Intervistë | Zenka: Millatoviq është një lojtar i ri i ‘botës serbe’, Malin e Zi e presin kohëra të vështira
Deputeti shqiptar në Mal të Zi, Mehmet Zenka, është shprehur i shqetësuar me fitoren e kandidatit Jakov Milatoviqit në zgjedhjet presidenciale.
Ai ka vlerësuar se më këtë president rrezikohet seriozisht rrugëtimi i Malit të Zi drejt Evropës.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Zenka ka thënë se Millatoviq nuk është asgjë tjetër vetëm një lojtar i ri i të ashtuquajturës bota serbe.
Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka bërë gjithçka për fitoren e tij.
Ai ka bërë me dije se konsekuencat e fitores së tij mund të verën edhe në rajon.
Deputeti shqiptar ka paralajmëruar se shumë lehtë mund të këtë ndryshime edhe në raport me Kosovën.
Sipas tij, partitë pro serbe kanë paralajmëruar se do të angazhohen për tërheqjen e njohjes për Republikën e Kosovës.
Zeka është shprehur kritik edhe ndaj kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Sipas tij, Abazoviq ka krijuar gjitha parakushtet për ngadhënjimin e politikes serbomadhe në Mal të Zi.
Nacionale: Z. Zenka, nga e diela Mali i Zi ka një president te ri. Çka do të thotë për këtë shtet fitorja e z. Milatoviq dhe humbja e z. Gjukanovic?
Zenka: Edhe pse pritshmëria e krahut evropian të cilin e përfaqësonte z. Gjukanoviq për fitore ishte reale, ndodhi e kundërta. Mobilizimi i krahut serb ishte jashtë gjitha parashikimeve tona, Vuçiqi brenda natës tërhoqi përkrahjen që kishte për Mandiqin ( fronti demokratik serb) dhe gjithë infrastrukturën në teren e vuri në shërbim të Millatoviqit që në rundin e parë, i cili edhe pse shitet evropian, s`është gjë tjetër veç lojtar i ri i të ashtuquajturës ‘bota serbe’.
Dëshmi e kësaj është edhe ikonografia dhe brohoritja e militantëve të Millatoviqit natën e fitores, ku iu brohorit kriminelit Ratko Mlladiq dhe bësheshin thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë.
Me një fjali, rrugëtimi i Malit të Zi drejt Evropës seriozisht rrezikohet. Gjithashtu, rrezikohen gjithë proceset dhe të arriturat e Malit të Zi në këto dy dekada të fundit.
Nacionale: Presidenti i ri është votuar edhe nga partitë pro-serbe. Cili është vlerësimi i juaj për këtë fakt?
Zenka: Presidenti ri përkrahjen kryesore e kishte prej serbëve për dallim prej z. Gjukanoviq, i cili u përkrah nga malazezët dhe shumica e popujve pakicë.
Me keqardhje mund të them që Millatoviqi fitoj rreth 3 000 vota në zona ku jetojnë shqiptarët. Sidoqoftë, Malin e Zi në vijim e presin kohëra të vështira.
Nacionale: Gjithashtu, ky president është përkrahur edhe nga kryeministri aktual z. Abazoviq. Cili ka qenë ndikimi i tij në fitoren e presidentit të ri?
Zenka: Abazoviq misionin e tij kryesor e realizoi (më mirë se çdo serb në tri dekadat e fundit të pluralizmit në Mal të Zi) duke krijuar gjitha parakushtet për ngadhënjimin e politikes serbomadhe në Mal të Zi.
Nacionale: Çfarë konsekuencash mund të sjellë për Malin e Zi fitorja e z. Milatoviq?
Zenka: Konsekuencat u panë që në natën e fitores se Milatoviqit ku në mbarë Malin e Zi u shpalosën tobojkat serbe. Dëshmi e kësaj është deklarata e kandidatit tjetër serb Mandiq, i cili natën e fitores tha: ma në fund Serbia fitoj daljen në det.
Nacionale: Po në raport me Kosovën a mund të këtë ndonjë ndryshim?
Zenka: Edhe në relacion me Kosovën shumë lehtë mund të këtë ndryshime, pasi që liderët e partive serbe paralajmëruan pakë kohë para se te zhvillohen zgjedhjet për president se do angazhohen maksimalisht në rast se fitojnë për tërheqjen e pranimit te Kosovës shtet.
Nacionale: Shumë shpejt priten të mbahen edhe zgjedhjet nacionale. Cilat janë pritjet tuaja për këto zgjedhje?
Zenka: E vetmja rrugëdalje nga kjo agoni dhe ankth politik do ishte një sukses në zgjedhjet parlamentare të cilat priten të mbahen me 11 Qershor, por edhe kjo vihet në pyetje pasi që pritet vendimi i gjykatës kushtetuese në lidhje me vendimin e z. Gjukanoviq (deri sa ishte president) për shpalljen zgjedhjeve të parakohshme. S`është për tu çuditur po që se do kemi të papritura ditët në vijim pasi kemi të bëjmë me një strukturë politike e cila nuk zgjedh mjete dhe forma në realizimin e qëllimeve të tyre.

