon nivelin e gjendjes së renduar të kësaj popullate të shkaktuar nga ngjarjet e fundit në veri të Kosovës", ka shkruar ai.
Sipas tij, komunitetin serb atje nuk po e mbron askush. "Në mbrojtjen e kësaj popullate prej ‘mbrojtjes’ së Vuçiqit është duke dështuar si Qeveria e Kosovës, ashtu edhe prezenca ndërkombëtare në këtë pjesë të vendit. Ky rast duhet të jetë zile e alarmit se kjo gjendje nuk mund te vazhdoj, pike se pari për arsye humanitare dhe të sigurisë njerëzore. Shpresoj së gjatë ditëve në vijim do të largohen barrikadat dhe të filloj normalizimi i jetës për qytetarët e Kosovës në këtë pjesë të vendit", ka shkruar Peci.
Barrikadat në veri janë rikthyer të shtunën e kaluar. Pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin Dejan Pantiq, i cili dyshohet për pjesëmarrje në organizimin e sulmeve në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në veri, grupet të organizuar të serbëve kanë vendosur bllokimin e rrugëve që të qojnë në pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë. Për të penguar lëvizjen e lirë, ata në rrugët kryesore kanë vendosur kamion dhe makineri të ndryshme. Pas këtyre veprime, institucionet e Kosovës kanë vendosur t`i mbyllin dy pikat kufitare me Serbinë./Nacionale/


