Jabllanoviqi thotë se "vendvotimet ngjajnë me stacione policie", Arsenijeviqi se "do të dalin 0%" - NACIONALE

Jabllanoviqi thotë se "vendvotimet ngjajnë me stacione policie", Arsenijeviqi se "do të dalin 0%"

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

U tërhoq nga kandidatura e tij me mbarë partinë dhe as sot nuk do të merr pjesë në votime. Aleksandar Jabllanoviq, Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, thotë për Nacionalen se në këso rrethanash përveç mospjesëmarrjes në zgjedhje as nuk do të votojë. “Jo, nuk do të votoj, dhe as votuesit e mi”, na tha ai.

Jabllanoviq thirret në arsyet objektive të situatës për këto zgjedhje për të shpjeguar mospjesëmarrjen e tij. “Vendvotimet të ngjajnë me stacione të policisë”, thekson ai, duke shtuar se “zgjedhjet e rregullta nuk mund të mbahen kësisoji me kontenjerë buzë rrugës dhe jashtë”.

Mes tjerash, ai vëren se prania e madhe e policisë kosovare bën që këto zgjedhje “të mos jenë normale”. Andaj, thotë ai, “kjo është edhe arsyeja pse unë dhe partia ime vendosëm të mos marrin pjesë në këto zgjedhje nën këto rrethana”.

Aleksandër Arsenijeviq, ish-kandidat për kryetar komne në zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit që ishin shtyrë, i tha Nacionales se pjesëmarrja e serbëve në votime do të ishte "zero përqind".

Tashmë vetëm një kandidate serbe garon për të parën e komunës së Zveçanit, Sllaxhana Pantoviq, ndërsa Jabllanoviq u tërhoq vetëm tri ditë para zgjedhjeve duke cituar kushtet objektive për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, sipas tyre, të mangëta – qendrat alternative të votimin (i.e kontenjerët lëvizës) si dhe praninë e madhe të policisë kosovare.

Pjesëmarrja deri më tash (që nga ora 7) s’ka si të jetë më minimale ku ka qendra të vendvotimin ku s’është hedhur as edhe një votë e vetme. Lista Serbe – e cila ka elektoratin më të madh në këto zona – ka bërë thirrje për bojktot të përgjithshëm të këtyre zgjedhjeve duke i quajtur “jolegjitime dhe jodemokratike”. Madje, duke u rënë toneve kërcënuese, kanë thënë se secili serb që merr pjesë në këto zgjedhje “do të shihet me përbuzje”.

Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dalë në përkrahje bojkotit të serbëve me ç’rast ka ashpërsuar edhe gjuhën ndaj shteteve të QUINT-it, duke thënë se këtë të diele “shënohet zyrtarisht turpi i tyre” ndërsa këto zgjedhje i ka quajtur edhe si “ditë e tmerrshme prë demokracinë”.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë lënë të kuptojnë se pavarësisht bojkotit të përgjithshëm të Listës Serbe, përnga pikëpamja amerikane rezultati i zgjedhjeve do të jetë legjitim.

Si po shkojnë zgjedhjet gjer më tash?

Kur kanë kaluar tri orë që nga hapja e qendrave të votimit në katër komunat e veriore, interesimi për të votuar është skajshmërisht i ulët, raporton Nacionale.

Në disa qendra madje është raportuar se nuk ka pasur asnjë votues. Në disa të tjera 2-3 votues, e në disa të tjera deri në 10.

Krejt kjo vjen si pasojë që Lista Serbe vendosi t’i bojkotojë këto zgjedhje, dhe thirrjeve të tyre që serbët të mos marrin pjesë në këto zgjedhje.

Në “Kodrën e Minatorëve” janë raportuar vetëm 9 votues. Në qendrën e votimit në Zhazhë të Zveçanit kanë dalë për të votuar vetëm gjashtë persona.

Situatë e njëjtë është pak a shumë edhe në Leposaviq. Në shkollën “Kadri Bistrica” atje kanë votuar 10 qytetarë. Kurse në qendrën e votimit në pikën kufitare në Jarinjë nuk ka dalur asnjë votues deri më tash.

Kurse në qendrën e votimit tek vendi që njihet si “Tre Rrokaqiejt” kanë votuar 6 qytetarë.

Për të vëzhguar gjithë procesin ka dalë në terren edhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“Si do të jetë dalja do ta shohim në fund të votimit”, ka deklaruar ai kur është pyetur në lidhje me pjesëmarrjen e qytetarëve në këto zgjedhje.

Në anën tjetër, në këto zgjedhje kanë votuar deri më tani edhe disa nga kandidatët për kryetarë të komunave, përfshirë ata shqiptarë e serbë.

Lajme të ngjashme